Në Hagë për të takuar burrat e mëdhenj të kombit e për t’u çmallur me ta

02 janar 2023 | 14:56

Shkruan: Kudusi Lama

(Vizita në Hagë u realizua më 7 deri 11 dhjetor 2022, së bashku me Nait Hasanin, Adem Rustemajn e Rexhep Gashin)

Në Hagë, para portës së vend ndalimit të luftëtarëve të lirisë së Kosovës

Me Nait Hasanin, Adem Rustemajn dhe Rexhep Gashin, në Hagë, para portës së vend ndalimit të luftëtarëve të lirisë së Kosovës.

U nisa të shkoj në Hagë për të parë luftëtarët në vijën e parë të frontit të luftës për çlirim përfundimtar nga vulgariteti mesjetar serb dhe mbështetësve të tyre europainë, të cilët me fuqinë e tyre i japin shpifjes vlerë ligjore dhe na detyrojnë të vijojmë luftën në një formë tjetër për të mbrojtur vlerat kombëtare.

U nisa me bindjen se këta burra që janë në atë vend të mbyllur nga forca e pa arsyeshme, janë në frontin më të vështirë për të mbrojtur vlerat kombëtare shqiptare përballë gjithë goditjeve që jep kundërshqiptarizmi.

U nisa se vërtetë jam i bindur në forcën e tyre, që mbi gjykimin politik që po u bëhet, do të arrijnë të nxjerrin në pah të drejtën dhe të vërtetën, për të cilën kanë shumë nevojë shqiptarët, të cilët duhet të orientohen qartë për këtë çështje.

Shkova në Hagë të shoh ata burra, që po e përfaqësojnë denjësisht Luftën që na solli lirinë dhe që do të na bëjnë përsëri krenar me forcën e tyre dhe qëndrueshmërinë e pathyeshmërinë, si dje në luftë.

Duke hyrë në ato mjedise të atij burgu të huaj, më shkoj mendja te Hasan Prishtina – burri më i madh i kohës së tij, vizionari, atdhetari, luftëtari, Komandanti Suprem i Kryengritjes së Përgjithshme për pavarësinë e Shqipërisë. I cili nuk di për çfarë interesash, nuk di nga kush e me urdhër të kujt, ditën e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, kur bashkëveprimtari i tij Ismail Qemali me bashkëveprimtarë të tjerë, ngritëte Flamurin e Kombit në Vlorë, më 28 nëntor 1912, do ta vendosnin Hasan Prishtinën në foltoren e parlamentit osman në Stamboll, duke mbajtur fjalim për perandorinë.

Dhe për këtë, prej vitit 1933 kur u vra pabesisht nga një shqiptar në Selanik, deri në vitin 1963 Hasan Prishtina do të ishte një tradhtar dhe armik i popullit e kombit shqiptar. Kur në fakt Hasan Prishtina më 28 nëntor 1912, së bashku me Idriz Seferin, Bajram Currin e të tjerë, ishte i burgosur në burgun e Beogradit, nuk dihet me urdhër të kujt e për interesat e kujt, veç i burgosur arbitrarisht, sepse nuk duhet të ishte në rrjedhat e veprimtarisë historike të kombit të tij.

Dhe u deshën 30 vjet për ta sqaruar këtë të vërtetë, thjeshtë se fjalimin në parlamentin osman Hasan Prishtina e kishte mbajtur në 28 nëntor të vitit 1911 e jo më 28 nëntor të vitit 1912. E vogël kjo ngatërresë, por dikujt i vlejti, për ta lënë Hasan Prishtinën jashtë rrjedhës së krijimit të pavarësisë së Shqipërisë dhe 30 vjet në armiqësi me kombin e tij që i shërbej si askush tjetër.

Kjo ndodhi më ishte në mendje në ato momente kur bëja hapat e parë për të vajtur pranë atyre burrave të mbyllur në atë kullë të izolimit, që nuk e kanë merituar. Por ndoshta u përsëritka historia, atdhetarët e spikatur që mbajnë pesha të mëdha u dashka të mbahen në izolim në burgun e Beogradit (Hagës), nuk e di deri kur të rregullohen interesat e kujt a të dikujt.

