
“Në ajër ndihet erë vdekjeje”, kaos në Teheran, banorët përpiqen të largohen masivisht prej frikës nga bombardimet
“Kjo është një masakër. Shpërthimet nuk kanë ndalur. Fëmijët qajnë dhe kemi frikë se shumë civilë kanë humbur jetën. Në ajër ndihet erë vdekjeje”, kështu shprehet për The Guardian, një analiste 25 vjeçare iraniane.
Mësohet se të dielën, 15 qershor, banorët janë nisur nga Teherani drejt zonave rurale, ndërsa sulmet izraelite ndaj kryeqytetit iranian u përshkallëzuan, me bomba që binin mbi godina banimi dhe institucionale.
Bombardimet nisën herët të premten në mëngjes, kur Izraeli kreu qindra sulme në një operacion që e quajti të synuar për të parandaluar Iranin nga përdorimi i armëve bërthamore. Irani u përgjigj shpejt me një valë raketash balistike dhe ka vazhduar të godasë Izraelin, duke shkaktuar disa viktima, përfshirë tre fëmijë.
Ndërsa konflikti vazhdon të thellohet, autoritetet iraniane kanë njoftuar se do të hapin stacionet e metrosë dhe shkollat e Teheranit për t’i përdorur si strehimore.
“Fatkeqësisht, ne në Teheran dhe qytete të tjera nuk kemi strehimore të dedikuara,” tha Mehdi Chamran, kryetari i këshillit të qytetit, duke bërë thirrje që banorët të përdorin tunelet dhe bodrumet si strehë të përkohshme nga bombardimet.
Sulmit izraelit i kapi në befasi qytetarët dhe qeverinë iraniane, ndërsa avionët izraelitë fluturonin pothuajse pa pengesa mbi hapësirën ajrore iraniane.
“Nuk jemi të sigurt se xhamitë, shkollat apo stacionet e metrosë do të jenë të sigurta. Çfarë nëse mbetemi të varrosur nën rrënoja? Unë dhe motrat do t’u kërkojmë prindërve dhe fqinjëve të largohen nga shtëpia,” tha Nahid për The Guardian.
Në rrugët e Teheranit mbizotëron kaosi, teksa banorët vrapojnë për të blerë ushqime para se dyqanet të mbyllen, ndërsa bombardimet vijojnë.
“Njerëzit vrapojnë nëpër rrugë dhe bërtasin. Është jashtëzakonisht e rrezikshme të dalësh jashtë tani, por nuk kemi zgjidhje tjetër,” tregoi Reza, një student në Universitetin e Teheranit. 21-vjeçari shtoi se ka radhë të gjata në pikat e karburantit, ku ai dhe të tjerët mbushnin automjetet para se të largoheshin nga qyteti.
Ekspertët vlerësojnë se sulmi izraelit erdhi në një moment kritik për qeverinë iraniane, e cila është tronditur nga protestat në vitet e fundit dhe nga një krizë ekonomike e thelluar.
Çmimet e ushqimeve dhe mallrave të tjera janë rritur ndjeshëm vitin e fundit, ndërsa valuta iraniane ka humbur shumë nga vlera e saj. Pas rikthimit në detyrë në janar, ish-presidenti amerikan Trump nënshkroi një urdhër ekzekutiv që ashpërsoi sanksionet kundër Iranit, duke mbyllur eksportet e naftës.
