
Në koma 20 vjet, ndahet nga jeta “Princi i fjetur” i Arabisë Saudite
Princi saudit Alwaleed bin Khaled bin Talal Al Saud, i njohur ndërkombëtarisht si “Princi i fjetur”, ka ndërruar jetë në moshën 36-vjeçare, pas afro njëzet vitesh në koma.
Lajmin për vdekjen e tij e bëri të ditur të shtunën, më 19 korrik, babai i tij, princi Khalid bin Talal Al Saud, nipi i miliarderit Al-Walid bin Talal.
“Shpirti im, kthehu te Zoti yt i kënaqur dhe i pranuar prej Tij. Hyr mes shërbëtorëve të drejtë të Mi dhe hyr në Xhenetin Tim… Me besim të thellë në vullnetin e Allahut dhe me pikëllim të madh, vajtojmë djalin tonë të dashur”, shkroi princi Khalid në platformën X, duke shoqëruar njoftimin me një foto bardhezi të të birit të shtrirë në shtratin e spitalit.
Ceremonia mortore u planifikua për të dielën, më 20 korrik, ndërsa familja u përgatit për të dhënë lamtumirën përfundimtare një djali që jetoi për vite të tëra në kufirin mes jetës dhe vdekjes.
I njohur nga familjarët me nofkën “Ndede”, Al-Ualid lindi në prill të vitit 1990.
Në vitin 2005, kur ishte 15 vjeç dhe studionte në një akademi ushtarake në Londër, pësoi një aksident të rëndë automobilistik që i shkaktoi trauma të rënda në kokë dhe gjakderdhje të brendshme, duke e futur në një gjendje kome të thellë nga e cila nuk u zgjua më kurrë.
Pas aksidentit, u transferua në një qendër mjekësore në Riad, ku qëndroi i shtruar për 19 vjet.
Gjatë gjithë kësaj kohe, babai i tij nuk u largua asnjëherë nga ana e tij, duke e mbajtur gjallë përmes pajisjeve të asistencës mjekësore dhe duke e shndërruar dhomën e spitalit në një hapësirë të përhershme lutjesh, shprese dhe pritjeje.
Princi Khalid ndante shpesh në rrjetet sociale video dhe foto ku dukeshin lëvizje të vogla dhe të lehta të trupit të të birit, një dridhje gishti apo ngritje krahu, të cilat priteshin me admirim dhe emocion nga mijëra ndjekës.
Në raste të veçanta si Ramazani, Bajrami apo Dita Kombëtare e Arabisë Saudite, dhoma e spitalit stolishej si të ishte vetë princi pjesë e përditshmërisë.
Gjatë gjithë këtyre viteve, historia e “princit që flinte” u shndërrua në simbol të besimit dhe përkushtimit.
Dhoma e tij u bë vend pelegrinazhi për qindra vizitorë nga anëtarë të familjes mbretërore dhe qytetarë të zakonshëm, deri te liderë të huaj, të cilët vinin për të lutur së bashku me princin Khalid dhe familjen e tij.
Edhe pse Al-Ualid nuk rifitoi kurrë vetëdijen, për babain e tij ai mbeti gjithmonë “i gjallë”, një fëmijë që nuk u braktis asnjëherë.
Vdekja e tij shënon përfundimin e një beteje të heshtur që zgjati thuajse dy dekada dhe që la gjurmë të thella jo vetëm në familjen e tij, por në të gjithë kombin saudit.