Në këta numra mund t’i raportoni parregullsitë në lidhje me zgjedhjet

07 qershor 2026 | 08:17

Policia e Kosovës ka njoftuar se, në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe kompetencat e saj institucionale, ka përgatitur urdhrin operativ dhe ka kryer të gjitha planifikimet e nevojshme për garantimin e sigurisë gjatë zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të cilat mbahen sot, më 7 qershor 2026.

Sipas njoftimit, përmes këtij urdhri operativ do të angazhohet një numër i konsiderueshëm i zyrtarëve policorë, kryesisht nga fusha e rendit publik, ndërsa sipas nevojës do të përfshihen edhe pjesëtarë të njësive të tjera të Policisë së Kosovës. Në dispozicion do të vihen gjithashtu pajisjet e nevojshme logjistike, me qëllim të sigurimit të mbarëvajtjes së procesit zgjedhor dhe ruajtjes së rendit e sigurisë.

Plani operacional është i ndarë në katër faza kryesore:

Periudha përgatitore dhe vlerësuese para zgjedhjeve;

Ofrimi i sigurisë gjatë fushatës zgjedhore;

Garantimi i sigurisë në ditën e zgjedhjeve;

Periudha paszgjedhore, e cila përfshin transportimin dhe sigurimin e materialit sensitiv zgjedhor deri në përfundimin e procesit.

Policia bën me dije se faza e parë tashmë është përmbyllur, ndërsa aktualisht po zbatohet faza e dytë, që ka të bëjë me sigurinë gjatë fushatës zgjedhore. Pas saj do të vijojnë fazat e tjera sipas planifikimit të paraparë.

Objektivat kryesore të urdhrit operativ janë krijimi i një ambienti të qetë dhe të sigurt për qytetarët, ruajtja e rendit dhe sigurisë publike para, gjatë dhe pas zgjedhjeve, mbrojtja e qendrave të votimit, depove komunale dhe qendrave të numërimit, si dhe sigurimi dhe transportimi i materialit zgjedhor në të gjitha fazat e procesit.

Po ashtu, Policia do të trajtojë dhe procedojë çdo rast që cenon të drejtën e votës ose procesin zgjedhor, duke bashkëpunuar ngushtë me Prokurorinë e Shtetit në përputhje me ligjin dhe marrëveshjet institucionale.

Në kuadër të memorandumit të bashkëpunimit ndërmjet KQZ-së, Policisë së Kosovës, Prokurorisë së Shtetit dhe Këshillit Gjyqësor të Kosovës, janë caktuar hetues dhe zyrtarë përgjegjës në drejtoritë rajonale për trajtimin e rasteve që mund të lidhen me zgjedhjet. Gjithashtu, janë emëruar koordinatorë për bashkëpunim me KQZ-në dhe janë dhënë udhëzime të detajuara për detyrat dhe përgjegjësitë e zyrtarëve policorë gjatë procesit zgjedhor.

Policia e Kosovës u ka bërë thirrje qytetarëve që të bashkëpunojnë me institucionet kompetente dhe të raportojnë çdo parregullsi apo veprim të kundërligjshëm që lidhet me sigurinë dhe procesin zgjedhor.

Qytetarët mund të raportojnë rastet përmes numrit 192 ose 038 550 999, në adresën elektronike [email protected], si dhe në stacionin më të afërt policor.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ukraina nisi një sulm me dron pranë Shën Petersburgut gjatë…