
Ndryshon orari i finales së Ligës së Kampionëve
Pak orë para shortit të sezonit të ri në Ligën e Kampionëve, arrin një komunikatë e rëndësishme nga ana e UEFA-s që i përket finales së kompeticionit, e cila këtë herë do të luhet në Budapest.
Më specifikisht, do të ndryshojë orari i fillimit të finales, që do të zhvendoset nga ora 21:00 në 18:00. Vetë UEFA e ka shpjeguar kështu zgjedhjen e saj: “Vendimi është marrë për ta përmirësuar përvojën e përgjithshme të ditës së ndeshjes për tifozët, si dhe për ekipet dhe qytetet pritëse, duke e optimizuar logjistikën dhe operacionet. Qëllimi është që dita e ndeshjes të jetë një përvojë për të gjithë ata që dëshirojnë të marrin pjesë, duke e krijuar një atmosferë të arritshme për familjet dhe fëmijët. Për tifozët mysafirë, kjo do të thotë akses më i mirë në transportin publik, veçanërisht pas ndeshjes dhe një kthim më të sigurt dhe më të përballueshëm nga stadiumi. Për qytetet pritëse, kjo do ta rrisë ndikimin ekonomik duke u dhënë tifozëve mundësinë për t’i vazhduar festimet”, ka njoftuar shtëpia e futbollit evropian.