Në Klinikën e Onkologjisë fillon puna me aparatin e ri për radioterapi

22 korrik 2021 | 15:16

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka vizituar të enjten Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, me ç’rast bashkë me Agreta Gashi, kryesuese e bordit drejtues të ShSKUK-së dhe Valbon Krasniqi, drejtor i ShSKUK-së, kanë përuruar aparatin i ri për radioterapi (rrezatim) dhe hapësirën shoqëruese komode për pacientët.

Ky investim nga ShSKUK-ja ka vlerë 1.5 milion euro.

Me këtë rast, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka thënë se Ministria e Shëndetësisë ka në prioritet e saj investimet në Klinikën e Onkologjisë, përfshirë aparaturat mjekësore, furnizimin me barna dhe citostatikë.

Po ashtu, Vitia si shumë të rëndësishëm i cilësoi edukimet e vazhdueshme profesionale të stafit shëndetësorë të Klinikës së Onkologjisë.

Drejtori i përgjithshëm i ShSKUK-së, Valbon Krasniqi, ka thënë se ky investim ka qenë shumë i nevojshëm, në mënyrë që listat e pritjes për radioterapi të eliminohen deri në muajin shtator, ngase deri tani është punuar me vetëm një aparat për rrezatim.

Ai ka theksuar se investimet në këtë klinikë do të vazhdojnë edhe në të ardhmen, me qëllim të ofrimit të shërbimeve sa më cilësore për pacientët që kërkojnë shërbime në këtë klinikë.

Drejtori i Klinikës së Onkologjisë, Ilir Kurtishi, ka pohuar se pas këtij investimi, pacientët do të kenë mundësi që shërbimet në radioterapi t’i kryejnë në kohë më të shpejtë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministria e Shëndetësisë (MSh) ka njoftuar se në Kosovë janë…