
Në Maqedoninë e Veriut filloi vaksinimi i gazetarëve
Në Maqedoninë e Veriut të hënën janë vaksinuar gazetarët dhe punonjësit e tjerë të mediave. Sipas Shoqatës së Gazetarëve për t’u vaksinuar ishin paraqitur 631 persona që kanë përmbushur kushtet e përcaktuara nga Ministria e Shëndetësisë, të jenë më sëmundje tjera shoqëruese si dhe të moshës mbi 40 vjeç.
Gazetarët, sikur edhe grupet e tjera me rrezik në vendet e tyre të punës, janë imunizuar me vaksinën ruse ‘SputnikV’.
Me vaksinën ‘AstraZeneca’ po vaksinohen personat e moshës mbi 60 vjeç.
“Personat që aplikuan për thirrjen e parë, dhe që nuk i plotësuan kërkesat për këtë fazë të vaksinimit, si dhe të gjithë gazetarët dhe punonjësit e tjerë të medias të interesuar, do të imunizohen për grupin tjetër të vaksinimit që pritet të bëhet së shpejti. E njëjta gjë vlen për të gjithë ata që aplikuan pas skadimit të afatit të aplikimit në këtë fazë të vaksinimit”, thuhet në një njoftim e Shoqatës së Gazetarëve.
Deri të hënën në Maqedoninë e Veriut janë vaksinuar mbi 24 mijë persona. Në aplikacionin “vaksinimi” janë paraqitur mbi 140 mijë persona.