Në Fakultetin Filozofik ka nisur projekti “Teach UP” i Erasmus CBHE

02 dhjetor 2025 | 13:33

Ka nisur në Fakultetin Filozofik projekti “Teach UP Transformative Education and Capacity building for Higher Education Professionals in Political and Social Sciences” i mbështetur nga Erasmus CBHE që synon përmirësimin e mësimdhënies dhe nxënies në fushat e shkencës politike, marrëdhënieve ndërkombëtare dhe të drejtave të njeriut në universitetet e Kosovës dhe Shqipërisë.

Gjatë fjalëve përshëndetëse u theksua se projekti “Teach UP” ka ambicie të qarta për transformimin e mësimdhënies, mënyrës së transmetimit të dijes dhe forcimin e partneriteteve e bashkëpunimeve ndërmjet universiteteve dhe me botën akademike ndërkombëtare.

Në ditën e lansimit u nënvizua se projekti është plotësisht në harmoni me vizionin e Universitetit të Prishtinës për transparencë, meritokraci dhe llogaridhënie, për sjelljen e profesorëve dhe studentëve ndërkombëtarë në UP dhe për dërgimin e stafit dhe studentëve të UP në institucione të njohura akademike në mbarë botën.

U përmend edhe projekti i qarkullimit të trurit, një ide e rektorit prof. Arben Hajrullahu me të cilin tashmë janë bashkuar me UP tre profesorë me integritet të lartë akademik dhe përvojë të madhe ndërkombëtare në universitete të njohura të globit. U vlerësua se tani është momenti i duhur që Fakulteti Filozofik dhe UP të ecin përpara drejt ndryshimeve të nevojshme dhe përshtatjes me tregun e punës që vazhdimisht po evoluon.

Një ndër pikat kryesore të projektit është mundësia e trajnimit të stafit akademik të UP në Universitetin e Shkencave të Aplikuara Saxion në Holandë dhe Universitetin Paris Lodron të Salzburgut që njihen për ekselencë, inovacion dhe kulturë të lartë akademike.

Fjalimet hapëse në lansimin e projektit i mbajtën prorektori për kërkime shkencore, projekte dhe inovacion prof. Avni Hajdari dhe dekani i Fakultetit Filozofik prof. Bekim Baliqi. Detajet dhe objektivat e projektit u prezantuan nga koordinatorja ass. Lirije Palushi.

Të martën në ditën e dytë të lansimit të projektit “Teach UP” do të diskutohet për afatet e realizimit, hapat e ardhshëm, arritjen e objektivave dhe do të nxirren përfundimet. Projekti ka partnerë Universitetin e Prishtinës, Universitetin e Shkencave të Aplikuara Saxion të Holandës, Universitetin Paris Lodron të Salzburgut, Kolegjin Universum, Universitetin Evropian të Tiranës, Universitetin e Nju Jorkut në Tiranë, Institutin për Studime Politike Ekonomike e Sociale (IEPSS) dhe Qendrën për Arsim dhe Zhvillim CED.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shkruan: Hisen Berisha (Heshtja institucionale është strategji. Sepse pranimi i…