Në prag të protestës, Thaçit, Smakajt, Kilajt dhe Fazliut iu vazhdohet paraburgimi në Hagë

06 gusht 2025 | 12:43

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë është marrë vendim për vazhdimin e paraburgimit ndaj Hashim Thaçi, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt dhe Fadil Fazliut ku ata së bashku me Hajredin Kuçin akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë.

Katër vendimet e ndara janë marrë nga gjyqtarja e procedurës paraprake Marjorie Masselot me 5 gusht 2025

Për të gjithë të akuzuarit Prokuroria kishte thënë se duhet të mbesin në paraburgim me arsyetimin se janë proporcionale dhe të nevojshëm.

Për Thaçin: Rreziku i pengimit të procedurave nuk është zhdukur me mbylljen e çështjes së Prokurorisë në rastin për krime lufte.

Sa i përket Thaçit, gjyqtarja e procedurës paraprake, Masselot ka thënë se vazhdon të ekzistojë dyshimi i bazuar se ai ka kryer veprat penale për të cilat ngarkohet.

Përveç kësaj, ajo ka konstatuar se ekziston rreziku që ai të arratiset, t’i pengojë procedurat si dhe të kryej krime të tjera.

Konstatimin për rrezik të arratisjes, Masselot e ka mbështetur në faktin që ende mbeten të vlefshme vlerësimet që nga vendimi i tretë për vazhdimin e paraburgimit.

Këto vlerësime kanë të bëjnë me rëndësinë e veprave penale për të cilat Thaçi akuzohet dhe dënimi i mundshëm në rast që ai shpallet fajtor, qëllimet jo të mira të të akuzuarit ndaj ligjeve dhe procedurave të Gjykatës, mundësinë e tij për t’u arratisur pavarësisht paraburgimit të tij aktual në çështjen 06 ku ai akuzohet për krime lufte etj.

Konstatimin për rrezikun për pengim të procedurave, gjyqtarja e mbështet për faktin se Thaçi dyshohet se ka bashkëpunuar me tri grupe që i udhëheqte për të ndikuar në dëshmitë e dëshmitarëve në çështjen ku ai akuzohet për krime lufte,

“veprimet e z. Thaçit tregojnë për këmbëngulje në përpjekjet për të penguar procedurat e DhSK-së edhe nga brenda Qendrës së Paraburgimit të DhSK-së, përfshirë përmes ndikimit të tij mbi ish-pjesëtarë të UÇK-së që i qëndrojnë besnikë dhe persona nga rrethet e tij politike, si bashkë të akuzuarit në këtë çështje”, thuhet në vendim.

Përveç kësaj, rreziku i pengimit të procedurave thuhet se nuk është zhdukur plotësisht me përfundimin e çështjes së Prokurorisë në rastin ku Thaçi po akuzohet për krime lufte.

“Rreziku i pengimit nuk është zhdukur me mbylljen e çështjes së ZPS-së në çështjen 06, pasi procedurat mbeten ende në zhvillim dhe dëshmitarët që kanë dëshmuar tashmë mund të përballen me hakmarrje ose të nxiten për të tërhequr dëshmitë; (ii) rreziku i pengimit vlerësohet jo vetëm në lidhje me çështjen 06, por edhe me çështjen aktuale; dhe (iii) procesi i vazhdueshëm i zbulimit e rrit më tej këtë rrezik, pasi i jep z. Thaçit qasje në informacion sensitiv që lidhet me dëshmitarët”, thuhet në vendim.

Përveç kësaj, Masselot ka thënë se asnjë masë alternative nuk mund t’i zbus mjaftueshëm rreziqet ekzistuese dhe vazhdimi i paraburgimit për Thaçin është i nevojshëm.

Vlen të theksohet se mbrojtja e Thaçit e përfaqësuar nga Sophie Menegon dhe Luka Mishetiq nuk ka parashtruar asnjë përgjigje ndaj kërkesës së Prokurorisë për vazhdimin e paraburgimit.

Ngjashëm si mbrojtja e Thaçit, edhe mbrojtja e Fazliut cila përfaqësohet nga avokati David Young nuk ka parashtruar asgjë ndaj kërkesës së Prokurorisë për vazhdimin e paraburgimit ndaj tij.

Ndryshe, ngjashëm si për Smakajn edhe për Fazliun thuhet se në vendimin për konfirmimin e aktakuzës ishte konstatuar se Fazliu mban përgjegjësi penale brenda juridiksionit të DhSK-së.

