Në vend të lamtumirës, Mil!

20 dhjetor 2022 | 11:27

Shkruan: Blerim Halimi

E vështirë të shkruaj për Ty në këto rrethana kur më nuk je në mesin tonë fizikisht. Ishe njeriu më pozitiv dhe më motivues që nga dita e parë që të njoha. Gazetaria sportive na mundësoi që të jemi edhe koleg, përveçse miq, por njohja jonë ndodhi në një fushë krejt tjetër, të cilën e deshe po aq  sa i deshe edhe sportin dhe gazetarinë sportive.

Ishte viti 1997, kur si maturant në SHME “Hoxhë Kadri Prishtina” iu përgjigja ftesës tënde që të bëhem pjesë e Shoqërisë Kulturo-Artistike “Malësia e Gollakut”. Aty filloi njohja dhe miqësia jonë. Ti, Mili, si udhëheqës artistik, e unë si valltar.

Ishin tre vjet argëtim e miqësi e jashtëzakonshme në këtë shoqëri në periudhën më të vështirë të vendit, kur kënga dhe vallja jonë kombëtare ishin, përveçse argëtim, edhe motiv për jetë. Një tjetër e përbashkët nga kjo shoqëri kulturore ishte se aty i gjetëm edhe fatet e jetës, duke krijuar familjet tona.

Pas përfundimit të luftës, e fillove punën në valët e zërit të lirisë “Radio Kosova e Lirë” dhe vendose të komentoje 90 minutat e plotë të ndeshjeve të futbollit, kur të gjithë dëgjuesit mahniteshin me zërin tënd të ëmbël, me gjuhën e artikuluar e me fjalët e rrjedhshme.

Duke e parë dëshirën time për futbollin dhe për gazetarinë sportive ma ofrove mundësinë të isha afër teje gjatë komentimit të ndeshjeve. Por, krahas komentimeve, Ti e kishe edhe emisionin e përjavshëm sportiv, në të cilin, përveç mysafirëve në studio, pjesë e emisionit ishte edhe rubrika e bashkëbisedimit me dëgjuesit dhe loja e asociacioneve sportive, të cilat më angazhove që t’i përgatisja, për të më futur kështu në rrjedhat e gazetarisë.

Më pas m’i hape dyert në televizionin e parë privat të pasluftës “TV AA” dhe në Radio Rilindja, së bashku me kolegun e nderuar, Gani Kosumi. Punuam së bashku për disa muaj, të cilët më shërbyen si përvojë për të ardhmen time në profesionin e gazetarit. Rrethanat e vështira të mbijetesës së “TV AA” dhe “Radio Rilindja” bënë që të merrja rrugën në gazetarinë e shkruar, duke nisur punën në të përditshmen “Rilindja”, e pas një periudhe të shkurtër në “Kosova Sot”.

Teksa vitet kalonin me shpejtësinë e dritës, miqësia e kolegialiteti ynë vazhdoi gjithmonë me biseda pozitive e me qëndrimin Tënd motivues.

Viteve të fundit ishim bashkë pothuajse në të gjitha ndeshjet që Kombëtarja e Kosovës i zhvillonte brenda e jashtë vendit. Optimizmi yt ishte i jashtëzakonshëm, edhe atëherë kur rezultatet nuk ishin ato që kishim dëshirë.

Këtë optimizëm e vullnet e kishe edhe një javë më parë kur të vizitova për herën e fundit, një ditë para se Ti të udhëtoje për në Francë.

Ishe i vetëdijshëm për seriozitetin e sëmundjes dhe për gjendjen tënde, por vullneti për jetën nuk të lejonte të dorëzoheshe. Ishe optimist se përqafimi ynë i asaj dite nuk do të ishte i fundit, kishe forcë e besim se nuk do të gjunjëzoheshe as para kësaj sfide dhe do të riktheheshe sërish në mesin tonë, ose së paku këtë e bëre që ne të besonim ashtu.

Por jo, Mil, kësaj radhe na tradhtove të gjithëve. U ktheve, por jo ashtu siç shpresonim e të prisnim. U ktheve…por vetëm për të ta dhënë lamtumirën e fundit dhe për të mbetur gjithmonë i freskët në kujtimet dhe në zemrat tona.

Ike herët, shumë herët, Mil. Kishe për t’i dhënë ende shumëçka familjes, shoqërisë e kolegëve, por Perëndia të deshi më shumë se ne.

Ishe i të gjithëve, sepse ishe pozitiv e fjalëmbël.

Pozitiviteti dhe buzëqeshja jote le të mbetet kujtimi më i mirë për Ty, miku im!

Pusho i qetë zëri ikonik i radios!

Faleminderit për gjithçka që bëre për mua dhe shumë të tjerë si unë…

Përgjithmonë i freskët në kujtimet tona!

(Varrimi i të ndjerit bëhet sot në orën 14:00, në varrezat e fshatit Makoc)

May be an image of 3 people and people standing

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Bashkatdhetarët tanë që jetojnë në Zvicër tashmë kanë bërë gati…