Në frymë nuseje në Met Gala 2026 – Georgina Rodriguez magjeps me fustan akuamarin
Georgina Rodríguez tërhoqi vëmendjen në Met Gala 2026 me një paraqitje shumë të veçantë, duke u shfaqur me një fustan akuamarin/jeshil dhe me vell të gjatë, një look që u konsiderua si interpretimi i saj i kodit të veshjes “Fashion is Art”.
Kjo ishte hera e dytë që modelja dhe biznesmenja me origjinë argjentinase mori pjesë në eventin më prestigjioz të modës në New York.
Vitin e kaluar ajo debutoi me një fustan nga Vetements, me bisht të gjatë, një paraqitje më e thjeshtë por e sigurt; ndërsa këtë vit u duk më e çliruar dhe më e rehatshme me një krijim nga Ludovic de Saint Sernin.
Fustani i saj për Met Gala 2026 kishte vell prej rrjete, trëndafilash të qëndisura si dhe bisht.
Për ta kompletuar pamjen, Georgina mbante edhe rruza rreth krahut, ndërsa flokët i kishte të stiluar me onde të buta.
Një natë më parë, partnerja e Cristiano Ronaldos u pa në një festë në New York të organizuar nga Jeff Bezos dhe Lauren Sanchez, ku kishte zgjedhur një veshje më diskrete: fustan të zi, një xhaketë të shkurtër sateni dhe sandale me taka me rripa.
Raporti i Georginas me modën është bërë gjithnjë e më i afërt me kalimin e kohës, ndërsa së fundmi ajo është parë shpesh në javët e modës si e ftuar e markave si Gucci, Valentino dhe Coperni.





