Në muajin mars pritet të fillojë gjykimi ndaj Thaçit e të tjerëve

02 janar 2023 | 21:23

Ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, tashmë i kanë mbushur dy vjet që po mbahen në paraburgim nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

Procesi ndaj ish-krerëve të UÇK-së pritet të jetë një gjykim maratonik. Megjithatë, OVLUÇK-ja nuk pret proces të shpejtë e transparent ndaj ish-krerëve të UÇK-së në ballafaqim me drejtësinë.

Shqiptimi 26 vjet burg për ish-eprorin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sali Mustafën, ishte aktgjykimi i fundit i 16 dhjetorit 2022, i shpallur nga Dhomat e Specializuara.

Para dënimit të Mustafës, kjo gjykatë ka dënuar edhe ish krerët e OVLUÇK-së, Hysni Gucati e Nasim Haradinaj.
Megjithatë, një gjykim tjetër maratonik pritet të fillojë nga muaji mars.

Gjykimi ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi, pritet të ketë një përballje të fortë e të gjatë me prokurorë e gjykatës të Dhomave të Specializuara.

Për këtë, avokati i licencuar në këtë gjykatë, Artan Qerkini, thotë se ndonëse janë 46 mijë faqe dokumente e më shumë se 40 dëshmitarë, gjykimi ka gjasa të fillojë më shpejt.

“Po shpresoj se kjo zvarritje e procedurave do të kompensohet me një efikasitet të procedurës nga ana e trupit gjykues”, thotë avokat Qerkini për “RTK-në”.

Ai ka theksuar se në këtë drejtim, trupi gjykues veçse ka nxjerrë një draft urdhër të procedurave dhe i ka dhënë mundësi mbrojtjes.

Në Institutin e Kosovës për Drejtësi thonë se më së largu në muajin prill, pritet të fillohet me deklaratat hyrëse. Ndërkohë, në verën e vitit të ardhshëm, sipas Ehat Miftarajt, pritet të fillojë gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve.

“Do të jetë një gjykim maratonik me vet faktin që kemi me qindra dëshmitarë të ftuar të prokurorisë, e sigurisht se do të kemi dëshmitar nga ana e mbrojtjes dhe me faktin se çdo dëshmitar që merret, mund të zgjasë dy vite apo më shumë”, ka deklaruar Miftaraj.

Ndërkohë, në Organizatën të Veteranëve të Luftës së UÇK-së kanë theksuar se nuk presin proces të shpejtë e transparent, duke e quajtur Gjykatën Speciale si gjykatë politike.

“Procesi do të jetë i njëjtë me stërzgjatje të procedurave, jo barabarësi mes palëve, të cilët edhe në proceset e mëhershme prokuroria i ka vonuar dokumentet. Nuk presim proces rregullt”, ka thënë Faton Klinaku, ushtrues i detyrës së kryetarit të OVLUÇK-së.

Ish krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, tashmë i kanë mbushur dy vjet që mbahen në paraburgim nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Reperi, Gramoz Aliu, i njohur me nofkën “Mozzik”, ka pranuar…