BLLACA ‘99

26 janar 2026 | 12:05

 NË KOHË LUFTE DHE NË KOHË PAQEJE

Shkruan: Fatmir KRASNIQI

Vitet 1998-1999 përbëjnë një nga periudhat më të veçanta për historinë më të re të Kosovës, ngase ngjau çlirimi i saj nga pushtimi shekullor serb.
Pas Luftës heroike të Prekazit e Masakrës së Drenicës, UÇK-ja (Ushtria e Lavdishme dhe e Pathyeshme Çlirimtare e Kosovës) zhvillonte luftë frontale për jetë a vdekje kundër forcave pushtuese të Serbisë. UÇK-ja është vepër epokale e popullit shqiptar të Kosovës, që lindi në zjarrin e luftës së tij për mbrojtjen e jetës, të lirisë dhe të drejtave njerëzore e kombëtare nga shtypja, sundimi e regjimi i egër serb.

Gjatë muajit mars 1998, në shtëpinë time, ku banoja në Lagjen e Spitalit në Prishtinë, tani e njohur si Rruga “Muharrem Fejza”, erdhën për të biseduar Afrimi, djali i axhës tim, së bashku me Kadri Krasniqin, kontribuues për UÇK-në, që ishin të angazhuar rreth logjistikës për Zonën Operative të Pashtrikut, Njësiti “Çeliku”, që vepronte në Kleçkë e në Malet e njohura të Berishës, rreth mundësisë që në shtëpinë time njëkatëshe të kenë të siguruar një Pikë logjistike. Dëshira për të kontribuar e mbështetur UÇK-në, ish-nxënësit e mi trima e luftëtarë të dalluar e sypatrembur, si dhe bashkëvendësit e mi të dashur, ishte e madhe. Në oborr vinin kamioneta që zbarkonin e grumbullonin gjëra ushqimore e veshmbathje për t’i shpërndarë e dërguar në Malet e Berishës.

Shpesh ndodhte që djali i axhës, Bajrami, avokat i njohur, atdhetar, veprimtar i palodhshëm e guximtar së bashku me Sylejman Ahmetin, po ashtu një atdhetar e veprimtar i shquar, vinin me veturë dhe ngarkonin materiale të nevojshme për luftë e niseshin drejt Berishës me shumë rreziqe, flijime e të papritura. Nganjëherë më merrnin edhe mua në Tërpezë, si dhe djalin tim Nolin, që ishte në klasën e parë në Shkollën fillore “Hasan Prishtina”, në Prishtinë. Nolit iu pat ngulitur një kujtim i paharruar, kur me një rast, duke shkuar për në Berishë, disa ushtarë i dhanë dredhëza. Ai, kur shkoi në shkollë, nga gëzimi e me shumë emocione, i thotë mësueses se UÇK-ja i kishin dhënë dredhëza. Në të njëjtën kohë ngritët në këmbë shoku i tij klasës, Galdimi, duke iu drejtuar mësueses Antigonë: “Edhe babai im është në UÇK…!” (është fjala për Ramë Bujën). Mësuesja me shumë vëmendje i dëgjon e me shumë kujdes i tejkalon emocionet e rrëfimet e Nolit e të Galdimit. Kur dihej se, në atë kohë ende kishte mëdyshje tek disa individë në Prishtinë, se ka apo nuk ka UÇK?!

Dihej publikisht se Malisheva ishte Zonë e Lirë, e vetmja në Kosovë, në muajt maj-korrik 1998. Malisheva ishte dhe është zemra e Kosovës, ku Ushtria Çlirimtare e Kosovës arriti ta çlironte Malishevën gjatë këtyre muajve. Shpeshherë fqinjët ishin shumë kureshtarë dhe i pyesnin fëmijët e mi: Albulenën, Tringën e Nolin se përse po vinin këto kamioneta në oborrin tuaj?!… Fëmijëve u pata thënë se Afrimi, pra djali i axhës tim, e ka një shitore në Malishevë. Dhe, fëmijët sa herë që i pyesnin ua kthenin këtë përgjigje. Përveç Naimes, bashkëshortes sime, si dhe motrës së saj, Bahries dhe Mustafës – bashkëshortit a mjeshtakut tim, që i kishim shtëpitë në një oborr të përbashkët, askush tjetër nuk e dinte se në shtëpinë tonë ishte Pika logjistike e UÇK-së.

I mbijetuari i luftës – “Terroristi i vogël”

Tërpeza e Malishevës ishte bërë fortifikatë dhe qendër e rezistencës ndaj forcave policore, ushtarake e paraushtarake, dhe në pamundësi për të depërtuar në Malet e Berishës, ku edhe kryekrimineli Sheshel ëndërronte e shpresonte se aty do të pinte kafe, por që nuk iu realizua e as nuk iu mundësua, ngase aty qëndronin ushtarët trima, duke rezistuar e qëndruar të pamposhtur e duke luftuar ballë për ballë me forcat serbe. Forcat serbe ishin përqendruar e pozicionuar në Smanicë të Tërpezës, ku të tmerruar kishin filluar me granatime të ashpra e të shtëna nga të gjitha anët.

Granatimet kishin filluar, më 19.4.1998, rreth orës17:15 e që kishin vazhduar gjatë tërë natës, ku ishin dëgjuar të shtëna nga armë të ndryshme.
Cak i granatimeve në fshatin Tërpezë, nuk ishin vetëm shtëpitë, por edhe Shkolla fillore “Hasan Prishtina”, ambulanca dhe tendat plastmase në të cilat ishte strehuar një pjesë e madhe e popullsisë edhe nga fshatra të tjera.

Aty gjatë këtyre granatimeve u plagosën nënë e bir, Shpresa Krasniqi dhe djali i saj, Albioni, gjashtëmuajsh. Pikërisht në ditën kur u plagos Albioni, ai kishte mbushur gjashtë muaj jetë. Albioni u lind, më 19.4.1998 dhe u plagos, më 19.10.1998. Shpresa, me shumë emocione e ndjenja të përziera, tregon për ngjarjen e rëndë, që veç fati i ka shpëtuar, se ka mundur të shndërrohej në tragjedi të paparë.

