“Ndryshimi i varietetit gjuhësor”, libër studimor nga Haki Hysenaj
Sot ka dalë nga shtypi libri i profesor Haki Hysenajt, me titull “Ndryshimi i varietetit gjuhësor : (rasti i së folmes së Rugovës)”, botuar nga shtëpia botuese “Armagedoni”.
Ky studim trajton procesin e ndryshimeve gjuhësore që kanë ndodhur te komuniteti rugovas pas migrimit dhe kontaktit me varietete të tjera të shqipes.
Parathënia e librit e profesor Haki Hysenajt
Duke u mbështetur në literaturën sociolinguistike, veçanërisht në studimet e Trudgill, Thomson, Crystal, Labov, Hudson, Giles & Powesland, Giles & Coupland, Siegel… del qartë se bartja e një varieteti gjuhësor nga një brez në tjetrin lidhet ngushtë, ndër të tjera, me proceset e migrimit të bashkësive folëse ose të pjesëve të tyre nga një vendbanim në tjetrin. Formimi i vendbanimeve të reja brenda një areali gjuhësor të ndryshëm, ose në fqinjësi me të, reflektohet drejtpërdrejt në sjelljen shoqërore të folësve, përfshirë praktikat e përdorimit të gjuhës dhe zgjedhjen e varieteteve gjuhësore.
Nisur nga kjo premisë teorike mbi ndikimin e migrimit në bartjen dhe transformimin e varieteteve gjuhësore, për objekt studimi është përzgjedhur varieteti gjuhësor i rugovishtes. Folësit e këtij varieteti gjatë dekadave të fundit kanë migruar masivisht në qytetin e Pejës dhe në rrethinën e saj. Kontakti i vazhdueshëm me individë me origjinë nga Rugova, të cilët janë vendosur prej kohësh në Pejë dhe në fshatrat përreth, ka mundësuar të vërehen ndryshime të dukshme në sjelljen e tyre gjuhësore. Një pjesë e konsiderueshme e tipareve që dikur karakterizonin këtë të folme janë zëvendësuar gradualisht me elemente të gegërishtes verilindore, e cila dominon në arealin e ri gjeografik. Si rrjedhojë, varieteti vendor është duke u konsoliduar si mjeti kryesor i komunikimit të përditshëm, përfshirë edhe komunikimin brenda familjes.
Në një fazë të mëhershme, këta folës njiheshin si bartës të gegërishtes veriperëndimore, një varietet që kishte ruajtur tipare konservative, kryesisht për shkak të izolimit gjeografik të Rugovës dhe mungesës së kontakteve të drejtpërdrejta me makrosistemin gjuhësor që i takonte. Megjithatë, në mjedisin e ri gjuhësor, fillimisht mbi bazën e vëzhgimeve josistematike, janë vërejtur ndryshime të dukshme në të folurën e pjesëtarëve të këtij entiteti. Këto ndryshime, të shfaqura brenda një periudhe relativisht të shkurtër, dëshmojnë për një proces dinamik të adaptimit gjuhësor, i cili kërkon trajtim të strukturuar dhe analizë të hollësishme në vijim të këtij studimi.
Në rrethana të reja shoqërore dhe gjuhësore, rugovasit janë shndërruar gradualisht në folës “të vullnetshëm” të varietetit dominues të mjedisit pritës, përkatësisht të gegërishtes verilindore. Megjithatë, vëzhgimet në terren tregojnë se këta folës nuk janë gjithmonë të vetëdijshëm për ndryshimet graduale që kanë ndodhur në varietetin e tyre të origjinës. Edhe kur synohet shprehja e identitetit social dhe krahinor përmes gjuhës, ligjërimi i tyre karakterizohet nga përzierja e elementeve të varietetit burimor me ato të varietetit vendës. Krahas këtij ndërveprimi midis varietetesh, një ndikim i dallueshëm në procesin e ndryshimit gjuhësor ushtrohet edhe nga gjuha standarde, e cila shihet se ka vepruar si faktor shtesë në riformësimin e praktikave gjuhësore të këtyre folësve.
