Në kujtim të dëshmorëve: Nderimi që na detyron për ruajtjen e Republikës

10 gusht 2025 | 17:32


Shkruan: Ethem Çeku

Rrugëtimi i Kosovës drejt pavarësisë është një sagë e gdhendur me gjakun e derdhur dhe sakrificat e brezave që refuzuan nënshtrimin. Vitet 1912–1913 shënuan kulmin e tragjedisë sonë kombëtare, kur shqiptarët e Kosovës dhe të trojeve të tjera etnike shqiptare u përballën me spastrim etnik, gjenocid dhe dëbime masive. Kronikat franceze të kohës pasqyrojnë shifra tronditëse për masakrat, ndërsa aparati shtetëror dhe akademik serb i kohës i justifikonte këto krime duke trumbetuar se “shqiptarët nuk mund të ndërtojnë kurrë shtetin e tyre”.

As pas vitit 1918 nuk pati qetësi: kolonizimi dhe diskriminimi sistematik vazhduan deri në prag të Luftës së Dytë Botërore. Edhe në Jugosllavinë komuniste, shqiptarëve iu mohua barazia politike. Historia na mëson se në vitin 1945 shqiptarët nuk e pranuan pozitën nënshtruese; në vitin 1968 ata artikuluan hapur kërkesën për Republikë; në vitin 1974 nuk u mjaftuan me lëshime të pjesshme; dhe në vitin 1981 kërkesa për Republikën e Kosovës u bë kushtrim mbarëkombëtar. Lëvizja patriotike shqiptare nuk bëri kurrë kompromis me këtë aspiratë themelore.

Këtë frymë e trashëgoi edhe Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – e përbërë nga djemtë dhe vajzat më të përkushtuar të vendit – e cila nuk pranoi të jetonte e shtypur nga shteti serb i kohës. Ata mishëruan bindjen se liria nuk është privilegj i dhuruar, por e drejtë e patjetërsueshme, e fituar me sakrificë, guxim dhe vizion. Lufta e tyre, e mbështetur nga përkushtimi popullor, përmbushi idealin historik të kombit tonë për shtet të pavarur.

Sot kujtojmë me nderim bijtë më të devotshëm të Kosovës që ranë në altarin e lirisë – Bekim Berishën, Bedri Shalën, Elton Zharkën, Përmet Vulën, Bashkim Lekun, Jusuf Kelmendin – të cilët mishëruan në jetën e tyre amanetin e shenjtë të çlirimit të atdheut dhe ndërtimit të Republikës.

Ky është fryti i një sakrifice afro njëqindvjeçare, që solli Republikën e Kosovës si mishërim të vullnetit të pandërprerë të një populli të tërë. Por sot kjo republikë po cënohet nga interesat e ngushta partiake dhe nga një stanjacion i dëmshëm politik. Në këtë udhëkryq historik, ndërtimi dhe forcimi i institucioneve të pavarura, profesionale dhe me integritet është detyra jonë supreme. Asnjë forcë e jashtme nuk mund ta kryejë këtë për ne – është mbi të gjitha përgjegjësi e jona, dhe ne besojmë se edhe Akademia dhe institucionet e tjera duhet të japin kontributin e tyre në tejkalimin e këtij ngërçi politik.

Republika e Kosovës është amaneti më i shenjtë i historisë sonë moderne. Nëse lejojmë që ajo të zbehet, ne tradhtojmë jo vetëm gjakun e dëshmorëve, por edhe të drejtën tonë për të qenë zot të fatit tonë.

Republika është frymëmarrja e lirisë sonë; nëse e lëmë të shuhet, shuhet edhe shpirti ynë kombëtar.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i degës së LDK-së në Gjilan, Lutfi Haziri, ka…