Shpërthimi i granatave ishte i tmerrshëm, saqë para nesh lopët e Ahmet Imerit, u qëlluan duke rënë përtoke.
Për fatin e tij, për pak nga granatimi kishte shpëtuar Hamit Dobruna, mik i familjes sonë, profesor i shquar, veprimtar i dalluar, i përndjekur dhe i burgosur politik, tani i ndjerë që kishte qëlluar afër tyre.

Shpresa, në ato çaste, kishte menduar si ta mbronte e shpëtonte Albionin, duke mbuluar me tërë trupin e saj si mburojë, ku dorën e gishtin e saj e kishte goditur një cifël e shpërndarë e granatës, ku papritmas kishte ndjerë një therje e dhimbje të papërballueshme, por që mendjen e kishte vetëm te djali i saj i shtrenjtë gjashtëmuajsh, se si ta mbronte e shpëtonte, duke treguar heroizëm të paparë. Megjithatë, përkundër përpjekjeve të saj mbinjerëzore, e njëjta cifël kishte depërtuar dhe e kishte qëlluar Albionin në pjesën e prapme të kraharorit. Kjo cifël granate edhe tashmë qëndron në trupin e Albionit 27 vjeçar, si dëshmi e luftës, por që nuk paraqet rrezik, i kanë thënë mjekët. Albioni, megjithatë, ka shëndet të plotë. Ai është shumë i dashur e simpatik.

Në ditën kur u plagosën, ai së bashku me nënë Shpresën, ishin në gjendje shumë të rëndë, ndërkohë që nuk iu kishte lejuar dërgimi i tyre në spital. Për këtë ngjarje të rëndë kishte njoftuar edhe Radio “Dojçe Vele”.

Vendi ku ishin plagosur njihej si Rrëza e Mullinit, luginë e bukur me një përrua që rrjedh nga një krua, rrëzë rrënjëve të një ahu, i njohur si Vrella e Tërpezës. Në këtë luginë, të rrethuar me lisa ahu, ishin strehuar banorët e Tërpezës dhe shumë fshatrave të tjerë.

Gjendja shëndetësore e Albionit po përkeqësohej, ngase gjakderdhja nuk po i ndalej, rrëfen Shpresa.- Edhe, unë kisha gjakderdhje, por shqetësimin, brengën e mendjen e kisha tek djali.

Shaip Dobruna, që ishte i strehuar në Tërpezë, ua kishte ofruar veturën, ku Tomorri – nipi i tij së bashku me Jetishin, axhën e Albionit, Baliun, babain e të plagosurit, Shpresën e Albionin, ishin nisur me shpejtësi, nën breshërinë e të shtënave drejt Fshatit të Ri, ku ishte ambulanca.
Aty iu kishte dhënë ndihma e parë, por gjakderdhja Albionit nuk i ndalej. Me të njëjtën veturë, por drejtues ishte një nip Tërpeze, djali i Sabrijes, nga Çikatova, Shemi.

Ata ishin nisur drejt fshatit Shalë, ku ishte Spitali Ushtarak. Doktor Fitimi kishte bërë të pamundurën për ta mjekuar, por që Albioni kishte nevojë për serum. Një shofer autobusi nga Shala kishte shkuar në Prishtinë, duke ia siguruar e sjell serumin në Shalë, e që atë natë kishin bërë konak te një familje shumë bujare, te Sanija, vajza e dajës Selman Gashi, nga Nekoci, që ishte e martuar në Shalë.

Shpresa, falënderon me mirënjohje më të thellë këtë familje për të gjitha! Të nesërmen ishin nisur me autobus, që bartte vetëm gra për në Prishtinë. Në autobus ishte edhe Kushtrim Berisha, nga Prishtina, që kthehej nga Berisha, ku kishte qëndruar e kontribuar si ushtar e përkthyes në Malet e Berishës, e në Shtabin e Kleçkës.

Kushtrimi i kishte thënë Shpresës të mos shqetësohej se sapo të mbërrinin në Prishtinë, po i priste nëna e tij.
Për befasi, me nënën e Kushtrimit, Sheribanen, punonim së bashku në Shkollën fillore “Elena Gjika”. Kushtrimi është djali i profesorit të shquar të historisë, Sahit Berishës, të burgosurit politik e veprimtar i dalluar.

Me të mbërrirë në Prishtinë, Shpresa u drejtohet Sheribanes e Kushtrimit: “Mua më duhet për të shkuar në Lagjen e Spitalit, se aty e ka shtëpinë kushëriri i burrit, Fatmir Krasniqi, është arsimtar!”. Sheribanja i drejtohet Shpresës: “Mos u shqetëso, se me Fatmirin punojmë bashkë dhe deri në shtëpinë e tij të dërgojmë ne!”. Dhe, me të mbërritur në shtëpinë tonë, u del përpara Naimja, bashkëshortja ime, që me profesion është infermiere, e cila deri në pension ka punuar në Klinikën e ORL-së, në Prishtinë. Ajo i pret me përzemërsi.

Shpresa, ende pa hyrë brenda, e njofton Naimen se Albioni është i plagosur, e po ashtu e plagosur ishte edhe ajo. Naimja, menjëherë intervenon në pastrimin e plagëve, por që gjakderdhja Albionit nuk po i ndalej. Pasi u ktheva nga shkolla, mbeta i shtangur kur pashë Albionin, të plagosur, por edhe Shpresën me plagë në duar. Menjëherë iu drejtova Mustafës, mjeshtakut (baxhanakut), që me veturën e tij të na dërgojë në Ambulancën “Nënë Tereza”, në Kodrën e Trimave.
Mjeku, siç dukej e kishte paksa të paqartë se ku ta dërgonim?!… Dihet, se në atë kohë spitalet dhe shtëpitë e shëndetit administroheshin nën masa të dhunshme.

Vendosëm t’u drejtohemi urologëve të shquar Dr. Lutfi Dërvishit e Dr. Tunë Pervorfit, që punonin në një ambulancë private në “Dardani”. Ata na pritën shumë mirë, edhe pse plagët e Albionit, rasti i tij, nuk kishte të bënte me fushën e tyre të ngushtë të mjekësisë.

