Në 80-vjetorin e përjetësimit të burrave të familjes së Januz Krasniqit nga Zhilivoda: Ata u flijuan për liri

15 dhjetor 2025 | 12:30

Shkruan: Msc. Nafi Krasniqi

Pas Luftës së Dytë Botërore, në shkurt të vitit 1945, Kosova u vendos nën regjim të ashpër represioni si rezultat i shpalljes së Ligjit Ushtarak nga pushteti komunist jugosllav. Ky moment shënon fillimin e një periudhe të errët për shqiptarët. Kosova, u zhyt në kaos të thellë. Ripushtimi shoqërohej me dhunë sistematike dhe represion të organizuar shtetëror. Forcat partizane, të shoqëruara nga grupe çetnikësh dhe civilë serb të armatosur (kolonë), të udhëhequr nga Partia Komuniste e Jugosllavisë, ndërmorën një fushatë të gjerë ndëshkimi kundër popullsisë shqiptare. Artakolli, si shumë zona të tjera shqiptare, u përball sërish me dhunë të organizuar dhe të pamëshirshme. Shqiptarët u ekzekutuan, u përndoqën, u burgosën dhe u dëbuan masivisht. Kështu, fshatrat e Artakollit u vunë nën presion të aparatit represiv serb. Familje, personalitete dhe luftëtarë të njohur u bënë subjekt i këtij terrori të planifikuar, mbi të cilët u vërsul i gjithë arsenali shtetëror serb i asaj kohe.

Fati i shumë familjeve shqiptare të asaj kohe, e përcolli edhe familjen e Januz Krasniqit nga Zhilivoda. Atëbotë, familja numëronte njëzet e pesë anëtar: shtatë burra, shtatë gra, dhe dymbëdhjetë fëmijë dhe të rinj. Më i vogli Ismeti, nëntë muajsh, ndërsa më i madhi Ahmeti rreth tetëmbëdhjetë vjeçar. Ishte familje e madhe. Në të, ishin të rrënjosura traditat dhe doket shqiptare. Sa herë që e kërkonte atdheu, burrat e sajë i përgjigjeshin thirrjes së atdheut. E njëjta kishte ndodhur edhe në vitin 1941. Të gjendur në një realitet të ri, gjashtë burrat e familjes, ishin përfshirë në mënyrë të pandashme në zhvillimet politike dhe ushtarake të vendit më qëllim mbështetjen e autoritetit të Shqipërisë në Kosovë, si dhe në mbrojtjen e vendit.

Familja jonë, krahas aktivitetit ushtarak merrte pjesë edhe në jetën politike e publike. Ata ishin rreshtuar krah organizatave të kohës me karakter kombëtar. Dalipi si pjesë e NDSH-së, ishte emëruar në pozita publike. Ai kishte shërbyer në pozitën e nënkryetarit të Komunës së Vushtrrisë. Emini dhe Sheqiri, ishin angazhuar si xhandar. Si rezultat i shkathtësive të treguara në vitin 1943, Sheqiri, do të angazhohet në Divizionin SS “Skanderbeg”. Fshatarët e Zhilivodës me në krye Aziz Zhilivodën, njiheshin gjerësisht për guximin e tyre të lindur, dhe për gatishmërinë e vazhdueshme për të mbrojtur trojet dhe identitetin shqiptarë, ata ishin pjesëmarrës në beteja të shumta për mbrojtjen e viseve të banuara me shqiptarë, përfshirë ato në skajin më veriorë të Shqipërisë, si dhe, në mbrojtjen e kufirit në rajonin e Llapit, atje ku forcat serbe shpesh tentonin të hynin. Për shkak të angazhimeve të tyre, familja, ishte identifikuar si “Familje Ballistësh”. Pas ripushtimit të Kosovës në vitin 1945, ky cilësim, do të sillte pasoja të rënda dhe të përhershme për familjen tonë. Me vendosjen e regjimit të ri komunist, burrat e familjes, u bënë objekt i drejtpërdrejtë i ndjekjes dhe represionit.

