Në mbrojtje të identitetit kombëtar: Edukimi si qëndresë ndaj devijimeve të qëllimshme

31 korrik 2025 | 22:06

Shkruan: Ethem Çeku

Shoqëria shqiptare, në vitet e fundit, po përballet me devijime të reja ideologjike dhe kulturore, të cilat shfaqen hapur përmes sulmeve të qëllimshme ndaj simboleve, ngjarjeve dhe figurave themelore të identitetit tonë kombëtar.
Flamuri kombëtar, figura e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut – trashëgimia e Rilindjes Kombëtare dhe qëndresa e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës përbëjnë shtyllat historike mbi të cilat është ndërtuar vetëdija jonë kolektive. Mohimi, relativizimi apo shtrembërimi i tyre nuk janë akte të rastësishme, por pjesë e një tendence të qëllimshme për të zbehur ndjenjën e përkatësisë dhe për të goditur memorien historike të shqiptarëve.

Koncepte të vjetruara politike, që historikisht kanë qëndruar jashtë zhvillimeve kombëtare ose në kundërshtim me to, po rishfaqen sot me forma të reja, duke njollosur trashëgiminë kombëtare përmes interpretimeve që bien ndesh me të vërtetën historike dhe ndjenjën kolektive të drejtësisë. Këto qasje nuk ndërtojnë një debat të shëndetshëm, por nxisin shpërbërje të boshtit identitar përmes diskurseve të huaja dhe jashtëkontekstuale.

Në këtë sfond, sistemi arsimor shqiptar ka një detyrë historike. Ai duhet të kultivojë te brezat e rinj vetëdije kritike, ndjenjë përkatësie, respekt për trashëgiminë kombëtare dhe krenari për sakrificat që kanë formësuar lirinë dhe shtetin shqiptar – nga rilindësit e shekullit XIX, te luftëtarët e UÇK-së në fund të shekullit XX.

Në një kohë kur shtetet europiane moderne e ndërtojnë kohezionin e tyre shoqëror mbi themelet e identitetit kombëtar, është e papranueshme që në hapësirën shqiptare të tolerohet relativizimi i vlerave që na përbashkojnë si komb.

Fryma kombëtare nuk është një mbetje e së kaluarës, por një përbërës i gjallë i vetë ekzistencës sonë historike, shoqërore dhe politike. Ajo nuk mund të zëvendësohet.

Kombi është mbi të gjitha.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Trump dëshiron që lufta në Ukrainë të përfundojë deri më…