Sipas komisionit, sfida kryesore për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur vazhdon të mbetet mosbashkëpunimi i Serbisë, veçanërisht refuzimi për të ofruar informacione kredibile dhe për të hapur arkivat që lidhen me varrezat masive.

Kryetari i Komisionit, Andin Hoti, ka deklaruar se pavarësisht marrëveshjeve të arritura në Bruksel, Serbia ka tërhequr dakordimin për zbatimin e tyre dhe ka refuzuar pjesëmarrjen në tri takime të thirrura nga Bashkimi Evropian gjatë këtij viti.

Ai theksoi se Serbia po kërkon ndryshimin e termave të referencës për t’iu shmangur përgjegjësisë, duke kundërshtuar raportimin e mospunës tek shtetet anëtare të BE-së. “Ne nuk do të pajtohemi me këtë dhe do të vazhdojmë presionin që Serbia të hapë arkivat e klasifikuara, të cilat besojmë se përmbajnë të dhëna për 1.571 persona që ende figurojnë të zhdukur”, tha Hoti.

Sfidë e veçantë mbetet edhe lokacioni Kozhle në Serbi, ku gërmimet janë lejuar me vonesa dhe janë ndërprerë disa herë nga autoritetet serbe. Sipas Hotit, dyshohet për një varrezë masive, por mbi të ndodhet një deponi mbeturinash mbi 15 metra, çka e ka pamundësuar vazhdimin e punimeve. Gërmimet në këtë lokacion janë ndërprerë përfundimisht për këtë vit, pa ndonjë datë të caktuar për rifillim.