Ndeshja e Superkupës zhvillohet më 23 janar në Antalia

12 janar 2021 | 20:30

Komiteti Ekzekutiv i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) mbajti mbledhjen e parë për vitin 2021, nën drejtimin e presidentit Agim Ademi.

KE diskutoi rreth përgatitjeve për fillimin e stinorit pranveror të garave, me konstatimin se përgatitjet e të gjitha organeve të FFK-së po rrjedhin sipas dinamikës së paraparë. Po ashtu, edhe klubet i kanë filluar përgatitjet e tyre në të gjitha segmentet, ku shihet interesim i madh i tyre për prurjet e reja në skuadra.

KE edhe një herë diskutoi për sistemin e garave në Ligën e Dytë dhe Ligën e Tretë, me ç’rast vendosi që edhe në edicionin e ardhshëm Liga e Dytë të ketë 16 skuadra, e ku dy skuadra do të vijnë nga Liga e Tretë (me ç’rast kampionët e grupeve luajnë lojë barazhi, ku fituesit e tyre inkuadrohen në Ligën e Dytë), derisa nga liga largohen dy skuadrat e fundit në renditje.

KE diskutoi edhe rreth riformatimit të sektorëve në FFK me qëllim të ngritjes së profesionalizimit dhe efikasitet në punë në administratën e FFK-së. Po ashtu, KE diskutoi edhe rreth zhvillimit të ndeshjes së Superkupës ndërmjet kampiones në fuqi, Dritës dhe fitueses së Kupës, Prishtinës, e cila ndeshje zakonisht i paraprin fillimit të edicionit të ri por, për shkaqe të pandemisë Covid-19 dhe orarit të ngjeshur të garave, nuk kishte arritur të zhvillohej.

“Me pëlqimin e të dyja klubeve u vendos që kjo ndeshje të zhvillohet në Antalia më 23 janar, duke pasur parasysh se në këtë periudhë kohore të dy klubet gjenden në përgatitje në Turqi”, thuhet në njoftimin e FFK-së.

Po ashtu, KE shqyrtoi edhe mundësitë e përkrahjes financiare të klubeve para fillimit të stinorit pranveror, duke pasur parasysh gjendjen e vështirë të tyre për shkak të pandemisë dhe do të bëjë gjithçka që është në mundësitë e saj që sërish t’u dalë klubeve në krahë.

(Epoka e re)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, i shoqëruar nga…