Megjithatë, të dy mjekët e kontrolluan me shumë kujdes Albionin, ku na udhëzuan për një rëntgen, që gjendej afër tyre. Dhe, pas shikimit, mjekët konstatuan se një cifël e granatës ishte në pjesën e prapme të kraharorit të Albionit. Në fakt, ata gjatë kontrollimit, veç e vërejtën dhe dyshuan për një mjet shpërthyes në trupin e vogëlushit.

Na thanë e na udhëzuan se përkundër gjendjes së krijuar në spitalin shtetëror, sa më urgjentisht ta dërgonim në Klinikën Torakale. Pas shumë përpjekjesh e mundimesh arritëm që Albionin ta kontrollonim në Klinikën Torakale. Sinqerisht e me shumë përgjegjësi e them se atje nuk u trajtua siç duhej një foshnjë gjashtëmuajshe?!

Jo që nuk e pati përkujdesjen e trajtimin të duhur human, por Albioni, nga personeli serb i Klinikës Torakale e mori epitetin a nofkën e parë “Terroristi i vogël”, edhe pse ishte foshnjë gjashtëmuajshe?! “Terroristi i vogël”, ishte nga fshati Tërpezë e Malishevës, që nga serbët konsiderohej Zonë e luftës dhe shumë e rrezikshme.

Nga Klinika u larguam, unë së bashku me Shpresën, ku e bartnim Albionin në qafë e mbi supe, kur e dërguam disa herë për kontrollë mjekësore te mjeku i njohur për fëmijë Dr. Fazli Mekuli, që ordinancën e kishte afër Shkollës fillore “Gjergj Fishta” në Prishtinë. Me të parë gjendjen e Albionit që po i përkeqësohej, ngase nuk kishte shenja përmirësimi, Dr. Mekuli na këshilloi e na udhëzoi që të angazhohemi për t`i siguruar sasi gjaku, në të kundërtën gjendja shëndetësore e tij mund të rrezikohej, pasi që kishte humbur shumë gjak…

Naimja, meqë punonte në spital, shkon dhe bisedon me Dr. Remzije Kocin, pediatre, në Spitalin Pedriatik të Fëmijëve, duke e njoftuar për rastin dhe gjendjen e rëndë shëndetësore të Albionit.

Ajo i thotë Naimes: “Po rrezikojmë dhe po e pranojmë, ku do ta trajtojmë me një “diagnozë tjetër”, për të mos e kuptuar personeli serb i klinikës se Albioni është i plagosur!”.
Beteja tjetër ishte se si t`i sigurohej sasia e gjakut. Së bashku me Naimen, biseduam me fqinjin tonë, Haki Buçanin, teknik laborant i njohur, duke e njoftuar në hollësi për rastin.

Hakiu, me përkushtimin dhe humanizmin e paparë, u zotua se sasinë e gjakut do ta siguronte dhe se do t’ua sjellte në pediatri, ku ishte i shtrirë Albioni. Hakiu bisedon me Dr. Bukurije, që punonte në Transfuzion të Gjakut, ku këta të dy së bashku me Naimen dhe personelin tjetër të transfuzionit, nuk u frikësuan dhe urgjentisht siguruan gjakun dhe e dërguan në Pediatri për foshnjën gjashtëmuajshe. Kështu Albionin e plagosur gjatë luftës e shpëtuan!

Falënderim me mirënjohje më të thellë për: Dr. Remzijen, Hakiun, Dr. Bukurijen si dhe për personelin tjetër shqiptar të spitalit të fëmijëve! – shprehin familjarët e Albionit.

Albioni, i mbijetuari i luftës, tani është me shëndet të plotë dhe i fortë si çeliku, i dashur dhe shumë i respektuar.
Gjatë asaj kohe, derisa ishte duke u mjekuar Albioni, në shtëpinë tonë qëndruan: dada Nurije, gjyshja e Albionit, së bashku me mbesat e saj, motrat Valentina e Dafina, vajzat e Fadilit, axhës së Albionit.

Gjatë kohës sa qëndruan ata në shtëpinë time, erdhi gazetari i shquar i “Dojçe Veles”, Agim Zogaj, tani profesor e publicist i njohur dhe i dalluar, i cili e realizoi një intervistë me Shpresën, nënën e Albionit.

Për ushtarët e UÇK-së dhe popullsinë civile gatuheshin edhe nga 100 bukë në ditë

Shpresa na tregonte se si gjatë kohës së luftës, ajo së bashku me bashkëshortin Baliun si dhe kunatat Zejnijen e Mihrijen, gatuanin deri 100 bukë në ditë dhe nga pesë – gjashtë pite për ushtarët e popullsinë civile, që ishin zhvendosur në malet e Tërpezës.

Popullata ishin të kërcënuar, të larguar dhe zhvendosur nga një lagje në një lagje tjetër të Prishtinës dhe së fundi edhe të dëbuar për në Bllacë.
Gjatë marsit të vitit 1999, forcat policore serbe u pozicionuan në kulmin e ndërtesës së Arkivit të Kosovës, duke vëzhguar me çdo kujdes çdo lëvizje të banorëve të kësaj lagjeje, si dhe qytetarët tjerë.

Po ashtu, forcat serbe kishin ngritur edhe barrikada pranë shtëpive të Lagjes së Universitetit, që ishin përballë shtëpive tona (shtëpia ime, e Mustafës dhe e Elmi Mustafës) që na ndanin nga policia e ushtria vetëm disa troje pa shtëpi dhe rruga.

Çdo çast a moment ne ishim të rrezikuar dhe nuk dinim si të vepronim. Madje, në shtëpinë time ishte edhe Pika logjistike, gjë që rreziku ishte edhe më i madh.
Disa herë ishim të detyruar e të kërcënuar që të zhvendoseshim nga një lagje në lagjen tjetër, herë në “Ulpianë”, tek daja i bashkëshortes, Ramiz Bytyçi, herë në “Tophane” tek motra Bahtije e dhëndri i ndjerë Rrahim Gërdovci dhe herë në “Breg të Diellit”, në banesën e Sami Berishës, profesor e humanist i shquar, tani i ndjerë.

