Në 27-vjetorin e çlirimit të Kosovës, Haxhiu e Kurti bëjnë homazhe në Prekaz
Sot, në 27-vjetorin e Çlirimit të Kosovës, ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu së bashku me kryeministrin në detyrë Albin Kurti, kanë bërë homazhe në Prekaz.
Haxhiu ka thënë se nuk ka 12 qershor pa marsin e vitit 1998.
“Nuk ka liri pa qëndresën e Adem Jasharit, të Hamzës, të Shabanit dhe të mbi pesëdhjetë anëtarëve të familjes Jashari, që ranë në mbrojtje të atdheut. Prandaj, me nderim dhe përulësi, bëmë homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari”, vendin ku u shkruan faqet më të lavdishme të historisë sonë kombëtare. Familja Jashari nuk mbrojti vetëm pragun e shtëpisë së tyre. Mbrojti tokën e të parëve, këtë tokë që ishte, është dhe mbetet e shqiptarëve. Mbrojtën idenë se ky popull nuk mposhtet. Sakrifica e familjes Jashari u bë themeli mbi të cilin u ngrit Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe mbi të cilin qëndron sot Republika jonë e lirë”, ka thënë Haxhiu, duke shtuar se liria që e gëzojmë është amaneti i tyre.
“Ne, si institucione e si qytetarë, kemi për detyrë ta ruajmë e ta ndërtojmë çdo ditë Kosovën për të cilën ata dhanë gjithçka. Lavdi Komandantit Adem Jashari, familjes Jashari dhe të gjithë dëshmorëve të kombit!”, është shprehur Haxhiu.



