Në Reggio Emilio të Italisë themelohet Këshilli i Arsimtarëve të Shkollave Shqipe, Reçica: Kështu e ruajmë identitetin, gjuhën dhe kulturën shqipe
Zyrtarët e lartë të Partisë Demokratike të Kosovës, Elmi Reçica, Enver Hoxhaj, Vlora Çitaku dhe Blerta Deliu-Kodra po qëndrojnë në Itali. Ata sot kanë qenë prezent në aktin e themelimit të Këshillit të Arsimtarëve të Shkollave Shqipe në Reggio Emilio të Italisë.
Kështu ka bërë të ditur deputeti i PDK-së, në kuvendin e Kosovës dhe njëherit shefi për diasporë i PDK-së, Elmi Reçica.
“Një nga çështjet më të rëndësishme dhe më me peshë të Mërgatës sonë është ruajtja e identitetit, gjuhës dhe kulturës shqipe. Andaj, shkolla shqipe në Mërgatë ka rol shumë të rëndësishëm që të ruaj dhe të kultivoj këto vlera, duke i mësuar fëmijët tanë në frymën e atdhedashurisë”, ka shkruar Reçica në llogarinë e vet në “Facebook”.
Njoftimi i plotë i Reçicës:
Shumë të lumtur që në Reggio Emilio të Italisë, së bashku me Enver Hoxhaj, Vlora Çitaku dhe Blerta Deliu-Kodra, të ishim prezent në aktin e themelimit të Këshillit të Arsimtarëve të Shkollave Shqipe në Itali.
Në një proces demokratik, kryetar u zgjodh Dritan Mashi, zëvendëskryetare Anila Berberi, sekretare Eglantina Delia-Likaj, ndërsa Kryetar i Kuvendit, u zgjodh veprimtari Besnik Veselaj!
Një nga çështjet më të rëndësishme dhe më me peshë të Mërgatës sonë është ruajtja e identitetit, gjuhës dhe kulturës shqipe. Andaj, shkolla shqipe në Mërgatë ka rol shumë të rëndësishëm që të ruaj dhe të kultivoj këto vlera, duke i mësuar fëmijët tanë në frymën e atdhedashurisë. Prandaj, është me shumë rëndësi themelimi i Këshillit të Arsimtarëve të Shkollave Shqipe, akt ky i cili bashkon të gjithë mësimdhënësit dhe rrit shkëmbimin e përvojave dhe bashkëpunimin në aspektin e zhvillimit të arsimit shqip në Itali.
Të zgjedhurve ju dëshiroj punë të mbarë dhe shumë suksese në këtë rrugëtim fisnik, si dhe ftoj të gjithë prindërit që fëmijët e tyre t`i dërgojnë në shkollat shqipe.