Në pritje të Komisionit Evropian: Çfarë do të përfshijë raporti për Kosovën?
Komisioni Evropian pritet të miratojë dhe të publikojë së shpejti paketën vjetore të zgjerimit, së bashku me raportet e progresit për vendet që përfshihen në këtë proces, në përputhje me orarin tradicional të Paketës Vjetore të Bashkimit Evropian.
Në bazë të agjendës së publikuar nga Kolegji i KE-së, paketa vjetore e zgjerimit është planifikuar të publikohet më 29 tetor. Kjo do të jetë paketa e parë e zgjerimit që do të miratohet nga përbërja e re e KE-së, pas marrjes së mandatit në janar të vitin 2025.
Sa i përket Kosovës, raporti pritet të vlerësojë nëse është bërë progres në sektorët kyç të qeverisjes dhe reformave, përfshirë sundimin e ligjit, administratën publike, luftën kundër korrupsionit, avancimin e shërbimeve publike dhe tranzicionin e gjelbërt, raporton albanianpost.
Raporti i Progresit për Kosovën pritet të përmbajë vërejtje për mungesën e gatishmërisë për t’i zbatuar obligimet që dalin nga dialogu i lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. KE-ja pritet që të bëjë ftesë për më shumë progres në sigurimin e një gjyqësori të pavarur dhe për respektimin e lirisë së medias.
Gjithashtu, situata politike dhe ajo e sigurisë në veriun e vendit të banuar me shumicë serbe do të jenë në fokus, krahas ngërçit politik në vend pas zgjedhjeve të fundit parlamentare, cili ka ndikuar drejtpërdrejt në zbatimin e reformave dhe bllokimin e Planit të Rritjes të BE-së, nga i cili Kosova mund të përfitojë mbi 880 milionë euro.
Një pjesë e raportit pritet t’i kushtohet edhe masave ndëshkuese. BE-ja ka sinjalizuar se mbarëvajtja e zgjedhjeve lokale, dhe veçanërisht pjesëmarrja e komunitetit serb, mund të ndikojë në mënyrë pozitive në procesin e heqjes graduale së këtyre masave.