Një ditë, duke u kthyer nga “Ulpiana”, afër fushës së sportit te Shkolla fillore “Hasan Prishtina”, unë dorë për dore me Albulenën e Tringën dhe Naimja me Nolin, papritmas dhe befasisht, para nesh dolën nga vetura e tyre, ngjyrë të kuqe e tipit të vjetër “Lada”, pjesëtarë të uniformuar si policë, të cilët na urdhëruan që të ndalemi, duke na i kërkuar letërnjoftimet.

Pasi që na i shikuan, iu drejtuan Naimes: “Ti ndalu, ngase vendlindja jote, Llapushniku, është zonë e luftës! Çfarë po kërkon ti këtu?!”.
Naimja, u shqetësua aq shumë saqë nuk mund të fliste dhe t`ua kthente përgjigjen. Nuk e di as vetë, se si në ato çaste tmerruese dhe me shumë qetësi iu drejtova që të shikojnë mirë letërnjoftimin dhe adresën e vendbanimit, duke u thënë se Naimja vetëm ka lindur në Llapushnik, dhe se si fëmijë ka jetuar me familjen e saj në Prizren.

Ne, tashmë, jemi të martuar, punojmë e jetojmë në Prishtinë, në Lagjen e Spitalit. Është infermiere e punon në spital, dhe se tani është duke shkuar në punë.
Pas një situate shumë të tensionuar, na thanë: “Shkoni e mos t`ju shohim më!”
Kur mbërrimë në shtëpi, rrugës ishte atmosferë e zymtë dhe tejet e rëndë, nga njerëz të hutuar e shumë të frikësuar dhe të pashpresë, të cilët nuk dinin si të vepronin e ku të shkonin. Gjatë një pasditeje, një kalimtar rasti i moshuar, që shkonte në drejtim të “Bregut të Diellit”, afër truallit të Çerkinit, e shumë afër shtëpive tona, forcat serbe e qëlluan me breshëri plumbash, e vranë!

I vrari, kuptuam më vonë, ishte babai i fqinjit të lagjes, Jakup Shaqirit, që quhej Bajram Shaqiri. Trupi i të ndjerit qëndroi, po aty ku u vra, tërë natën deri në orët e hershme të mëngjesit. Gjatë asaj kohe plumbat kanë goditur edhe shtëpinë e Mustafës, por ne nuk u tregonim fëmijëve, se edhe ashtu ata ishin shumë të frikësuar e të shqetësuar. Nga dritarja e shtëpisë sonë e kishin parë trupin e vrarë të të ndjerit. Tringa, vajza ime, në Kampin e Stankovecit këtë ngjarje tmerruese, e vrasjen e kalimtarit të rastit, njeriut të pafajshëm, e pati vizatuar – pikturuar.

Të hënën, 29 mars 1999 – një lumë njerëzish dëboheshin nga Prishtina

Ishim të lodhur e dërrmuar fizikisht, të thyer shpirtërisht e emocionalisht, të pambrojtur e të kërcënuar, të shtrënguar e të detyruar, dhunshëm të dëbuar të lëviznim e të ndërronim lagjet, ku mendonim se janë “më të sigurta”. Prishtinën, atë ditë e kishin mbuluar re të zeza. Rrugët e Prishtinës ishin shndërruar si lumenj të mbushur me njerëz, që niseshin nga të gjitha anët drejt stacionit hekurudhor, ku ishte shpresa e vetme e cakut për t`u larguar si të dëbuar, e pa e ditur se ku do të shkonin dhe se a do të mbërrinim?!…

Edhe ne u nisëm në drejtim të stacionit hekurudhor, drejt “Bregut të Diellit”, por që nuk ishim të sigurt se a do të mund të mbërrinim?!…
Duke kaluar afër ambulancës, nga lart dëgjuam disa zëra, duke thirrur nga ballkoni i banesës, emrin tim!

Ngrita kokën lart dhe i befasuar e shumë i emocionuar pashë Lutën e Miradijen, duke na e bërë me dorë, duke na ftuar, që të ktheheshim e të ndaleshim në banesën e tyre. Bashkëshortët Miradije e Lutfi Qehaja, na e hapën derën e madhe të konakut. Me Miradijen punonim së bashku në Shkollën fillore “Elena Gjika”.
Familja Qehaja është e njohur, meqë shquhet për virtyte e tipare të larta të bujarisë e të mikpritjes, të zemërgjerësisë e shpirtmadhështisë, të humanizmit e fisnikërisë.

Në banesën e tyre ishte edhe motra e Lutës, Kadirja me fëmijët Visarin e Albanin. Madje, aty na u bashkuan edhe Shpresa e Nazmi Çitaku, së bashku me vajzën e tyre Blerandën. Me Shpresën punonim së bashku në shkollë. Shpresa e Nazi banonin shumë afër banesës së Lutës e Miradijes, dhe se një natë patëm qëndruar edhe në banesën e tyre.

Që nga data 29 mars e deri më 3 prill 1999, ne qëndruam në banesën e familjes Qehaja, në “Bregun e Diellit”. Përkundër gjendjes së rëndë të luftës, ankthit e tmerrit, fëmijët gjatë atyre ditëve sa qëndruam aty, sikur ndjeheshin më të sigurt e më të qetë, ngase ne si prindër iu dhuronin dashuri, ngrohtësi e qetësi…
Ato ditë, për ne, do të mbetën përjetë të paharruara, ku me mirënjohjen më të thellë nga zemra e falënderojmë këtë familje me zemër të madhe për mikpritjen e veçantë e shumë të ngrohtë dhe të përzemërt. Familja Qehaja është shembull e simbol i oqeanit të mikpritjes e bujarisë, bamirësisë e humanizmit si dhe fisnikërisë së rrallë shqiptare e të pakrahasuar.

Bllaca e atyre ditëve e netëve të tmerrit e të ferrit…

E shtunë, 3 prill 1999

Nuk e dimë ende, as sot e asaj dite, se ç’ndodhi me foshnjën gjashtëmuajshe?!… Në asnjë lagje të Prishtinës nuk ishte askush i sigurt, meqë dëbimi masiv dhe i tmerrshëm i qytetarëve të Prishtinës, nga forcat serbe ishte gjenocid i paparë, thjesht pastrim etnik.

