
Në Konsullatën e Kosovës në Nju-Jork promovohet libri “Bekime dhe mallkime”
Në Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Nju-Jork, mbrëmë u mbajt promovimi i librit “Bekime dhe Mallkime” të autores dhe aktores Vlora Nikçi.
Pas hapjes nga ambasadori Blerim Reka, për librin foli Ed Hamell nga Fondi Arsimor Kosovë-Amerikë (Kosova American Education Fund), Zyra në Nju-Jork, i cili vlerësoi kontributin e Vlorës në ruajtjen e trashëgimisë popullore.
Ndërkaq, autorja Vlora Nikçi foli për librin, i cili përmbledh hulumtimin e saj të trashëgimisë gojore popullore në Kosovë, Shqipëri, Malësi dhe Mal të Zi gjatë viteve 2021-2022.
Pjesë e këtij eventi të diplomacisë kulturore dhe të vlerave të artit dhe të kulturës së Kosovës ishin edhe pikat muzikore në klarinet nga klarinetisti kosovar Ylli Zhaveli, i cili ekzekutoi ca pjesë nga opusi i kompozitorit Thoma Simaku.
Pos Ambasadores Suela Janina, Përfaqësuese e Përhershme e Shqipërisë në OKB, në këtë promovim morën pjesë rreth 50 bashkatdhetarë të Nju-Jorkut dhe tre-shtetëshit, krijues, artistë e veprimtarë kulturorë.