Përveç kësaj, në vendimin për vazhdimin e paraburgimit u konstatua se vazhdon të ketë rrezik të arratisjes, pengim të procedurave të DhSK-së dhe rrezik për kryerjen e krimeve të tjera për Fazliun.

Ndër, vlerësime të tjera, vlerësohet që Fazliu ka rrezik t’i shmanget drejtësisë duke e marrë parasysh lidhjet e tij të ngushta me ish-komandantet e UÇK-së po ashtu edhe veteranët e UÇK-së me ndikim politik nga të cilët mund të kërkojë dhe sigurojë burime të mjaftueshme për arratisje.

“…natyra e akuzave të konfirmuara kundër z. Fazliu, i cili ishte pjesë e një grupi të udhëhequr nga z. Thaçi, që synonte të ndikonte në mënyrë të paligjshme mbi dëshmitarët; (ii) njohuritë e treguara të z. Fazliu për synimet penguese të z. Thaçi, si dhe qëllimi i tij për t’i ndjekur ato; (iii) këmbëngulja dhe prirja e tij për të penguar procedurat e DhSK-së duke mbështetur interesat dhe urdhrat e udhëheqjes së lartë të UÇK-së; (iv) aftësia e tij për të fituar pëlqimin nga persona besnikë ndaj tij, përfshirë djalin e tij, me qëllim të pengimit të procedurave të DhSK-së”, thuhet në vendimin ku u konstatua se Fazliu ka rrezik që të pengojë procedurat e DSK-së.

Gjyqtarja e procedurës paraprake, Masselot thotë se asnjë prej kushteve të propozuara për lirimin me kusht të Fazliut nuk mund të jenë të mjaftueshme për t’i zbutur plotësisht rreziqet që dalin për këtë rast si dhe paraburgimi i tij është i nevojshëm.

Ndonëse ankesë në Apel, Kilaj nuk heq dorë nga rishikimi periodik i paraburgimit, mbrojtja kërkon lirim me kusht

Vlen të theksohet se me 19 qershor 2025, mbrojtja e Kilajt e përfaqësuar nga Alexander Admiraal me 19 qershor 2024, paraqiti një ankesë ndaj vendimit të tretë të Speciales për vazhdimin e paraburgimit. Kjo ankesë është ende në shqyrtim por Kilaj me 27 qershor 2025 ka bërë të ditur se nuk heq dorë nga e drejta e tij për rishikim periodik të paraburgimit të tij pavarësisht se nuk ka ndonjë vendim në ankesën e tij.

Sipas vendimit të fundit për vazhdimin e paraburgimit për Isni Kilajn, Prokuroria thotë se asnjë garanci e dhënë prej tij dhe asnjë kusht për lirim nuk mund të zbus mjaftueshëm rreziqet që dalin nga ky proces konkretisht atë të arratisjes, pengimin e procedurave dhe kryerjen e krimeve të tjera.

Sipas Prokurorisë, këto rreziqe mund të menaxhohen në mënyrë efektive vetëm në qendrën e paraburgimit.

Në përgjigje të Prokurorisë, mbrojtja e Kilajt kishte parashtruar se vazhdimi i paraburgimit për klientin e saj nuk është i arsyeshëm dhe proporcional dhe ai duhet të lirohet me kusht.

Mbrojtja kishte parashtruar se koha e kaluar në paraburgim para gjykimit rreth 14 muaj e gjysmë si dhe koha kur ka qenë për pothuajse shtatë muaj në lirim të përkohshëm tejkalon çdo dënim përfundimtar me burgim.

“Mbrojtja e z. Kilaj parashtroi se, në rast dënimi: (i) si periudha e paraburgimit para gjykimit, ashtu edhe të paktën një pjesë e kohës në lirimin e përkohshëm do të zbriten nga çdo dënim me burgim; (ii) duke marrë parasysh se, në përputhje me Rregullën 196(2) të Rregullores, z. Kilaj do të ketë të drejtë të kërkojë ulje të dënimit pasi të ketë vuajtur dy të tretat e tij, 14 muajt e gjysmë të kaluar në paraburgim përfaqësojnë dy të tretat e një dënimi prej 21 muajsh e ¾ burgim (që tejkalon dënimin maksimal prej gjashtë (6) muajsh të paraparë për veprën penale të fyerjes së gjykatës, siç është e përfshirë në aktakuzë); dhe (iii) edhe nëse z. Kilaj dënohet për veprën më të rëndë të përpjekjes për të penguar personat zyrtarë, siç është e përfshirë në aktakuzë, ka të ngjarë që çdo dënim të jetë në kufijtë më të ulët të shkallës së dënimeve prej një (1) deri në pesë (5) vjet burgim”, thuhet në vendim.