Dhe, i ashtuquajturi “Korridori” i Gligorovit, Plani famëkeq “Patkoi” i Millosheviqit si dhe realizimi i një ëndrre shekullore serbomadhe për një Kosovë pa shqiptarë, filloi të zbatohej në vazhdimësi… Në orët e hershme të mëngjesit, të së shtunës, dolëm nga banesa e familjes së madhe bujare Qehaja, për të vazhduar rrugëtimin me shpresa të thyera e pakthim drejt stacionit hekurudhor.
Shiheshin qytetarë në grupe të hutuar e shumë të shqetësuar, të kërcënuar e me fëmijë të frikësuar përdore, duke ecur në rrugë e drejtime të ndryshme.

Feridja, ish-arsimtare, me një zë shumë të ulët e me një mirësjellje të veçantë m’u drejtua: “Mund të vini edhe ju me ne në një autobus, që jemi duke pritur për t’u nisur për në Bllacë!”.
Autobusi u vonua, megjithatë pritëm një kohë të gjatë por më vonë mbërrini. Megjithatë, kishte vështirësi e nuk kishte siguri se nga cili vend të niseshim?!…Dhe, më në fund, pritjes së gjatë e shumë të mundimshme i erdhi fundi.

U nisëm…

Një nisje e papërballueshme, shumë e madhe dhe e dhimbshme. Në autobus ishim mbi 80 persona, nga foshnjat e deri më të moshuarit. Në të dy anët e rrugës, nga Lipjani e deri në Han të Elezit, shihnim shtëpi të djegura dhe tymra që përhapeshin në qiell, si dhe dëgjoheshin të shtëna armësh e granatimesh.
Udhëtimi me autobus zgjati 50 minuta. Mbërrimë në Bllacë. Bllaca, vend tmerri e ferri. Një kohë të gjatë na ndalën te Fabrika e Çimentos, e madje policët serbë na urdhëruan që të ecnim vetëm brenda binarëve të trenit ngase në të dy anët e hekurudhës, na thoshin: “Janë të minuara?!”. Në Bllacë, pranë lumit, shihje njerëz të dëbuarish, si lumenj të rrëmbyeshëm.

Nuk dinim se ku e si të vendoseshim?!… Iu bashkuam turmës së madhe të njerëzve që prisnin e shpresonin ta kalonin kufirin e hekurt maqedonas. Aty takuam Dr. Sami Delijajn së bashku me bashkëshorten, djalin dhe vajzat e tij. Pjesën tjetër të familjes së tij, nga Abria e Drenicës, forcat serbe ia kishin vrarë e masakruar. Unë i njihja, meqë isha arsimtar dhe kujdestar i djalit të tij, Gentritit.
Ishim shumë të lodhur, të këputur e të dërrmuar dhe mezi qëndronim në këmbë, vetëm e vetëm me shpresën se ndoshta do të kemi fatin që ta kalojmë atë kufi të mallkuar…

Atë natë mundi e përpjekja jonë dështoi, por edhe disa ditë e net të tjera dështuan dhe assesi ta preknim a ta kalonim atë kufi të çeliktë nga ushtarët maqedonas!
Binte një shi dhe bënte ftohtë. Një natë shumë e zymtë, e nën qiellin e hapur e me vetëm dy batanije, e pa tendë plastmase, fëmijët dhe bashkëshorten time i zuri gjumi. Unë qëndroja pranë tyre. Bllaca gjëmonte nga qarjet e foshnjave a fëmijëve dhe mallkimet e nënave. Rreth orës 22:00 afrohet një nënë me foshnjën e saj duke e lutur Naimen që t’i bëjë pak vend sa të shtrihej për t`i dhënë gji foshnjës së saj gjashtëmuajshe. Naimja, me shumë mirësi, i bëri vend dhe i tha: “Eja e shtriju lirisht!”– ku ajo u mbulua me batanije.

Pas një kohe, pasi i dha gji dhe e qetësoi fëmijën, nëna e foshnjës, na u drejtua neve: “A mund ta lë për një kohë fëmijën këtu tek ju, derisa t’i takoj prindërit e burrit?”. Foshnjën e zuri gjumi në prehër të Naimes. Kaluan dy orë dhe nëna e fëmijës nuk po vinte dhe as që mund ta shihnim edhe pse e kërkonim?!…
Pas mesnate foshnja u zgjua nga gjumi dhe filloi të qante e të dëneste me të madhe, saqë edhe neve zemra filloi të na dridhej, ngase nuk mund ta qetësonim atë assesi.

Në ato çaste përjetuam shumë emocione dhembshurie dhe ishim shumë të prekur e të shqetësuar!
Fillova ta kërkoja nënën e foshnjës nga të gjitha anët, por ishte e pamundur ta dalloja a njihja në ato orë të vona të natës dhe në atë turmë të madhe njerëzish.
Pas shumë kërkimesh e njoftova Kryqin e Kuq me rastin. Ata erdhën menjëherë, e me shumë kujdes e mirësi e morën foshnjën. Për ne ishte një çast shumë i ndjeshëm, shumë i prekshëm dhe shumë i dhembshëm si dhe i paharruar në mendjen dhe në kujtesën tonë?!
Sa shumë do të dëshironim të dinim se çfarë ndodhi më vonë, me fatin e kësaj foshnjeje engjëllore?!.. Sa do të dëshironim ta takonim! Por, asgjë kurrë nuk mësuam se çfarë ndodhi me atë?!

Në luginën e tmerrshme të Bllacës veneronim njerëz të këputur e të lodhur si dhe të thyer shpirtërisht e emocionalisht, meqë ishin të pangrënë, pa bukë dhe pa ujë.

Pas dy ditësh, ne mezi me ndihmën e disa njerëzve të mirë, e ngritëm një tendë të vogël prej plastmase.
Për fatin tonë ishin shqiptarët e Maqedonisë, motrat e vëllezërit tanë që u organizuan dhe u aktivizuan me bujarinë e fisnikërinë si dhe me humanizmin e tyre të paparë për të na ndihmuar me ushqime e gjëra të tjera.

Asnjëherë nuk mund t`i harroj ato çaste të prekshme, kur nga traktorët apo automjetet tjera, ato vullnetarët humanistë shqiptarë të Shkupit e rrethinës, në pamjaftueshmëri të hapësirës hidhnin bukë në drejtim të turmës të njerëzve, që ishin me duar të zgjatura e të ngritura për të siguruar së paku një bukë.

