
Në shenjë solidariteti me protestuesit në Hagë, Nisma sot nuk mbanë aktivitete zgjedhore
Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka bërë me dije se në shenjë solidariteti me protestuesit në Hagë, partia që drejton ka vendosur që sot të mos zhvillojë aktivitete zgjedhore.
Limaj ka theksuar se është me këta protestues, pa asnjë rezervë, në mbrojtje të vlerave të luftës sonë çlirimtare, të sakrificës dhe dinjitetit kombëtar.
“Nga e gjithë bota, bashkatdhetarët tanë sot janë mbledhur në Hagë për të kërkuar drejtësi dhe lirimin e menjëhershëm të krerëve të UÇK-së që po mbahen padrejtësisht. Unë jam me ta, pa asnjë rezervë, në mbrojtje të vlerave të luftës sonë çlirimtare, të sakrificës dhe dinjitetit kombëtar”.
“Si bashkëluftëtar që kam ndarë orë, ditë dhe beteja me ta që nga fillimet e luftës, e di mirë se historia e Kosovës nuk mund të shkruhet nga akuza të padrejta që duan të njollosin sakrificën. Lufta jonë ka qenë dhe mbetet luftë çlirimtare e drejtë, për liri dhe demokraci, e përkrahur nga miqtë dhe aleatët tanë që njohën të vërtetën e kauzës sonë. Në shenjë solidariteti me protestuesit në Hagë, NISMA ka vendosur që sot të mos zhvillojë aktivitete zgjedhore. Sot zgjedhim të jemi me ju, me drejtësinë dhe me të vërtetën. Bashkë duhet të punojmë që zëri i popullit të dëgjohet, që sakrifica e një populli të mos njolloset dhe që drejtësia të triumfojë”, ka shkruar Limaj në “Facebook”.