Në Kuvend nuk iu afruan njëri-tjetrit, në kazermën e FSK-së Osmani dhe Kurti përshëndeten

05 mars 2026 | 12:38

Presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti u desh t’i shtrëngonin duart në rreshtimin e kuadrateve të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë, për nder të “Epopesë së UÇK”-së.

Presidentja shkoi e fundit në këtë ngjarje dhe i përshëndeti secilin në rreshtin e parë, përfshirë kryeministrin.

Për dallim prej seancës solemne paradite në Kuvend, ku Kurti pasi hyri në sallë nuk shkoi ta përshëndeste Osmanin, te kazerma ushtarake ata sikur s’mundën ta shmangnin njëri-tjetrin.

Ndërsa pothuajse të gjithë ministrat e tij në rreshtin e parë i hodhën sytë nga Osmani që po vinte duke i përshëndetur të gjithë me radhë, Kurti qëndroi duke mos e kthyer kokën kah ajo derisa presidentja u afrua te ai.

Lëvizja Vetëvendosje dje pasdite e hodhi poshtë zyrtarisht mundësinë që ta mbështesë Osmanin për presidente edhe për një mandat, të cilin ajo po e kërkon. Në vend të kësaj, partia e Kurtit vendosi që ta kandidojë Glauk Konjufcën për president.

Shefja e grupit parlamentar të LV-së, Arbërie Nagavci tha mbrëmë se i kishin ofruar Osmanit 30 nënshkrimet e nevojshme për të kandiduar, por se ajo kishte refuzuar.

Nga Presidenca thanë se Osmanit i ishte ofruar vetëm mundësia që “të hyjë në garë veç sa për formalitet”, por jo përkrahja me votë në Kuvend, e cila në këtë rast është zhvendosur te Konjufca.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputeti i Kuvendit të Kosovës dhe ish-ministri i Jashtëm, Enver…