Megjithatë, një njeri shpirtkazmë, edhe pse i rritur, nga duart ia mori bukën Tringës, vajzës sime 12 vjeçare?!!!
Atë ditë, megjithatë, ne mbetëm pa bukë. Por, ndërkohë takova fqinjin tonë, Shaqir Shaqirin, i njohur si mësuesi Shaqë, një veprimtar e humanist i madh.
Ai sapo kishte ardhur me familjen e tij nga Prishtina, m`i dha disa gurabije që i kishte marrë me vete nga shtëpia. Për atë ditë e atë natë na mjaftuan ato gurabijtë e fqinjit tonë të nderuar, Shaqës. Po ashtu, në Bllacë, takova Mire Gashin me familje.

Me mësuesen e dalluar Mire, punonim së bashku në shkollë. Aty takova edhe Qëndrim Gashin djalin e saj, ish-nxënës imi, tani Doktor i Matematikës, ish-ambasador e profesor i shquar ndërkombëtar.

Në Bllacë ne qëndruam deri më 7 prill, ku në orët e hershme të mëngjesit, diku rreth orës 4:00, iu afrova ushtarëve maqedonas duke i lutur me mirëkuptim dhe ndjenjë humaniteti, duke i njoftuar se fëmijët nuk po ndjeheshin mirë, duke kërkuar nga ata për të na mundësuar për të kaluar atë kufi të mallkuar!…
Një ushtar, me shumë mirësjellje, ndoshta ishte shqiptar (?) më tha: “Shko dhe zgjoji fëmijët dhe ejani!”.

Me shpejtësi u ktheva te gjysmëtenda dhe i zgjova nga gjumi fëmijët dhe bashkëshorten. Shpejt i morëm valixhet dhe u nisëm drejt vendit, pika e caktuar, ku më sygjeroi ushtari. Por, ky ushtari për një çast e kishte ndërruar vendin e pozicionin, ndërkaq ai tjetri që ishte aty, na u kërcënua që të zbrisnim shpejt poshtë. Por, për fatin tonë, nga largësia na vërejti ai ushtari i cili më herët më kishte premtuar se do të na ndihmojë ta kalonim kufirin. Ai na ftoi që të afroheshim duke na ndihmuar që të kalonim mbi shkallët e improvizuara.

Më në fund morëm frymë lirshëm. Autobusët ishin radhitur në pritje, ndërsa ne as që dinim se ku mund të na dërgonin?! Ishin disa procedura, para se të hipnim në autobus ngase persona të caktuar në gjuhën maqedonase na pyesnin të gjithëve për emrin e mbiemrin, vitin e lindjes dhe vendin… Disa gra të moshuara, por edhe më të reja, nuk kuptonin se çfarë po u thonin e kërkonin?!..

Albulena, vajza ime 15 vjeçare, përveç gjuhës angleze njihte edhe gjuhën serbe, ku te dera e fundit e autobusit përkthente për ata që nuk e kuptonin gjuhën, ndërsa unë isha te dera e parë. Pas kryerjes së këtyre procedurave autobusi u nis. Askush nuk na tregonte se ku po na dërgonin. Dhe, pas një kohe autobusi u ndal në Kampin e Stankovecit.

Në kampin e Stankovecit në intervistë me gazetarin e Televizionit Belg, VRT

Në Stankovec na pritën e na vendosën menjëherë në Tendën B-65, ushtarët italianë të KFOR-it, ku na dhanë pako me gjëra ushqimore, pije e veshmbathje.
Në tendën tonë e vendosën edhe familjen Veselaj nga Gllareva e Klinës.
Në Kampin e Stankovecit takuam edhe familjen Hajrullahu, fqinjët tanë të nderuar: Selamiun e Havën, vajzën e tyre – Jehonën si dhe djemtë Astritin e Kujtimin, ku kalonim së bashku një pjesë të kohës.
Çdo mëngjes para tendës na sillnin gjëra ushqimore. Po ashtu edhe kushtet higjienike ishin, deri diku, pak më të mira, në krahasim me Kampin e përqendrimit famëkeq të Bllacës. Përkujdesja shëndetësore ishte në nivelin e duhur. Pas disa ditësh Kampi i Stankovecit u stërmbush me refugjatë të luftës dhe gjendja u përkeqësua. Natën bënte shumë ftohtë. Sa herë që binte shi krijohej baltë e madhe.
Në Stankovec qëndruam prej datës 7-18 prill 1999. Në Kampin e Stankovecit filloi të bëhej jeta e padurueshme dhe e papërballueshme, e mundimshme dhe e frikshme.

Përveç ushtarëve të KFOR-it, që përkujdeseshin për sigurinë tonë, vepronin edhe organizata humanitare të ndryshme ndërkombëtare.
Opinioni botëror u njoftua me gjendjen e rëndë të refugjatëve shqiptarë të Kosovës. Filluan të vepronin urgjentisht: Kryqi i Kuq Ndërkombëtar, Komisariati i Lartë Ndërkombëtar, OSB dhe UNHCR.

Shumë shtete të botës, përmes UNHCR-it filluan të merrnin refugjatë nga Kampi i Stankovecit. Unë u paraqita në zyrat e UNHCR-së, duke kërkuar që të më sistemonin në ndonjë nga shtetet, që të largoheshim nga kampi sa më parë.

Aty i plotësova formularët sipas procedurave të kërkuara dhe shtetin se ku mund të na dërgonin. Pasi i plotësova formularët, zyrtarit i kishte lënë përshtypje të madhe bukurshkrimi im.

Meqë unë nuk njihja gjuhën angleze, përkthyesi një djalë tejet i edukuar nga Prishtina, më drejtohet me shumë mirësjellje, duke më thënë se çfarë po më thoshte e propozonte zyrtari.

