Ndriçim Xhepa kujton të kaluarën
Artisti i njohur shqiptar Ndriçim Xhepa ka ndarë reflektime të sinqerta mbi jetën e tij artistike në teatër dhe film, gjatë një interviste të dhënë më herët në emisionin “Ka Motor”. Aktori kujton me nostalgji vitet kur pasioni për artin ishte mbi çdo interes financiar.
Xhepa u ndal te godina historike ku është prodhuar filmi shqiptar gjatë periudhës 1953–1990, duke theksuar se ajo mbetet një hapësirë unike e memories kulturore. Sipas tij, sot do të ishte e nevojshme një mbështetje më e madhe financiare nga shteti për teatrin dhe kinemanë.
Ai tregon se në vitet ’80 ka nisur punën në teatër, duke zgjedhur të jetë aktiv si në skenë ashtu edhe në ekran — një rrugë që jo shumë aktorë kanë mundur ta përshkojnë njëkohësisht.
“Jam ndër ata individë që, falë dashurisë për punën dhe mundësive të mia aktoriale, kam qenë i pranishëm si në teatër, ashtu edhe në film. Në 40 vite profesion, gati gjysmën e kohës e kam kaluar në këtë oborr,” shprehet Xhepa.
Ai kujton me respekt bashkëpunimin me regjisorë, operatorë, kostumografë dhe skenografë, duke theksuar se puna artistike kërkonte orë të gjata dhe përkushtim ekstrem. Xhirimet shpesh nisnin në orën 08:00 të mëngjesit dhe përfundonin në orët e para të mëngjesit tjetër.
“Kur lodheshin shoferët, zbrisnim dhe ecnim në këmbë. Ishte një frymë e madhe pasioni. Nuk ishte se nuk ekziston sot, por atëherë kishte një formë tjetër bashkëpunimi,” thotë aktori.
Sipas tij, në atë kohë mungonte plotësisht interesi material: aktorët punonin për një rrogë fikse, pa menduar se sa do të fitonin apo çfarë standardi jetese do të kishin në të ardhmen.
“Nuk ishte mania e fitimit, as ideja e pushimeve luksoze apo e nivelit financiar. Ishte dëshira për të bërë një film të mirë, një shfaqje të mirë,” shprehet ai.
Xhepa shton se dikur aktorët lëviznin me urban dhe jo me makina personale, ndërsa profesioni i artistit shihej si një mënyrë për të kënaqur veten dhe publikun.
“Ky profesion bëhet për kënaqësinë personale dhe për kënaqësinë e publikut. Dyfishohet përgjegjësia dhe dyfishohet edhe kënaqësia,” përfundon ai.