Forcat partizane, të mbështetura nga grupe çetnike dhe serbët lokal, kohë pas kohe realizonin ekspedita (yrrfia) me qëllim të “spastrimit” të fshatrave nga patriot e luftëtarë shqiptarë, të cilët po strehoheshin në malet e Çyqavicës. Kështu, si sot, tetëdhjetë vite më parë (15 Dhjetor 1945) një ekspeditë, kishte identifikuar vendstrehimin e burrave të familjes. Ata, prej muajsh po qëndronin në një bunker të ndërtuar për strehim te vendi i quajtur Lugu i Kishës, në Zhilivodë. Pas disa orë luftimesh, bien: Dushi (30, i afërm), Shaqiri (31), Hasani (32, i afërm), dhe Rexhepi (32). Tragjedia për familjen tonë nuk mbaron këtu. Tre ditë më vonë, ekspedita u rikthyen përsëri në Zhilivodë. Ata, po kërkonin për burrat tjerë të familjes. Pasi i identifikuan Hamdiun (28) dhe Dautin (40), ata i ndanë nga burrat e tjerë të fshatit dhe me gjakftohtësi i pushkatuan buzë një grope në Kodrashemta.

Për disa ditë, pushteti komunist, nuk kishte lejuar varrimin e tyre. Një gjë e tillë u lejua, vetëm atëherë kur disa pleq të fshatit, shkuan fillimisht në Priluzhë e më pas në Vushtrri, për t’i lutur organet komuniste, që familjes, t’i lejohet të varrosnin trupat e të vrarëve. Ceremonia u lejua, por ajo u bë nën kushte të rrepta, pa pjesëmarrje, dhe nën mbikëqyrjen e strukturave komuniste, përderisa, trupat e tyre nuk u lejuan të preheshin në varrezat e fshatit, me arsyetimin se ata ishin, ballistë.

Rënia e tyre ishte tragjedi për familjen, pasojat ishin të rënda. Që nga ajo kohë, familja jonë, jetoi nën peshën e një historie të mbushur me sakrificë dhe dhembje. Dhuna, burgosjet, diferencimet, përndjekja, pasiguria, mohimi i shkollimit dhe punësimit, si dhe vuajtje të llojllojshme të pafundme ishin realiteti i brezave që do vinin pas.

Pas kësaj ngjarje, gratë mbetën të veja, fëmijët u rritën pa baba. Fatimja, sot 89 vjeçare, e kujton babanë e saj, Rexhepin, por e njëjta nuk mund të thuhet për Ismetin 80 dhe Naxhijen 84, ndonëse, nuk e kujtojnë fare babain e tyre, Sheqirin. Gjithsesi, ata kujtojnë, vuajtjet e nënës dhe të familjarëve të tjerë, si dhe sfidat, më të cilat ata u rritën duke u munguar më të dashurit.

No description available.

Për shkak të rrethanave të kohës, për më shumë se pesëdhjetë vite, nuk është guxuar të përkujtohet kjo ngjarje. Megjithatë, pavarësisht sfidave, familja ka arritur të ruaj dinjitetin, qëndresën dhe kujtesën e atyre që ranë. Rrëfimi për rënien e tyre është mbajtur gjallë, bashkë me kujtesën për kohërat e errëta dhe qëndresën e kombit tonë. Pas luftës së fundit, Ismeti, me vetiniciativë, ka bërë rregullimin e varrezave ku sot pushojnë trupat e tyre.

No description available.

Liria për familjen tonë, nuk ka qenë kurrë dhuratë. Ajo ka qenë ideal dhe domosdoshmëri për të jetuar. Kjo histori nuk është vetëm kujtim për burrat e vrarë, apo për vuajtjen familjare, por thirrje për të reflektuar mbi atë se, liria nuk erdhi pa mund, por liria, erdhi si rezultat i vuajtjes shekullore.

Lavdi të rënëve ndër breza.

(Shkëputur dhe përshtatur nga dorëshkrimet për historinë e familjes së Januz Krasniqit nga Zhilivoda)

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një debat i tensionuar ka ndodhur mes Fjollës dhe Labinotit…