Në BE janë të shqetësuar për sigurinë, në Ballkan prioritet është mbijetesa

08 qershor 2025 | 11:50

Qytetarët e Bashkimit Evropian dhe të Ballkanit Perëndimor kanë prioritete dhe pikëpamje të ndryshme jetësore, tregon një anketë e Eurobarometrit, e kryer në pranverë të këtij viti.

Derisa ata të BE-së mbeten të përqendruar në çështje të sigurisë që lidhen me pushtimin rus të Ukrainës, në Ballkanin Perëndimor më të shqetësuar janë për rritjen e çmimeve të ushqimeve, krimin, korrupsionin dhe cilësinë e kujdesit shëndetësor.

Anketa shpërfaq, gjithashtu, dallime mes vendeve të Ballkanit Perëndimor, sidomos Serbisë dhe pjesës tjetër të rajonit, për sa i përket optimizmit, besimit në BE, mosbesimit në NATO dhe mbështetjes për anëtarësimin e mundshëm, shkruan “Radio Evropa e Lirë”.

Për tre vjet me radhë, më shumë se një e katërta e të anketuarve nga 27 vende pajtohen se lufta në Ukrainë përbën një kërcënim të drejtpërdrejtë për sigurinë e BE-së, ndërsa një e pesta i jep përparësi mbrojtjes dhe sigurisë.

Ballkani Perëndimor, në anën tjetër, përqendrohet te mbijetesa e përditshme.

Krahasuar me anketën e njëjtë të kryer në vjeshtë, Maqedonia e Veriut regjistroi rritjen më të madhe të shqetësimeve në lidhje me krimin, ndërsa Kosova regjistroi rritjen më të madhe të shqetësimeve në lidhje me rritjen e çmimeve.

Kosova dallohet krahasuar me pjesën tjetër të Ballkanit Perëndimor për optimizmin, ku 76 për qind e të anketuarve shprehen të kënaqur me tregun e punës.

Rreth 40 për qind e të anketuarve në vendet e tjera mendojnë se mundësia për të gjetur punë në vendin e tyre është e mirë, që është në përputhje me mesataren e Bashkimit Evropian.

Krahasuar me sondazhin e Eurobarometrit në vjeshtë, Shqipëria shënon rritjen më të madhe të optimizmit – për 17 për qind, ndërsa Bosnje dhe Hercegovina rritjen më të madhe të pesimizmit – për 6 për qind.

Sa i përket gjendjes së përgjithshme në vend, dy të tretat e të anketuarve në Serbi mendojnë se ajo është e keqe. Njëkohësisht, kjo është edhe rritja më e madhe e perceptimit negativ: 19 për qind.

Ndryshe nga të tjerët, 80 për qind e të anketuarve në Kosovë e kanë vlerësuar gjendjen në vendin e tyre si të mirë.

Pesimizmi për këtë çështje është rritur më së shumti në Serbi – për 19 për qind – krahasuar me tetorin e vitit 2024.

Shkrimi i plotë në linkun poshtë👇

https://www.evropaelire.org/a/ne-be-te-shqet%C3%ABsuar-per-sigurine-ne-ballkan-prioritet-mbijetesa/33435901.html

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nënkryetarja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj, ka…