‘Ndihem si idiot, ndryshova mendim për Lavrovin pas luftës’, Lajçaku flet pasi i dolën bisedat me Epsteinin

03 shkurt 2026 | 11:59

Pasi ka dhënë dorëheqje nga posti i këshilltarit të kryeministrit të Sllovakisë, Miroslav Lajçak është deklaruar për herë të parë vetë në një radio sllovake pasi i janë publikuar mesazhet me abuzuesin seksual, Jeffrey Epstein.

Pasi i ishte shmangur mediave, duke dhënë vetëm deklarata me shkrim, Lajçaku ka dhënë një intervistë për transmetuesin publik “Rádio Slovensko”.

“Sinqerisht nuk më kujtohen ato mesazhe”, ka thënë diplomati sllovak, duke iu referuar shkëmbimeve që përfshinin vajza. “Nuk mund t’i konfirmoj, por as nuk mund t’i mohoj”.

Pasi i ka lexuar përsëri mesazhet, ai ka thënë se ndihej “si idiot”.

“Por kjo nuk më shfajëson nga përgjegjësia”.

“Tregova gjykim të dobët dhe komunikim të papërshtatshëm. Ato mesazhe nuk ishin gjë tjetër veçse veprime të pamenduara të egos mashkullore, biseda vetëkënaqëse mes meshkujsh”, ka thënë Lajçaku.

Lajçak u ka thënë se kishte shkuar në Nju-Jork në vitin 2017 për të marrë një post njëvjeçar në Kombet e Bashkuara dhe është prezantuar me Jeffrey Epstein nga një diplomat i lartë i huaj.

Sipas Lajçak, Epsteini ishte i njohur gjerësisht dhe ishte takuar me figura të shumta biznesi dhe politike nga ShBA-ja dhe jashtë saj.

Lajçaku ka thënë se nuk shihte asnjë arsye për të mos e takuar atë, duke argumentuar se krijimi i kontakteve ishte pjesë e punës së tij.

“Pse unë, një djalë nga Sllovakia, nuk duhet ta pranoj këtë?”. “Ai ishte një kontakt i vlefshëm”, ka thënë ai.

Lajçaku ka thënë se më vonë ishte vë në dijeni për dënimin e Epsteinit në vitin 2008 për një vepër penale seksuale, por ka vë në dukje se shumë figura me ndikim vazhduan të shoqëroheshin me të më pas. Kjo, ka thënë ai, e bëri të besonte se nuk kishte problem të bënte të njëjtën gjë.

“Marrëdhënia ime me të ishte rreth fjalëve, jo veprave. Sot po paguaj çmimin për komunikimin me të dhe njohjen e tij”, ka thënë Lajçaku, duke dënuar krimet që dolën në dritë pas arrestimit të Epsteinit në vitin 2019.

Ai ka konfirmuar se kishte vizituar apartamentin e Epsteinit, por ka thënë se figura të tjera të biznesit dhe politikës ishin të pranishme. “Nuk kishte vajza”.

“Kjo pjesë e jetës së Epsteinit ishte përtej meje. Ai nuk foli për këtë dhe unë nuk pyeta”, ka thënë ai, duke shtuar se “ndërgjegjja ime është e pastër”.

Më tutje, Lajçaku ka mohuar se ish-kryestrategu i Shtëpisë së Bardhë, Steve Bannon, i cili kishte kërkuar të bashkonte populistët evropianë në vitin 2018, ishte takuar me kryeministrin sllovak, Robert Fico, pavarësisht mesazheve të publikuara që sugjeronin një takim të mundshëm.

Kryeministri sllovak nuk ka konfirmuar nëse një takim i tillë ka ndodhur ndonjëherë.

“Nuk e dua Lavrovin”, ka thënë Lajçakur, duke pranuar se ish-sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Kofi Annan dhe ministri i Jashtëm rus, Sergey Lavrov dikur kishin qenë modelet e tij profesionale.

“E ndryshova pikëpamjen time për Lavrovin pasi ai u bë fytyra dhe zëri i agresorit në Ukrainë”, ka thënë ai.

Në një nga tekstet e publikuara, Lajçaku kishte shkruar se e donte Lavrovin.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Përfaqësuesit e platformës “Liria ka Emër”, Eliza Hoxha dhe Ismail…