
Në Klinikën Infektive janë të hospitalizuar 101 raste me Covid-19
Në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës sot janë të hospitalizuar 101 raste.
“Sot, nga klinika do të lirohen 16 raste, 13 raste Covid-19 pozitiv në gjendje stabile në vetizolim në shtëpi si dhe tre të shëruar nga infeksioni me Covid-19. 44 raste janë duke u trajtuar në reparte me oksigjenoterapi dhe përkujdesje intensive”, është bërë me dije në njoftimin e QKUK-së.
Sipas këtij njoftimi, në repartin e Mjekimit Intensiv janë duke u trajtuar pesë raste, dy raste janë në gjendje të rëndë duke u trajtuar me oksigjenoterapi dhe përkujdesje intensive, si dhe tri raste janë në gjendje kritike me frymëmarrje të asistuar me respiratorë.
“Dje, në Klinikën Infektive ka ndërruar jetë pacientja H.B. 1958 nga komuna e Prizrenit dhe sot në orët e mëngjesit ka ndërruar jetë pacienti A.M. 1964 nga komuna e Rahovecit, të cilët veç infeksionit me Covid-19 kishin edhe sëmundje shoqëruese. Po ashtu, sot në orën 10:30, ka vdekur pacienti me inicialet H.K, viti i lindjes 1959 nga Prizreni, i cili është pranuar në Njësinë Intensive në Qendrën e Mjekësisë Sportive (NjIQMS) me datë 23.06.2020, si transfer nga Klinika e Pulmologjisë, i konfirmuar me strisho pozitive për Covid-19”, është theksuar në njoftimin e QKUK-së.
(Q.R / Epoka e re)