Në Kosovë s’ka krizë zgjedhore, por ka vetëm krizë përfaqësimi politik

28 tetor 2025 | 16:49

Nga Fadil Maloku

Shteti i Kosovës, duhet pranuar, nuk ka asnjë problem me aspektet teknike të zgjedhjeve, por ka probleme të dukshme, të theksuara, të evidentuara dhe të identifikuara lidhur me procesin e përfaqësimit qytetar. Kjo krizë besimi manifestohet sa herë që qytetari thirret të votojë. Mirëpo, është interesant fakti se i njëjti qytetar, sapo të përmbyllet procesi i votimit, fillon të dyshojë dhe të ndihet i pakënaqur me përfaqësuesit e vet.Arsyeja është e thjeshtë dhe e qartë: ai nuk e sheh më, e as nuk e ndien reflektimin e votës së tij as në Kuvend, as në Qeveri, e as në partitë politike.

Kjo pasiguri, apo kjo ndjeshmëri, në fakt është simptomë reale e një krize që nuk lidhet aq me procedurat, sa me mungesën e besimit te ofertuesit partiakë. Sipas gjykimit tim sociologjik, zgjedhjet e jashtëzakonshme që po na presin do të matin më shumë pjekurinë elektorale të shoqërisë kosovare sesa fuqinë e secilës parti politike.

Pse them kështu? Sepse të gjitha partitë, pa dallim, gjatë gjithë “odisejadës” së ngërçit politik, kanë shpresuar se përmes kurtheve, obstruksioneve, refuzimeve, kalkulimeve dhe joshjeve false, do të krijojnë nuancat e nevojshme në sytë e turmës naive dhe të padjallëzuar. Duke parë zhvillimet dhe proceset aktuale në Kosovë, është më se e qartë se vendi ka akumuluar, por edhe shpenzuar, shumë më tepër demokraci procedurale sesa demokraci përfaqësuese. Ky fakt ka bërë që të stërzgjatet konstituimi i Parlamentit, por edhe të ashpërsohet gjuha e komunikimit publik.

Kështu që zgjedhjet e jashtëzakonshme kanë shumë gjasa të dëshmojnë hipotezën tonë se Kosova nuk ka krizë zgjedhjesh, por ka krizë të theksuar besimi në përfaqësim. Kjo nënkupton edhe faktin tjetër: se problemi i demokracisë kosovare nuk qëndron te procesi elektoral, i cili, në gjuhën juridike, njihet si mekanizëm i dëshmuar i votimit, por ekskluzivisht te niveli i cilësisë dhe legjitimitetit të atyre që zgjidhen. Pra, a janë dhe sa janë legjitimë përfaqësuesit e zgjedhur për aulën apo tempullin e shenjtë të demokracisë – siç është Kuvendi? A janë duke avokuar këta përfaqësues interesat qytetare, apo po mbrojnë me fanatizëm kauza false të partive që i kandiduan?

E themi kështu, sepse kemi kuptuar nga shumë palë zgjedhje se, ndonëse procesi u zhvillua pa probleme të theksuara dhe me standarde të pranueshme demokratike, qytetarët nuk ndiheshin të kënaqur me përfaqësuesit që i kishin votuar. Në kuptim sociologjik, ky akt i dyshimit dëshmon një fakt të ri, që duhet studiuar jo vetëm përmes “diagnozave” politike, por edhe përmes “terapive” sociologjike. Kjo gjendje na tregon se ekziston një krizë evidente e kontratës sociale midis qytetarit dhe përfaqësuesit të tij politik.

Një perceptim i tillë tregon se distanca midis qytetarisë dhe politikëbërësve është zgjeruar dukshëm – edhe për shkak se partitë politike kosovare janë burokratizuar dhe mbyllur në vetvete. Ato nuk pasqyrojnë më përbërjen reale sociale (të rinj, gra, punëtorë, intelektualë etj.), por një përbërje mediokre, grupore, klanore e krahinore. Nga aspekti institucional, kjo krizë nënkupton se sistemi politik nuk po gjeneron dialog, por vetëm konflikt, kacafytje dhe refuzime të vazhdueshme midis subjekteve politike. Shto këtu sistemin e deformuar të përfaqësimit, që është afirmuar përmes listave të mbyllura, liderizmit dhe protagonizmit të skajshëm, si dhe mungesës së llogaridhënies, përgjegjësisë dhe transparencës.

Ajo që është më shqetësuese në këtë hipotezë është fakti se zgjedhjet e shpeshta, në vend që të prodhojnë ndryshimin e pritur brenda dhe jashtë partive, po prodhojnë vetëm riciklim të elitave. Si pasojë, vota qytetare ka humbur peshën dhe shpresën për ndryshim e transformim të prekshëm, sepse deputetët e zgjedhur, pasi e “blejnë” biletën e përfaqësimit, marrin vendime tërësisht të shkëputura nga baza votuese. Në këtë kuptim, zgjedhjet e jashtëzakonshme mund të jenë një rast ideal – ose për të ndëshkuar, ose për të shpërblyer performancën e secilit subjekt politik, të secilit kandidat potencial për deputet, si dhe të secilit lidership, për mënyrën si e ka menaxhuar ngërçin politik që solli shumë probleme institucionale e shoqërore.

a). Kur është fjala te ish-Qeveria Kurti 2, ka një perceptim që po simulohet nga disa media se ajo ka hyrë në fazën e konsumimit politik, dhe se në zgjedhjet e jashtëzakonshme karizma e lidershipit nuk do të mjaftojë më për të krijuar nuancën e munguar nga zgjedhjet e vitit 2021.

b). Ndërkaq, te ish-opozita vërehet ende mangësia e narrativës mobilizuese. Ajo ende nuk ka artikuluar një ide, koncept apo program alternativ për shtetin, ekonominë, dialogun me Serbinë, apo për raportet me aleatët – përveç dëshirës për rotacion pushteti.

c). Sa i përket Presidentes, krijohet përshtypja se ajo po e luan me kujdes dhe mjeshtëri rolin e “garantit moral” të sistemit. Mirëpo, ajo po futet në një terren ku neutraliteti nuk do të çmohet më si virtyt, por do të perceptohet si shmangie e qëllimshme nga përgjegjësia politike.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Forca e Sigurisë së Kosovës sot ka realizuar Ditën e…