Në 2020-n ankesat e konsumatorëve u rritën 100 për qind

15 mars 2021 | 12:43

Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP), me rastin e ditës ndërkombëtare të konsumatorit, ka organizuar të hënën tryezë diskutimi me temën “Mbrojtja e Konsumatorit gjatë Pandemisë”.

Në këtë tryezë u konstatua se mbrojtja e konsumatorëve në Kosovë mbetet sfiduese për faktin se po përballen me pasiguri në ushqim, mashtrim me zbritje dhe fryrje të çmimeve.

Veçanërisht këto shqetësime kanë qenë të theksuara në pandemi, ku është rritur çmimi i produkteve bazike dhe farmaceutike.

Dardan Abazi nga INDEP-ja, ka thënë se respektimi i të drejtave të konsumatorëve në Kosovë mbetët për t’u dëshiruar. “Për fatin tonë të keq ende diskursi politikbërës dhe institucionet përkatëse kanë lënë mbrapa të drejtat e konsumatorit, veçanërisht në kohën e pandemisë. Çdo ditë po marrim ankesa sa i përket të drejtave të konsumatorëve. Këto ankesa ndërlidhen me zbritjet, me blerjet online, me sigurinë e ushqimit dhe me çështjet e tjera”, ka deklaruar Abazi.

Helen Leurent përfaqësuese nga Customer International, e cila u inkuadrua nga Zvicra, në këtë tryezë ka ngritur çështjen e ndotjes së ambientit nga plastika.

“Shqetësimet tona janë për ndotjen e plastikës dhe përdorimin e plastikës një përdorimesh. 12 milionë ton të plastikës çdo vit përfundon në oqean, kurse gjithsejtë janë 14 milionë metër kub qese plastike. Bizneset dhe prodhuesit duhet të jenë të vetëdijshëm për nevojën e konsumatorëve”, ka thënë Leurent.

Vetëm gjatë vitit 2020 ankesat e konsumatorëve në Ministri të Tregtisë dhe Industrisë (MTI) janë rritur për 100 për qind, ku gjysma e tyre, prej 1 mijë e 17 sosh nuk janë trajtuar nga institucionet përkatëse.

Udhëheqësi i Departamentit për Mbrojtjen e Konsumatorëve në MTI, Nijazi Shala, ka thënë se kjo ministri është zotuar se do ta përmirësojë pozitën e konsumatorit përmes legjislacionit në fuqi.  “Numri i ankesave nga konsumatorët është ngritur për më shumë se 100 për qind. Numri i këtyre ankesave gjatë vitit 2020 është 1 017 sosh, si për fryrje të çmimeve farmaceutike dhe atyre bazike, sidomos në pandemi”, ka thënë ai.

Zëdhënësi i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës, Lamir Thaçi, ka theksuar se në periudhën e fundit kanë qenë vigjilentë sa i përket kontrolleve të produkteve ushqimore si dhe zbatimin e masave anti-Covid. “Gjatë gjithë kohës kemi pranuar edhe ankesa nga konsumatorët, të cilat janë trajtuar me kujdes. Nga konsumatorët kemi kërkuar që të dërgojnë dëshmi, sepse ne përballemi me gjykatat”, ka thënë Thaçi, i cili ka shtuar se Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës operon me numër të kufizuar të inspektorëve brenda vendit. “Kjo paraqet sfidë për Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinës, ashtu dhe për konsumatorët. “Kemi numër të kufizuar të inspektorëve brenda territorit të Kosovës, marrë parasysh edhe situatën pandemike e cila është sfiduese”, ka thënë Thaçi.

Ai u ka bërë thirrje konsumatorëve që ta raportojnë për çdo parregullsi që mund të hasin në  produktet ushqimore.

(Albulena S. MAVRAJ / Epoka e re)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ende nuk dihet se cili do të jetë vendimi i…