Ai mu drejtua duke më thënë se në cilën prej këtyre shteteve dëshiroja të shkoja: në Izrael, Holandë, Gjermani apo në Austri?! Mua, në ato çaste, më ishte ngulitur në mendje Belgjika. Prandaj, kërkova të shkoja nëse do të më mundësohej vetëm në Belgjikë, pasi atje jetonte, që nga viti 1991, motra ime Sevdija së bashku me bashkëshortin, Avniun, si dhe fëmijët: Emirjetën, Shqipronin dhe Ermirën. Përgjigjja e zyrtarit irlandez ishte: “Belgjika ende nuk ka kërkuar zyrtarisht refugjatë”. Unë isha i vendosur, duke u thënë se vetëm në Belgjikë dëshiroja të shkoja. Zyrtari me shumë mirësjellje mu drejtua: “Belgjika ende nuk kishte ofruar njoftimin zyrtar për strehimin e refugjatëve të luftës nga Kampi i Stankovecit”.

Zyrtari, megjithatë, shkruajti emrin tim, numrin e tendës B-65 dhe kërkesën time për Belgjikë. Po atë ditë ata e dërgojnë kërkesën time në ambasadën e Belgjikës në Shkup.

Dhe, pas një dite erdhën gazetarët belgë dhe më takuan te tenda B-65, ku edhe zhvilluan një intervistë me mua. Gazetari i ri, i njohur dhe i shquar belg Tim Pauwels, së bashku me kameramanin belg dhe një përkthyes shqiptar nga Shkupi, erdhën në tendën ku rrinim për të realizuar një intervistë, kronikë e dokumentar me mua dhe familjen time në Kampin e Stankovecit, pasi që Ambasada belge i kishte njoftuar ata për dëshirën time të zjarrtë që si refugjat i luftës të shkoja në Belgjikë.

Timi me profesionalizmin e tij të rrallë e humanizmin e madh realizoi një intervistë e kronikë të drejtpërdrejtë, të rrallë, prekëse dhe të veçantë televizive, duke njoftuar Qeverinë e opinionin belg për gjendjen, tmerrin e luftës që po përjetonim ne shqiptarët e Kosovës nga regjimi i egër shtypës e shfarosës i Millosheviqit, meqë po ushtronte e bënte dhunë të paparë, duke vrarë e djegur si dhe duke na dëbuar dhunshëm nga shtëpitë e trojet tona shekullore.

“Ju, Tim, erdhët në Kampin e Stankovecit në kohën e duhur dhe në momentet më dramatike, që po përjetonim për të na vizituar neve të dëbuarve kosovarë, refugjatë të luftës!”- i thashë. Pas mbarimit të Intervistës e kronikës, me pamjet nga kampi, ata na u falënderuan, por falënderimi për ta, me mirënjohjen më të thellë ishte i pafund nga ana jonë!

Para se të përshëndeteshin ata më dhanë një copë letër, me emrat e tyre dhe diçka të shkruar që mund të më shërbente si dëshmi.
Të enjten, më 15 prill, u realizua intervista, dhe po të njëjtën ditë, në orët e mbrëmjes e kishin dhënë kronikën për ne në lajmet qendrore Televizioni Belg, VRT, dhe televizionet tjera të Belgjikës.

Shumë shpejt reagon Qeveria belge, duke marrë vendim të menjëhershëm, që më 18 prill, t’i merrte 170 refugjatët e parë me aeroplan nga Kampi i Stankovecit. Njoftimin e dhanë dhe e publikuan në Kamp përfaqësuesit e UNHCR-së. Me shpejtësi u dha lajmi dhe u grumbullua një numër i madh refugjatësh, duke krijuar radhë të gjata pritjeje për të plotësuar formularët që kërkoheshin.
Meqë, gazetarët belgë më patën thënë, duke ma dhënë edhe një letër, se kurdo që Belgjika kërkon refugjatë nga ky kamp: “Familja juaj do të jetë ndër të parat!”

Pas shumë përpjekjesh iu afrova zyrtarit, si dhe përkthyeses nga Mitrovica, duke i njoftuar e kërkuar nga ata që ta shikonin letrën e gazetarëve.
E vërejta, se përkthyesja nuk po përkthente siç duhej?!… Këtë e vërejti edhe zyrtari, por që s`mund të kuptohesha me të pasi nuk dija anglisht.
Përkthyesja, me shumë ironi mu drejtua duke më thënë: “Mos vallë, me këtë copë letër po mendon se mund të shkosh në Belgjikë?!…”

– Pritë në radhë, nëse ke fat derisa të plotësohet numri i kërkuar! – më thanë.

Hyra në radhë të pritjes, pas një kohe vëreja se po priste në radhë për të shkuar në Belgjikë edhe fqinja jonë, Hava.

Atë, në pritje të gjatë, e ndërronin nganjëherë Selamiu e Jehona. Ndërsa, mua herë pas here, më sillte ujë bashkëshortja ime, Naimja.

Pritëm në radhë prej orës 18:00 të mbrëmjes deri në orën 5:00 të mëngjesit, kur na njoftuan lajmin e hidhur se ishte plotësuar lista. I zhgënjyer tejmase, i lodhur e i dërrmuar u ktheva në tendë për të pushuar pak…
Gjatë ditës, shikoja se mos po publikohej ndonjë njoftim i ri nga ndonjë shtet tjetër?!… Diku rreth orës 18:00 ishin tubuar refugjatë të shumtë, duke shikuar e shpresuar se a janë emrat e tyre në listën e publikuar nga autoritetet belge dhe të UNHCR-së, se lista për t`u strehuar në Belgjikë, tashmë ishte plotësuar.

Unë, as që u afrova për të shikuar?! Pas një kohe më ndal një i njohur dhe më thotë: “Sa mirë ishte bërë për ju, ku pashë listën që ishit pranuar për të shkuar në Belgjikë!”

Nxitova, meqë nuk besoja… U afrova duke shikuar me shumë kujdes listën, meqë më nuk kishte turmë të madhe njerëzish.
Në fillim të listës ishte emri im, si kryefamiljar dhe i anëtarëve tjerë të familjes sime. Shkova drejt te tenda, i njoftova fëmijët dhe bashkëshorten. Në fytyrat e tyre, pas një kohe shumë të gjatë, shpërtheu buzëqeshja e gëzimi i papërshkruar! Të dielën, më 18 prill 1999, u larguam paradite me një ndjenjë lehtësimi shpirtëror e emocional nga Kampi i Stankovecit, dhe të gëzuar u nisëm me aeroplan special nga Aeroporti i Shkupit për në Belgjikë. Në aeroplan ishim 170 refugjatët e parë të luftës nga Kosova.

