
Ndihmës-sekretarja amerikane, Kurtit: ShBA-të i japin prioritet dialogut
Ndihmës-sekretarja amerikane e Shtetit për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, Karen Donfried, ka thënë sot se Kosova dhe Serbia duhet të angazhohen në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian në Bruksel, sepse status-quoja është e paqëndrueshme.
Ajo i ka bërë këtë deklaratë pas takimit që ka zhvilluar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti në Prishtinë.
“Ne i japim prioritet mbështetjes së procesit të dialogut, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, dhe t’i ndihmojmë Kosovës që të normalizojë marrëdhëniet me Serbinë, duke pasur në qendër njohjen e ndërsjellë. Status quo-ja është paqëndrueshme. Jo vetëm që e pengon të ardhmen evropiane të Kosovës dhe Serbisë, mirëpo nga kjo përfiton Kremlini. Rusia dëshiron të shkatërrojë çdo unitet dhe konsolidim demokratik në Ballkanin Perëndimor”, ka thënë ajo.
Donfried ka thënë se me Kurtin ka diskutuar për hapat e ardhshëm të dialogut dhe rëndësinë e përparimit në këtë proces.
Ndërkaq kryeministri Kurti ka thënë se Kosova ka qenë e përkushtuar, kreative dhe konstruktive në dialog.
Ai ritheksoi se duhet të jetë dialog parimor që respekton barazinë e palëve në bisedime.