Në Prishtinë promovohet libri i ri i Zef Mazit për diplomacinë e padukshme të Kosovës
Në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës në Prishtinë, është përuruar libri më i ri i ambasadorit Zef Mazi, me titull “Kosova, lufta e heshtur: Diplomacia e padukshme që ndryshoi lojën (1991–1999)”.
Në këtë promovim morën pjesë personalitete nga fusha e diplomacisë, akademisë dhe jetës publike, si dhe lexues e studiues të interesuar për historinë moderne të Kosovës.
Libri është botuar nga shtëpia botuese Onufri dhe trajton periudhën 1991–1999 dhe hedh dritë mbi rolin e diplomacisë së padukshme në zhvillimet që ndikuan në fatin e Kosovës gjatë viteve vendimtare.

Nëpërmjet këtij botimi, ambasadori Mazi sjell një këndvështrim të veçantë mbi proceset diplomatike që, sipas autorit, luajtën rol kyç në ndryshimin e rrjedhës së ngjarjeve për Kosovën.
Në fjalën e tij, ish ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, ka theksuar se lufta e heshtur e diplomacisë tregon për betejat që fitohen çdo ditë, kur njerëzit, idetë dhe ngjarjet takohen për t’i dhënë drejtim historisë drejt çlirimit dhe pavarësisë.
“Zef Mazi, në cilësinë e ambasadorit të Shqipërisë, ka qenë njëkohësisht ambasador i çështjes së Kosovës si kauzë, duke i shërbyer vazhdimisht idesë së pavarësisë dhe shtetformimit. Në promovimin e librit të tij “Kosova, lufta e heshtur: Diplomacia e padukshme që ndryshoi lojën (1991-1999), u rikthye në vëmendje kjo diplomaci e padukshme që ka lënë gjurmë të thella në rrugën e Kosovës drejt lirisë”, ka theksuar Hoxhaj.




