Në gjyqin kundër UÇK-së: SHQIPTARI I LOPËS DHE MËZATIT NË GJYKATËN E HAGËS…
Luan RAMA
E kam parë dhe dëgjuar edhe unë. Dhe si unë, e keni parë dhe dëgjuar edhe shumë prej jush me siguri atë njeriun që fliste shqip m’u përpara Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimin në sallën e gjyqit në Gjykatën e Hagës.
Qurravitej, ankohej dhe akuzonte si qurrash se gjatë kohës së luftës së UÇK-së për çlirimin e Kosovës, një shqiptar tjetër, i kishte vjedhë lopën me gjithë mëzat!
Po, po, lopën dhe mëzatin!
Dhe për lopën dhe mëzatin e vjedhur, fajin e ka Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi. Fajin e ka UÇK. Fajin e ka edhe Adem Jashari me gjithë familjen e vrarë e djegur nga serbët në kullën e Prekazit! Fajin e kanë edhe mijëra shqiptarë të tjerë të vrarë e masakruar.
Ai, shqiptari i lopës dhe mëzatit ishte a është dëshmitar i akuzës. Domethënë dëshmitar i prokurorëve të zyrës speciale, i atyre që për Hashim Thaçin, Jakup Krasniqin, Kadri Veselin dhe Rexhep Selimin, kërkuan dënimin me nga 45 vjet burg për secilin.
Ai, shqiptari i lopës dhe mëzatit ishte a është dëshmitar i prokurorëve të zyrës speciale kundër dëshmitarëve të Hashim Thaçit dhe të të gjithë UÇK-së; kundër Gjeneralit Klark, kundër James Rubin, kundër ambasadorit Hill e gjithë ndërkombëtarëve të tjerë, kundër NATO-s!
Shqiptari i lopës dhe mëzatit, dhe si ai edhe nja njëqind a më shumë të tjerë që shkuan dëshmitarë të akuzës, edhe ata të lopës dhe mëzatit, janë në fakt jo vetëm fytyra e shqiptarëve që shkuan në Hagë për të akuzuar e vrarë UÇK-në, por edhe fytyra e të gjithë atyre shqiptarëve të tjerë të lopës dhe mëzatit, që mbllaçiten e vjellin ekraneve e studiove televizive në Prishtinë e Tiranë si jugosllavët e shekullit tonë, mbetur e mbajtur nga Serbia pikërisht për të bërë atë që regjimit i Millosheviqit nuk e bëri dot me luftë; burgosjen, dënimin dhe vrasjen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës!
Këta, shqiptarët e lopës dhe mëzatit, duan që gjakun e derdhur për lirinë e Kosovës ta zhbëjnë e zëvendësojnë me shurrën e lopës dhe mëzatit të tyre.
Sepse këtë e do edhe Serbia!
Këta, shqiptarët e lopës dhe mëzatit, duan që dëshmorët e UÇK-së që u flijuan për lirinë e Kosovës të nxirren nga varret dhe eshtrat e tyre të zëvendësohen me kockat e lopës dhe mëzatit të tyre.
Sepse, këtë e do edhe Serbia!
Këta, shqiptarët e lopës dhe mëzatit, duan që pranë varreve të dëshmorëve të lirisë të mos valvitet flamuri i kombit, por në vend të tij të vendoset lëkura e lopës dhe mëzatit të tyre.
Sepse këtë e do edhe Serbia!
Këta, shqiptarët e lopës dhe mëzatit, duan që të mos këndohet më “Marshi i UÇK-së” por në vend të tij këta jugosllavët e shekullit tonë që mbllaçiten e vjellin ekraneve e studiove televizive në Prishtinë e Tiranë, të pëllasin pëllitjet e lopës dhe mëzatit të tyre.
Sepse këtë e do edhe Serbia!
Shqiptari i lopës dhe mëzatit është në Gjykatën e Hagës. Kundër Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit. Edhe kundër UÇK-së!
Sepse këtë e do edhe Serbia!
Shqiptari i lopës dhe mëzatit është përnatë me zë e me figurë edhe nëpër ekrane televizioni e flet për krimet e luftës së UÇK-së e drejton gishtin kundër Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit.
Sepse këtë e do edhe Serbia!
Jo vetëm liria ka emër.
Edhe tradhtia ka emër!



