Në Prizren hapet ekspozita ‘Hasjania’

08 mars 15:51

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, mori pjesë në hapjen e ekspozitës së skulptorit Luan Mulliqi, të titulluar “Hasjania”, e cila u organizua në Galerinë e Hamamit në Prizren, aktivitet ky i organizuar nga MKRS-ja pas hapjes së zyrave të saj në qytetin jugor të Republikës së Kosovës.

Ministri Gashi me këtë rast u shpreh se në ditën më të rëndësishme të arsimit shqip, më 7 mars është hapur kjo ekspozitë. “Ju do të thoshit se çfarë lidhje ka 7 marsi me hasjanët, unë do të shtoja se mësuesi i shkrimtarëve të parë shqiptarë ishte Pal Hasi, nga i cili kishin mësuar Gjon Buzuku e Pjetër Budi, për të vazhduar më pas me Pjetër Bogdanin e Pjetër Mazrrekun, që gjithashtu janë nga Hasi i Skënderbeut. Andaj edhe unë u lumturova kur dëgjova për këtë ekspozitë dhe me kënaqësi e pranova që të jetë nën organizim të Ministrisë për Kulturë Sport dhe Rini”, u shpreh ministri Gashi.

Ai ka folur edhe për artistin Luan Mulliqi, me ç’rast ka vlerësuar se prezenca e tij e nderon qytetin e Prizrenit. Gashi ka thënë se akademik Mulliqi ka realizuar ekspozita personale në vende të ndryshme të botës si dhe në hapësirën mbarëshqiptare, e tani këtë radhë vjen edhe në Prizren, në qytetin shpirtëror të shqiptarëve.

Skulpturat që u paraqitën në këtë ekspozitë janë të punuara nga mermeri, bronzi, druri, alumini, magoni e materiale të tjera, klasike e modern dhe përmes saj synohet të dëshmohet se trashëgimia jonë kulturore duhet të pasqyrohet sa më shumë brenda dhe jashtë vendit.

/Epoka e re/

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Universiteti i Mitrovicës “Isa Boletini” nga e premtja do të…