Në shtator parashihet rrëzimi i qeverisë

10 qershor 14:32

Anëtari i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), njëherësh kryetari i Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti, ka thënë se iniciativa e opozitës për rrëzimin e qeverisë është përpjekja më serioze deri më tani në këtë drejtim.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka bërë me dije se në shtator parashihet rrëzimi i qeverisë.

“Të gjitha rrethanat janë treguese të mjaftueshme se në shtator do të ketë rrëzim të qeverisë. Në këtë situatë në të cilën gjendet vendi ynë është e nevojshme që të kemi një proces zgjedhor këtë vit”, është shprehur Ahmeti, duke shtuar se, përveç zgjedhjeve, nuk ka alternativë tjetër.

“Po i shohim dallimet esenciale në mes të krerëve institucionalë në përfaqësimin e vendit në institucione të ndryshme ndërkombëtare. Mendoj se vendit tonë nuk i duhen dy apo tre zëra të tillë, por i duhet një zë më unifikues dhe një legjitimitet më i fortë i institucioneve të reja që do të dalin nga zgjedhjet”, ka deklaruar ai.

Sipas Ahmetit, kjo qeveri nuk do të mund ta përfundojë procesin e dialogut me Serbinë dhe do të mbahet mend për demarkimin e kufirit me Malin e Zi dhe për qëndrimet e ndryshme në mes të liderëve shtetërorë.

“Nuk besoj se do të mund ta përfundojë këtë proces për shkak të dallimeve të mëdha që janë në mes të liderëve shtetërorë. Pikërisht edhe për këtë arsye duhet të mbahen zgjedhjet sepse na duhet një legjitimitet më i fortë dhe një qeverisje që do ta marrë përsipër dialogun në tërësi”, ka theksuar ai.

Në këtë intervistë Ahmeti ka folur edhe për procesin zgjedhor brenda LDK-së, me ç’rast ka thënë se rrahjet nëpër disa degë nuk do të sjellin pakënaqësi të mëdha apo ndarje të partisë. Sipas tij, arsyeja e situatave të tensionuara nëpër këto degë është tendenca për të ruajtur postin me çdo kusht.

“Unë jam i pakënaqur me procesin zgjedhor në disa degë në nivel vendi për arsye të tendencave të ruajtjes me çdo kusht të karriges së atyre që janë kryetarë dege dhe të pamundësisë së krijimit të një procesi fer në disa degë. Pra, arsyeja e situatave të tensionuara nëpër disa degë është tendenca për ta ruajtur postin me çdo kusht”, është shprehur Ahmeti.

“Epoka e re”: Z. Ahmeti, partitë opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Lëvizja Vetëvendosje (LV), kanë marrë një iniciativë për të bashkëpunuar për rrëzimin e qeverisë Haradinaj. Si e shihni këtë dhe a ka gjasa që të ketë sukses apo do të mbetet vetëm në formë deklarative?
Ahmeti: Në fakt, janë përpjekjet më serioze deri më tani në këtë drejtim. Mendoj se do të gjendet një formulë e përbashkët edhe me deputetët e partive të tjera, sepse nuk mjafton vetëm numri i deputetëve të partive opozitare. Edhe pse mund të mos jetë e shpejtë brenda jave apo muaji, por në shtator më së largu do të ndodhë.

“Epoka e re”: Pozita po ndihet komode dhe nuk po i frikësohet mocionit eventual të opozitës. Mund ta rrezikojë apo jo seriozisht opozita koalicionin qeverisës?
Ahmeti: Është normale sjellja e tillë e pozitës, sepse nuk mund të deklarohet e gatshme për këtë çështje përderisa është në pushtet. Nëse opozita është unike në tërësinë e vet, duke llogaritur këtu edhe PSD-në, gjithsesi iniciativa për rrëzimin e qeverisë është shumë serioze dhe do të ketë sukses.

“Epoka e re”: Për rrëzimin e kësaj qeverie po llogarisni edhe në votat e Listës Serbe?
Ahmeti: Nëse dikush llogaritë që të mbetet në pushtet me votat e Listës Serbe është shumë normale të llogaritet që edhe të rrëzohet nga pushteti po me këto vota.

“Epoka e re”: Keni siguruar ndonjë votë nga deputetët e koalicionit qeverisës?
Ahmeti: Ka indikacione të tilla dhe aktualisht opozita nuk llogarit në votat e deputetëve serbë, por llogarit në votat shtesë që mund të vijnë nga koalicioni qeverisës.

“Epoka e re”: Sipas mendimit tuaj, në shtator do të ketë rrëzim të qeverisë dhe zgjedhje të reja?
Ahmeti: Të gjitha rrethanat janë treguese të mjaftueshme se në shtator do të ketë rrëzim të qeverisë. Në këtë situatë në të cilën gjendet vendi ynë është e nevojshme të kemi një proces zgjedhor këtë vit.

“Epoka e re”: Pse mendoni se mbajtja e zgjedhjeve është zgjidhja e duhur?
Ahmeti: Sepse nuk ka alternativë tjetër. Po i shohim dallimet esenciale në mes të krerëve institucionalë në përfaqësimin e vendit në institucione të ndryshme ndërkombëtare. Mendoj se vendit tonë nuk i duhen dy apo tre zëra të tillë, por i duhet një zë më unifikues dhe një legjitimitet më i fortë i institucioneve të reja që do të dalin nga zgjedhjet.