Pata fatin e madh në këtë vizitë, që të takoj të gjithë çlirimtarët që na i kanë marrë peng, si Presidentin e Kosovës Hashim Thaçi, Kryetarët e Parlamentit të Kosovës Jakup Krasniqi e Kadri Veseli, deputetin Rexhep Selimi, udhëheqësit e Organizatës së Veteranëve të Luftës Çlirimtare të Kosovës Hysni Gucati e Nasim Haradinaj, si dhe çlirimtarët e tjerë Sali Mustafa (Cali) e Pjetër Shala.

I pashë ata si dje në luftë, të kthjelltë, të fortë, të qëndrueshëm, të qartë, të sigurt, në lartësinë e detyrës e të përgjegjësive që kanë për të mbrojtur pastërtinë e veprës më të lavdishme të shqiptarëve në kohën moderne, të Luftës Çlirimtare të Kosovës.

I pashë ata të vendosur për ta vazhduar luftën deri në fitore, si dje përballë forcave ushtarake, policore e kriminale serbe të Sllobodan Milosheviçit, ashtu sot përballë shpifjeve dhe llumit të serbëve e Serbisë dhe gjithë strukturave shtetërore serbe të Aleksandër Vuçiçit.

I pashë ata unik, me mendime të qarta dhe me besim të palëkundur në njëri tjetrin, ashtu si luftëtarët në llogoret e frontit të luftës që ia besojnë shpinën njëri tjetrit për të goditur sa më fort armikun përballë.

I pashë ata të bindur, jo thjeshtë në pafajësinë e tyre personale, pasi dihet se nuk i kanë kujt asnjë borxh dhe nuk e fshehin fytyrën para askujt, por në drejtësinë dhe pastërtinë e Luftës së Lavdishme Çlirimtare të Kosovës dhe të ushtrisë që e barti atë luftë.

I pashë ata të bindur se do të kthehen në atdhe me fitore edhe prej këtij fronti të vështirë të kësaj lufte të pa pastër, ashtu siç ishte e pa pastër burgosja e Hasan Prishtinës me bashkëluftëtarë në vitin 1912 në Beograd.

I pashë ata dhe u ndjeva shumë i vogël përballë atyre burrave që janë marrë nën akuzë e janë burgosur pikërisht për atë që e kanë bërë shumë mirë për kombin dhe atdheun e tyre. U ndjeva shumë i pa fuqishëm, sepse do të dëshiroja të ishin në Kosovë, sepse atdheu dhe kombi ka akoma shumë nevojë për ta e ata kanë shumë mundësi e fuqi të japin shumë nga vetja për interesat e kombit e të atdheut.

I pashë ata, por i lashë përsëri atje, që ta vazhdojnë luftën, sepse ndoshta paskemi pasur nevojë kombëtarisht ta zhvillojmë edhe këtë lloj lufte, duke kërkuar prej çdo shqiptari që të vendosemi në një front të përbashkët për t’i mbështetur me të gjitha forcat ata burra, me bindjen se do të kthehen shumë shpejt me fitore, në qoftë se ekziston e drejta dhe drejtësia në këtë botë.

Jam i bindur se do t’i shoh shumë shpejt në atdhe. Sepse ata janë figura e personalitete me të cilat atdheu e kombi do të mburret përjetësisht. Ata e kanë firmosur pavdekësinë e tyre.

Mjerë për ata shqiptarë që janë bërë dëshmitarë të rrejshëm e të fshehtë kundër tyre, të cilët e kanë humbur vetveten. Ata nuk e kuptojnë që nuk e kanë armikun te burrat e mëdhenj të kombit të cilët i akuzojnë, por e kanë armik vetveten. Sepse ata burra do të kthehen në atdhe krenar pasi të përfundojnë përleshjen me këtë armik të fshehtë. Por ata të mjerë nuk do të kthehen asnjëherë se prej këtej nuk do të kenë më identitetin e tyre, por do të marrin atë identitet që do t’i mbajë të fshehtë nga vetvetja. Mjerë ata të mjerët.

Duke mbërritur në Hagë, para portës së vend ndalimit të luftëtarëve të lirisë së Kosovës.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Katër persona kanë vdekur pasi dy helikopterë janë përplasur me…