Dukuria e përdorimit paralel të tipareve të dy varieteteve shfaqet më qartë te brezi i mesëm, i cili ndodhet në një pozitë tranzicionale midis varietetit të origjinës dhe atij të mjedisit pritës. Brezi i ri, i socializuar dhe i formuar gjuhësisht në mjedisin e ri, nuk zotëron kompetencë aktive në varietetin e origjinës dhe, për më shumë, shfaq prirje të theksuar drejt përdorimit të shqipes standarde. Ndërkaq, brezi i vjetër përpiqet të ruajë varietetin gjuhësor të origjinës, veçanërisht në situata komunikimi “brenda llojit” dhe në situata të veçanta folëse, duke e përdorur atë si mjet simbolik për shprehjen e identitetit gjeografik dhe kulturor.
Procesi i ndryshimit dhe riformësimit të varietetit, ndonëse ende jo plotësisht i përfunduar, është vërejtur qartë që në ekspeditën e parë kërkimore (2015/2016). Gjatë qëndrimeve të herëpashershme në vendbanimet e reja të rugovasve, si dhe në disa fshatra të arealit të tyre të mëparshëm në Rugovë, janë realizuar incizime të shumta të ligjërimit të natyrshëm të folësve të këtij varieteti, me qëllim të dokumentimit dhe analizimit të procesit të riformësimit të rugovishtes. Rezultatet paraprake kanë treguar se ndryshimet e konstatuara kanë ndodhur kryesisht si pasojë e zhvendosjes së folësve dhe e kontaktit të vazhdueshëm me varietetin lokal, të ndërmjetësuar gjithashtu nga ndikimi i gjuhës standarde.
Në këtë studim vëmendje e veçantë i është kushtuar edhe përshkrimit të të folurës së fëmijëve rugovas që ende jetonin në disa fshatra të Rugovës. Duke qenë se ata ndiqnin arsimin në gjuhën standarde shqipe (shkolla në Drelaj), ishte e pritshme që në ligjërimin e tyre të shfaqeshin shenja të ndikimit të standardit. Ndryshime të ngjashme, megjithëse më pak të theksuara, janë vërejtur edhe te brezi i vjetër, si pasojë e ndikimit nga gjuha e fëmijëve, intensifikimit të kontakteve me ish-bashkëvendësit e migruar dhe me praninë e turistëve, pas shndërrimit të rajonit në zonë turistike. Këto vëzhgime, megjithatë, kanë shërbyer kryesisht si tregues orientues, pasi trajtimi i tyre i detajuar ka tejkaluar kornizën analitike të këtij studimi.
Ekspedita e dytë kërkimore (2021) ka treguar zhvillime të mëtejshme dinamike në gjuhën e folur të rugovasve, tashmë të vendosur në Pejë dhe fshatrat përreth. Brenda një periudhe relativisht të shkurtër, ndryshimi i varietetit është bërë i dukshëm posaçërisht te brezi i mesëm. Me kalimin e kohës, ky brez ka riformësuar edhe qëndrimin e tij ndaj varietetit të origjinës, duke pranuar në mënyrë “të heshtur” varietetin dominues të mjedisit pritës dhe duke u shndërruar në një “hallkë të ndërprerë” në zinxhirin e transmetimit ndërbrezor të rugovishtes.
Tek brezi i vjetër vërehen dy prirje kryesore: (a) përpjekja për ruajtjen konsekuente të së folmes së origjinës dhe (b) integrimi selektiv i disa tipareve të varietetit lokal në ligjërimin e tyre të përditshëm. Në mjediset urbane dhe në vendbanimet rurale të përziera, humbja e varietetit është më e theksuar, ndërsa në mjediset më të izoluara vërehen përpjekje të qëndrueshme për ta mbajtur “gjallë” rugovishten. Ndikimi i mediave, intensiteti i kontakteve të përditshme dhe bashkëjetesa ndërbreznore janë faktorë kryesorë që kanë përshpejtuar procesin e ndryshimit gjuhësor.