“Epoka e re”: Si e vlerësoni qeverisjen e deritanishme dhe rolin opozitar?
Ahmeti: Nuk ka diçka të jashtëzakonshme me të cilën mund të krenohet qeveria aktuale. Kjo qeveri nuk ka lënë gjurmë të tilla, përveç një autostrade e cila lë për të dëshiruar sa iu përket shpenzimeve shtesë. Nuk e di a janë inskenime apo fakte këto dallime në mes të krerëve institucionalë, prandaj krejt çfarë do t’u mbetet në kujtesë qytetarëve gjatë këtyre gati dy vjetëve të qeverisjes janë qëndrimet e ndryshme të liderëve, kryesisht të presidentit dhe kryeministrit. Kjo qeveri mund të mbahet mend edhe për demarkimin e kufirit me Malin e Zi. Kurse sa i përket opozitës, ajo ka pasur një rol konstruktiv, nuk ka shkaktuar telashe siç ka qenë opozita e kaluar e cila ka përdorur edhe gaz lotsjellës në Kuvend të Kosovës. Kjo opozitë është treguar shumë më e pjekur dhe më kreative, duke ngritur tema të rëndësishme.

“Epoka e re”: Pavarësisht prej pritjeve, ky koalicion nuk do të mund ta përfundojë dialogun me Serbinë? Ju si e shihni ecurinë e këtij procesi?
Ahmeti: Nuk besoj se do të mund ta përfundojë këtë proces për shkak të dallimeve të mëdha që janë në mes të liderëve shtetërorë. Pikërisht edhe për këtë arsye duhet të mbahen zgjedhjet sepse na duhet një legjitimitet më i fortë dhe një qeverisje që do ta marrë përsipër dialogun në tërësi. Kryeministri aktual ju ka shmangur kësaj teme dhe e ka përcaktuar një delegacion shtesë i cili nuk mund ta përfaqësojë Kosovën. Qeveria e ardhshme duhet ta marrë vetë përgjegjësinë për dialogun me Serbinë.

“Epoka e re”: Lidhur me këtë proces, prisni diçka pozitive nga Samiti i Parisit?
Ahmeti: Nuk mendoj se do të kemi finalizim të procesit. Sigurisht se do të vazhdohet të krijohet opinioni i përbashkët rreth zgjidhjes së temave të rëndësishme në kuptimin e dialogut me Serbinë, por finalizimin e dialogut nuk e pres në këtë samit.

“Epoka e re”: Z. Ahmeti, si e komentoni procesin zgjedhor brenda LDK-së dhe kur pritet të mbahet Kuvendi i Përgjithshëm?
Ahmeti: Procesi ka pak telashe nëpër disa degë, por nuk janë aq të theksuara sa për të qenë shqetësuese për LDK-në. Procesi është duke u zhvilluar në shumicën e degëve tash në raundin e dytë dhe mendoj se në fund të qershorit do të përmbyllet. Edhe pse nuk jemi dakorduar ende në kryesinë qendrore të partisë për datën, mirëpo kah vjeshta mendoj se do të mbahet Kuvendi.

“Epoka e re”: Gjatë këtij procesi kanë ndodhur edhe disa rrahje. Ka rrezik që këto zhvillime të çojnë në ndarje të partisë?
Ahmeti: Personalisht nuk mendoj se do të ndodhë një situatë e tillë. LDK-ja e ka provuar një situatë të tillë më herët dhe tashmë ka një pjekuri dhe maturi më të madhe. Nuk ka pasur konflikte, por tensione për shkak të numrit të madh të anëtarësisë nëpër nëndegë për të marrë pjesë në zgjedhje. Unë jam i pakënaqur me procesin zgjedhor në disa degë në nivel vendi për arsye të tendencave të ruajtjes me çdo kusht të karriges së atyre që janë kryetarë dege dhe të pamundësisë së krijimit të një procesi fer në disa degë. Pra, arsyeja e situatave të tensionuara nëpër disa degë është tendenca për ta ruajtur postin me çdo kusht.

“Epoka e re”: Mund të ketë zhvillime të tilla edhe në Kuvendin kur do të zgjedhet lideri i partisë?
Ahmeti: Nuk besoj se mund të ketë pakënaqësi të niveleve të mëdha, por mund të ketë pakënaqësi individuale. Pritet të shihet gjatë zhvillimeve të mëtutjeshme, mirëpo nuk ka indikacione të tilla që mund ta derivojnë një ndarje apo një grup pak më të madh që mund të shkaktojë telashe. Thjesht, ka ide të ndryshme dhe do ta shohim deri në fund të procesit. Pa u mbyllur procesi i degëve nuk ka edhe nominime për kryetar të LDK-së.

“Epoka e re”: Megjithatë, janë përfolur disa emra dhe një pjesë e tyre nuk i kanë mohuar ambiciet në këtë drejtim. Për juve personalisht, kush duhet ta drejtojë LDK-në?
Ahmeti: Tash për tash nuk kam qëndrim lidhur me kandidatin e mundshëm për të vazhduar apo për ta marrë udhëheqjen e partisë. Kjo çështje sigurisht se do të dihet pasi të mbyllet procesi nëpër degë. Për ne është e rëndësishme që procesi të shkojë mirë, pastaj delegatët e degëve janë ata që do ta përcaktojnë kryetarin.

Shqipe HETEMI

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Duket se Igli Tare nuk do të shkojë te Milani,…