
Në Festivalin e Filmit ‘Movie Day’ në Zvicër: Filmi ‘Ninullë’ i Adrian Asllanit fitoi çmimin filmi më i mirë
Më 22-23 mars 2024, u mbajt edicioni i 11-të i Festivalit të Filmit «Movie Day» në Romanshorn të Zvicrës.
Në këtë festival konkurrojnë dy kategori të realizuesve të rinj të filmit:
Në kategorinë A përfshihen filmat e krijuesve deri në moshën 16 vjeçe, ndërkaq në kategorinë B janë filmat e regjisorëve deri në moshën 25 vjeçe.
Në mesin e konkurruesve në kategorinë deri në moshën 25 vjeçe ishte edhe filmi «Ninullë» i Adrian Asllanit.
Gjatë ndarjes së çmimeve, anëtari i jurisë, Aaron Asteria, deklaroi: “Filmi ‘Ninullë’ ka ngjallur një debat të madh brenda jurisë, sepse është një film që ngërthen në vete pikëpamje nga balada e Goethes «Der Erlkönig» e deri te qasja e Frojdit për raportet prindër/fëmijë. Pas diskutimeve të shumta, juria, pa hezituar fare, vlerësoi se ky është filmi më i mirë”.
Vlen të përmendet se për filmin «Ninullë» ky është çmimi i pestë që e merr nga shtatë festivale ku është shfaqur deri tani.