Në 60 vjetorin e vrasjes së Lulit të Vocërr!

09 korrik 2021 | 09:06

Shkruan: Bardhyl Mahmuti

Përjetimet e njerëzve që kanë jetuar në sisteme politike totalitare dhe frika që ndienin kundërshtarët e këtyre sistemeve politike është e tmerrshme. Mirëpo, dhuna “brenda llojit” dhe përjetimi i frikës nga njerëzit që janë pjesë e sistemit që “hanë edhe njëri-tjetrin”, nxjerr në sipërfaqe një aspekt tjetër të funksionimit të këtyre sistemeve.

Parashikimi i Migjenit:

“Shpeshherë më pëlqente të mendoj mbi ardhmëninë e Zenelit. Por ç’e do. Nuk mjafton vetëm vullneti i mirë i em, që ta baj Zenelin të hypi ndër majat e nalta kah shpërthejnë horizontet e dritës. Mandej edhe pjesa e eme fataliste arsyetonte: lene Zenelin të rrojë jetën stërgjyshërore, primitive, e ka ma mirë, mos e marr në qafë me e hypë ndër majat e nalta nga mund të thejë qafën i dëshpëruem, tue pa të vetët të dashtun tepër ultë dhe tue mos mujtë me i ndihmue…” – Migjeni

“Lajmi se kryetari i komitetit ekzekutiv i qarkut të Elbasanit vrau veten paraditën e nëntë korrikut të vitit 1961, ishte ndoshta më i pabesueshmi nga gjitha ato që mund të kishin dëgjuar njerëzit në mesin e asaj vere të nxehtë e si zakonisht, gjithë pluhur. Askush nuk e dinte vendin e saktë të vetëvrasjes. Dikush tha se ndodhi në zyrën e tij, në katin e dytë të ndërtesës së vjetër. Nga aty ishin dëgjuar dy krisma të shpejta, njëra pas tjetrës dhe se kujdestari i komitetit që vrapoi për të parë çfarë ndodhi, e gjeti Zenel Islamin të vdekur….”- Bedri Zenel Islami.

Përtej fatalitetit të parashikuar nga Migjeni për personazhet e tij, fati i Zenel Islamit u vendos në kupolën e pushtetit totalitar dhe u ekzekutua me ndihmën e dhëmbëzoreve që vinte në lëvizje zbatimin praktik të këtyre planeve ogurzeza. Madje, edhe vetë kreu i kësaj kupolle do të përkujdeset që të mos ngucej miti i “Lulit të vocërr” dhe “Zenelit”, por të zhbëhej njeriu real: Zenel Islami!

Dhe në këtë zhbërje, akuza për “vetëvrasje” shndërrohet në mekanizëm të zhbërjes jo vetëm të Zenel Islamit, por edhe të familjes së tij. Mirëpo në dallim nga shumë gra të tjera që u detyruan të ndiqnin “vijën e partisë”, bashkëshortja e Zenel Islamit, Drita Gjylbegu jo vetëm që nuk u distancua nga “vetëvrasja” që ia vishnin burrit të saj, por as nuk braktisi tre fëmijët që kishte krijuar ky çift: Bedriun, Zanën dhe Agronin. Ishte “një grua që mohoi…partinë për njeriun e saj”, prandaj shndërrohet në një person shumë të dashur për lexuesin dhe madhështore në sytë e atyre që kanë pasur rastin ta takojnë.

Në 60 vjetorin e vrasjes së Zenel Islamit, ju ftoj të lexoni romanin “Vrasja Lulit të Vocërr” të Bedri Zenel Islamit, të ribotuar në Tiranë më 2019 me titull “Nata pa të nesërmen”, është roman që të mban në ankth të vazhdueshëm për tragjedinë që përshkruan.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Finalja e Evropianit mes Anglisë dhe Italisë, do të jetë…