Mikpritja më madhështore për ne në Belgjikë

Ne as që e dinim se me të arritur në Aeroportin e Brukselit, po na pritnin gazetarët e shquar belgë, Timi dhe kryeredaktori (tashmë) i ndjerë i Televizionit belg VRT Jose, si dhe motra ime Sevdija e dhëndri, Avni Durguti. Pasi pushuam e u çmallëm me ta, të gjithë refugjatët na dërguan në një bazë ushtarake për të rregulluar procedurat e statusin se çfarë kërkohej për qëndrim në shtetin shumë mikpritës, bujar e human të Belgjikës, si refugjatë të luftës. Madje, me autobusë e të shoqëruar me vetura të policisë na dërguan në Qendrën e Frepos, që më parë kishte shërbyer si pushimore e punëtorëve të postës, ku kushtet ishin shumë të mira, dhe asgjë nuk na mungonte.

Gjatë udhëtimit tonë me autobusë, në të dy anët e rrugës, kishin dalë qytetarët belgë për të na përshëndetur, e për të na uruar mirëseardhje, duke u solidarizuar me ne refugjatët e parë të luftës nga Kosova.

Të nesërmen në Qendër erdhën gazetarë të ndryshëm, jo vetëm belgë, për të na pyetur e intervistuar për gjendjen e luftën e tmerrshme, që kishim përjetuar në Kosovë, por edhe për kushtet në Kampet e Bllacës e të Stankovecit.

Një gazetar jo belg, ndër të tjera m`u drejtua me një pyetje provokative, duke më thënë: “Ju keni ikur nga bombardimet e NATO-s?!”. Përgjigjja ime ishte shumë e prerë duke i thënë: “Kjo që ju po thoni nuk është e vërtetë dhe se nuk qëndron, por jemi dëbuar nga regjimi agresiv i Millosheviqit, i cili në pamundësi për t`iu kundërpërgjigjur sulmeve të NATO-s, tërë arsenalin e tij luftarak (ushtarak e policor), ai e drejtonte ndaj popullsisë së pafajshme civile, duke vrarë e masakruar e duke realizuar politikën e Tokës së Djegur në Kosovë!”.


Pastaj iu drejtova gazetarëve: “Tash e sa më parë, për të shpëtuar Kosovën, atje duhet të dërgohen urgjentisht edhe Trupat Tokësore të NATO-s!”
Të gjitha intervistat dhe kronikat tjera televizive belge, kudo ku kam folur, i kam të ruajtura si dëshmi atëherë e kësaj dite.

Këto dëshmi ua kam ofruar disa regjisorëve në Prishtinë, për të realizuar ndonjë dokumentar, por për çudi, asnjëri nga ata nuk ka shprehur interesim për këto?!

Pas dy javësh, në Qendrën ku ishim të vendosur në Frepo, ne refugjatët, nën mbikëqyrjen e përkujdesjen e madhe të Kryqit të Kuq të Belgjikës, pasi që kishte shikuar intervistat e mia në TV, si dhe disa nga kronikat e shumta televizive belge, erdhi një zonjë e madhe dhe e nderuar belge, me shpirt e zemër humane për të na takuar e biseduar me ne.

Njohja dhe takimi i saj me ne ishte shumë i përzemërt e emocional, befasues dhe i papritur. Ajo na u prezantua me emrin Michele Delperdange, duke na u drejtuar me shumë dashamirësi e lutje për të na marrë në shtëpinë e saj.

Dhe, ne pas dy ditësh, vendosëm të shkonim. Bertogne ishte shumë larg Qendrës, ku banonin ata. Ajo erdhi me veturën e saj e na mori. Na vendosi në shtëpi të re, ku asgjë nuk na mungonte. Shtëpinë e kishte rregulluar posaçërisht për ne, me të gjitha gjërat e reja. Dhe, të mos flasim për ushqim të bollshëm e veshmbathje të reja për të gjithë ne. Ajo shtëpi e saj, tashmë ku u vendosëm edhe ne, kishte edhe pishinë.

Në atë kohë me ne në Bertogne, ishte edhe familja Zeka-Spahiu nga Ferizaj, Flora me fëmijët Lizin e Zanën. Ata qëndruan te familja Baltus, Zhozef e Marizhoja.

Me gjithë zemër ne e falënderojmë familjen Delperdange, posaçërisht zonjën e madhe e humanisten e dalluar, miken më të shtrenjtë të familjes sonë, Michele, prindërit e saj shumë bujarë e të dashur (tani të ndjerë), djalin e saj Fransua, qytetarët e dashur dhe shumë bujarë e fisnikë të Bertonjes (Bertogne), Shkollën fillore të Bertonjes (Bertogne), drejtoreshën Francine Lambert, mësueset: Stephanie Calbert, Pascale Meunier, e të tjerë. Gjimnazin Real të Bastonjes (Bastogne), Komunën e Bertonjes (Bertogne), Zhaninën, Kryqin e Kuq të Belgjikës, Mjekun e shuqar të familjës sonë, doktor Schabben, Kishën e Bertonjes (Bertogne). Njeriun e mirë e bujar Rene Gillet, Emilie, motrën e Michele dhe familjen e saj. Qendrën Strehuese të Frepos, si dhe drejtorin e palodhshëm e shumë të respektuar Billin. Me mirënjohjen më të thellë e të përzemërt falenderojmë gazetarët e shquar e shpëtimtarët tanë të VRT-së, Tim Pauwels e Joos Van Hemelrijck, televizjonet tjera e gazetat e njohura belge.

Ne Belgjikën e ndjejmë si atdhe tonin, të dytë! Më 29 qershor 2000, ne u kthyem vullnetarisht nga Belgjika në Kosovë, edhe pse e kishim të rregulluar statusin e refugjatëve të luftës, ku mund ta merrnim edhe shtetësinë belge. Ky ishte një rrëfim yni familjar, me përjetime lufte, nga ai rrugëtim i gjatë, por edhe ngadhënjimtar.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar ka njoftuar se në ora,…