
Në vend se të ekspozohen krimet dhe intrigat e shërbimeve sekrete serbe, diskursi publik shpërqendrohet me narrativa politike
Shkruan: Besa Ismaili-Ahmeti
Shqiptari ka filluar të besojë më shumë se e vret shqiptari pas shpine, sesa që e vret shërbimi sekret serb.
Dhe kjo nuk është thjesht trashëgimi e historisë, kjo është prodhim i drejtpërdrejtë i klasës sonë politike.
Klasa politike e Kosovës ka kultivuar përçarje, korrupsion dhe tradhti kombëtare në çdo nivel, për hesapet më të ulëta elektorale.
Në vend që të ndërtohej një kulturë besimi, bashkimi dhe vigjilence përballë rrezikut serb e rus, është mbjellë mosbesim mes shqiptarëve, urrejtje krahinore dhe luftë primitive për interesa personale.
Kjo ka qenë gjithmonë arma më e fuqishme e armikut: ta lërë shqiptarët të merren me njëri-tjetrin, derisa veprimet e shërbimeve sekrete serbe dhe ruse të zbehen nga ndërgjegjja jonë kolektive.
Në vend që të ekspozohen e dokumentohen krimet dhe intrigat e tyre, diskursi publik shpërqendrohet me narrativat e politikanëve tanë, si sonte në Pressing / Zona Express nga ish-ministrja Shvarc, që në praktikë i shërbejnë propagandës serbe.
Ky është realiteti më i hidhur i politikës sonë: një klasë udhëheqëse që ka braktisur interesin kombëtar, shtetëror dhe qytetar dhe ka ushqyer vazhdimisht terrenin ku Serbia fiton, edhe në paqe.