Ekspedita e tretë (2024/25) ka pasur kryesisht karakter verifikues për konstatimet e nxjerra nga analiza e të dhënave të mbledhura gjatë dy ekspeditave të para. Rezultatet e saj kanë shërbyer si bazë për përfundimet e përgjithshme të paraqitura në fund të këtij libri, të cilat pasqyrojnë procesin e ndryshimit gjuhësor të varietetit të rugovishtes pas migrimit të folësve të saj.
Gjatë kësaj faze të hulumtimit është vënë re edhe një valë e re rimigrimi e brezit të mesëm drejt vendeve perëndimore. Megjithatë, ky fenomen nuk trajtohet në mënyrë të zgjeruar, pasi tejkalon qëllimin primar të studimit.
Libri fokusohet tek ndryshimi i varietetit gjuhësor si pasojë e migrimit brenda vendit dhe ndikimit të faktorëve socio-kulturorë, me theks të veçantë të faktorëve gjeografikë dhe demografikë, si dhe në rolin e prestigjit socio-kulturor në përballjen midis varieteve.
Për rugovishten ekzistojnë disa punime paraprake nga autorë, si: Desnickaja, Begolli, Kelmendi, Mulaku & Bardhi dhe Hajdaraj. Autori i këtij libri ka publikuar më parë dy punime mbi ndryshimin gjuhësor të këtij varieteti në Seminarin Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare (Hysenaj, 2016, f. 183; Hysenaj 2021, f. 39). Të dhënat e këtyre punimeve, së bashku me rezultatet e ekspeditës së tretë, përbëjnë korpusin empirik të studimit dhe si të tilla kanë mundësuar formulimin e përfundimeve lidhur me:
- procesin e ndryshimit gjuhësor;
- nivelin e ruajtjes së varietetit të origjinës;
- përdorimin e tij si shenjë identitare në kontekste të caktuara; dhe
- asimilimin ndërbrezor.
Gjetjet tregojnë se kontaktet, jo vetëm ndërmjet gjuhëve, por edhe ndërmjet varieteteve të së njëjtës gjuhë, të shkaktuara nga zhvendosjet e popullsisë, ndikojnë në ndryshimin, zvetënimin dhe shpërbërjen e një varieteti, zakonisht atij të vendosur në mjedisin e ri, ku varietetet vendëse kanë prestigj më të lartë.
Në përmbyllje, shpreh mirënjohje të veçantë për ndihmën gjatë mbledhjes së materialit në terren. Falënderoj kolegun Valdet Hysenaj për shoqërimin dhe udhëzimet e dhëna gjatë ekspeditës së parë, si dhe ish-studentet e Universitetit “Fehmi Agani” të Gjakovës dhe të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” për kontributin e tyre në intervistimet dhe regjistrimet e të dhënave. Veçanërisht falënderoj Shqiponjë Nikçin dhe Arizonë Lajçin për ndihmën e vlefshme gjatë mbledhjes së materialit empiriko-gjuhësor, të cilat pa përtesë ndihmuan në sigurimin e incizimeve në rastet kur ne nuk e kishim të mundur.
Me rastin e botimit të këtij libri, shpreh falënderim të veçantë ndaj Akademik Shkumbin Munishit për mbështetjen në përzgjedhjen dhe kompletimin e literaturës dhe për sugjerimet e tij të çmuara, të cilat kanë pasuruar dimensionin sociolinguistik të librit.
Një falënderim i veçantë u drejtohet gjithashtu anëtarëve të familjes sime për durimin dhe përkrahjen gjatë gjithë procesit kërkimor dhe hartimit të këtij libri.




