“Në Bosnje dhe Hercegovinë është duke ndodhur një grusht shteti“ – Mbyllet qendra përkujtimore e Srebrenicës

07 mars 2025 | 19:54

Qendra Përkujtimore e Srebrenicës është mbyllur deri në njoftimin e dytë për shkak të pamundësisë për të ofruar garanci adekuate të sigurisë për punonjësit, bashkëpunëtorët, mysafirët dhe vizitorët, sipas deklaratës së tyre, raporton gazeta boshnjke “Detektor”.

Qendra Memoriale theksoi se siguria e të gjithë të përfshirëve duhet të jetë kryesore dhe se Qendra do të qëndrojë e mbyllur derisa situata të stabilizohet dhe të sigurohen garancitë adekuate. Deri atëherë, të gjithë punonjësit do të kryejnë detyrat e tyre duke punuar nga shtëpia, nëse është e mundur, për të ruajtur vazhdimësinë e operacioneve administrative dhe të tjera, theksojnë në njoftimin për media, duke shtuar se këtë vendim e kanë marrë “për shkak të grushtit të shtetit që po ndodh”.

“Në një kohë kur institucionet shtetërore po tërhiqen përballë elementëve rebelë në Banja Luka, nuk dua të rrezikoj askënd në Qendrën Përkujtimore apo institucionin. Nuk dua t’i ekspozoj nipërit dhe fëmijët e atyre që mbijetuan ose nuk mbijetuan në korrik 1995 ndaj mundësisë për t’u dëmtuar nga dikush i frymëzuar nga tërheqja e shtetit përballë rebelëve, njoftoi përmes rrjetit social “X” Emir Suljagiç, drejtor i Qendrës Memoriale.

Në deklaratën e Qendrës Përkujtimore, e publikuar në rrjetin social “X”, thuhet se ky organizim i punës do të jetë i përkohshëm, deri në plotësimin e kushteve për t’iu rikthyer aktiviteteve të rregullta dhe se aktivitetet që mund të zhvillohen në lokacione të tjera do të vazhdojnë, përfshirë konferencën e planifikuar për 11 mars në Sarajevë.

Një krizë politike ka shpërthyer në vend pasi gjykata shtetërore dënoi udhëheqësin politik serb të Bosnjës Milorad Dodik, duke e ndaluar atë potencialisht nga detyra si president i Republikës Srpska për gjashtë vjet.

Si përgjigje, Dodik premtoi se do t’i ndalojë gjykatës, prokurorisë, agjencisë shtetërore të policisë SIPA dhe agjencisë së inteligjencës boshnjake OSA të kenë ndonjë juridiksion në Republikën Srpska. Të premten, Dodik i kërkoi SIPA-s të largohej nga ndërtesat e saj në Banja Luka.

Vendet e BE-së e kanë dënuar ashpër qëndrimin e Dodik, duke e akuzuar për shkelje të rëndë të rendit kushtetues.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Largimi i papritur i Eglit nga shtëpia e "Big Brother…