Në patronatin e presidentes Osmanit mbahet akademi përkujtimore për Ibrahim Rugovën
Të mërkurën në Prishtinë është mbajtur një akademi përkujtimore kushtuar ish-presidentit Ibrahim Rugova, në 20-vjetorin e vdekjes së tij.
Kjo akademi është organizuar nën patronatin e presidentes Vjosa Osmani, ku kanë marrë personalitete të ndryshme të jetës politike.
Me këtë rast, Osmani, ka vlerësuar se trashëgimia politike e ish-presidentit Ibrahim Rugova vazhdon të mbetet themel i kulturës politike dhe i orientimit shtetëror të vendit.
“Sot, 20 vjet pas ndarjes nga jeta të presidentit Ibrahim Rugova, jemi bashkuar për të kujtuar dhe nderuar figurën e tij dhe për ta shënuar momentin kur ideja e tij u bë edhe kulturë politike, ku rezistenca u bë etikë dhe kur politika u ngrit në nivel të misionit historik. Sot nuk përkujtojmë vetëm një datë, por për një epokë që e ndryshoi përgjithmonë rrjedhën e historisë tonë. Askush nuk e mishëroi më thellë e më mirë shprehjen ‘Unë biri yt, Kosovë’, se sa presidenti Rugova. Ai ishte biri i saj në bindje, përkushtim dhe në sakrificë, i lidhur me fijet e tij me popullin dhe vlerat e saj, duke ia kushtuar gjithë jetën, çdo qelizë të tij ndërtimit dhe mbrojtjes së shtetit të lirë, të pavarur dhe demokratik të Kosovës”, ka thënë ajo.
Presidentja Osmani ka theksuar se filozofia politike e Rugovës përfaqëson një koncept të thellë human dhe demokratik, i cili vazhdon të jetë udhërrëfyes edhe sot.
“Trinomi i presidentit Rugova: liri, pavarësi dhe demokraci, është manifest politik dhe njëkohësisht koncept i thellë filozofik e human. Për Rugovën, liria nuk ishte thjesht mungesë e kufizimeve, por po ashtu aftësi e popullit për të vendosur për fatin e vet dhe orientimin e vet. Pavarësia nuk ishte thjesht një akt politik, por realizim i një të drejte historike. Ndërkaq, demokracia nuk ishte thjesht një instrument pushteti, por mekanizëm dialogu e i realizimit të të drejtave dhe lirive themelore për të gjithë pa dallim”, ka thënë Osmani.