Veç kësaj, mbrojtja thotë se çdo rrezik i konstatuar mund të menaxhohet përmes kushteve për lirim të cilat Kilaj është i gatshëm që t’i respektojë.

Mbrojtja thotë se garancia pre 40 mijë eurove dëshmon se ai nuk ka qëllim që të arratiset ose të pengojë procedurat apo të kryej krime të tjera.

Gjyqtarja e procedurës paraprake, Masselot ka konstatuar se ekziston rreziku që Kilaj të arratiset, pengojë procedurat ose të kryej krime të tjera.

Konstatimet për rrezikun e arratisjes, gjyqtarja e ka mbështetur ndër të tjerash në vlerësimin se ai ka mjete dhe mundësi që të shmanget drejtësisë si dhe mund të ketë aftësinë për të mobilizuar mbështetje për ta bërë një gjë të tillë duke marrë parasysh edhe profilin e tij që ka në Kosovë.

Ndërsa konstatimet për pengim të procedurave, gjyqtarja e mbështetë në qasjen e Kilajt në informacione të ndjeshme që lidhen me dëshmitarët, gatishmëria e ij për t’i shkelur urdherat e gjykatës etj.

Kurse, për dorëzaninë e propozuar prej 40 mijë euro, gjyqtarja thotë se mbrojtja nuk e ka sqaruar si duhet se si një pagesë e tillë e eliminon rrezikun për pengim të procedurave. Si rrjedhojë, gjyqtarja ka thënë se ky propozim nuk do të merret në konsideratë.

Hashim Thaçi ndodhet në Qendrën e Paraburgimit në Hagë që nga nëntori i vitit 2020. Ai është duke u gjykuar për krime lufte, si dhe vitin e kaluar i është ngritur aktakuza kundër administrimit të drejtësisë.

Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

Ndërsa, lidhur me rastin kundër administrimit të drejtësisë, Bashkim Smakaj, Fadil Fazliu dhe Isni Kilaj u arrestuan më 5 dhjetor 2024 në Kosovë dhe u transferuan në objektin e paraburgimit në DhSK, më 6 dhjetor 2024 në bazë të aktakuzës së konfirmuar dhe fletarrestimeve të lëshuara nga Haga.

Ndërsa, Thaçit i është dorëzuar fletarrestimi në objektin e paraburgimit në Hagë më 5 dhjetor 2024, gjithnjë sipas njoftimit të DhSK-së.

Kurse, Hajredin Kuçit i është dorëzuar aktakuza e konfirmuar dhe fletëthirrja për t’u paraqitur para gjykatëses së procedurës paraprake për paraqitjen e parë, e cila u mbajt 9 dhjetor.

Sipas aktakuzës, Thaçi individualisht dhe përmes veprimeve të përbashkëta me grupet; Grupi Fazliu (Fadil Fazliu dhe FahriFazliu), Grupin Smakaj (Bashkim Smakaj, Blerim Shala dhe Artan Behrami) si dhe Grupin Kilaj (Isni Kilaj dhe VllaznimKryeziu), kanë ndjekur një model të sjelljes për të penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare.

Në aktakuzë thuhet se Thaçi ka udhëhequr dhe marrë pjesë në këto përpjekje përmes vizitave të tij në objektet e paraburgimit gjatë kohës sa ishte i paraburgosur në kuadër të gjykimit të tij për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Aty thuhet se anëtarët e Grupit Fazliu, Grupit Smakaj dhe Grupit Kilaj u koordinuan për të ndikuar në dëshmitarët e ZPS-së gjatë vizitave jo të priveligjuara të datave 2 korrik, 9 shtator dhe 6 tetor 2023.

Si rrjedhojë, ndaj Thaçit rëndojnë tri akuza për pengim të personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare, tri për shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe katër akuza për mosbindje ndaj gjykatës.

Ndërsa, Kilaj, Smakaj dhe Fazliu akuzohen për tentativë të pengimit të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare dhe mosbindje ndaj gjykatës. Kurse, Kuçi i ka dy akuza për mosbindje ndaj gjykatës. /BetimipërDrejtësi

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se…