Në vend të prologut/ Shënim për përvjetorin jubilar të Teatrit të Gjakovës

29 gusht 2022 | 15:46

Nga Enver Mulliqi

Të dashur miq, lexues të nderuar!

Mbase Tema që do të shtrojmë në këtë shënim rasti, e arsyeton këtë titull, sepse lidhur me të, me siguri ju nevojiten paraprakisht disa informacione shtesë.

Ç’është e vërteta, në fillim të vitit 2017, nga Drejtori i Teatrit të qytetit të Gjakovës, Z. Edonis Kastrati, isha angazhuar që të përpiloj një Monografi gjithpërfshirëse për këtë institucion kulturor, duke filluar trajtimin që nga fillet e artit skenik me themelimin e shkollave të para shqipe me 1915 e deri me sot. I vetëdijshëm për kompleksitetin e kësaj detyre, pas një parapërgatitjeje, megjithate iu rrekëm punës së bashku me tre bashkëpuntorë të mi, Fuad Shasivari, Shkëlzen Rexha dhe Valdrin Vehapi, me seriozitet e përkushtim të shtuar, por edhe ngapak sakrifica, arritëm ta përfundojmë tekstin për lexim të parë.

Pasi Drejtori e lexoi tekstin dhe pas vërejtjeve që i kishte bërë në cilësinë e Kryeredaktorit (jo tipike), bëri që sërish t’i kthehemi punës dhe, përveç disa intervenimeve e korrigjimeve të vogla që, më parë edhe ne i kishim vërejtur, i inkorporuam të gjitha vërejtjet dhe sygjerimet e tij, duke e përmbyllur kështu si të gatshme Monografinë me titull “Një Shekull Teatër”.

Kështu, në muajin Tetor të vitit 2018, në prani të grupit punues dhe disa personave të tjerë, Drejtorit të Teatrit, pothuajse në mënyrë solemne, ia dorëzuam Monografinë e kompletuar, të bartur në Çip (USB), të gatshme për botim, gjë e cila nuk kishte ndodhur deri me sot. Mbase, shkaku mund të jetë mungesa e mjeteve financiare, e mbase edhe ndonjë gjë tjetër që unë nuk e di. Ju betohem, lexues të nderuar, se vërtet nuk e di! Madje, ndërkohë nuk kam vërejtur asnjë lëvizje në këtë drejtim. Ç’të bëjmë?! Do presim, patjetër!

Mirëpo, kjo nuk mund të jetë pengesë, sidomos për mua, si Autor i kësaj Monografie që, të mos reflektoj me këtë shkrim sado të shkurtër në vijim i cili, me shumë respekt i dedikohet një Jubileu, shumë të rëndësishëm, jo vetëm për Teatrin. Ju ftoj ta ndjekim së bashku!

JUBILEU I TEATRIT

Muaji Korrik i këtij viti, ka përmbushur plot 45 vjet nga themelimi i Teatrit profesionist në Gjakovë. Eshtë ky një Jubile i rëndësishëm, jo vetëm për Gjakovën dhe Rrafshin e Dukagjinit, por edhe për Kosovën, madje edhe më gjerë, për mbarë artdashësit shqiptarë, kudo që ata ndodhen.

Pikërisht, fillimi i Korrikut të vitit 1977, kishte shënuar kurorëzimin e angazhimit dhe përpjekjeve të parreshtura të këtyre artdashësve, e sidomos realizimin e ëndrrës së kahmotshme të më se 200 amatorëve të Teatrit “Emin Duraku” në Gjakovë, me vendimin për themelimin e Teatrit profesionist, duke flakur njëherë e mirë dilemën se, a ishte kjo nevojë apo domosdoshmëri.

Duke u ndier krenarë me nivelin e vlerave artistike të shumë realizimeve teatrore deri atëherë, nuk kishte organizatë shoqërore, organe vetqeverisëse, asociacione të shoqërisë civile apo edhe shoqata të ndryshme, sidomos atyre kulturo-artistike, e deri tek qytetarët e rëndomtë, që nuk i kishin dhënë mbështetje pa rezervë punës, angazhimit dhe aspiratave, posaçërisht të shumë antarëve të Teatrit amator “Emin Duraku” për ta avancuar punën e tyre, përmes themelimit të një Teatri profesionist. Ndaj edhe, që të gjithë iu gëzuan këtij momenti.

Eshtë pra ky një Përvjetor me rëndësi të veçantë. 45 vite më parë kishte filluar puna e Teatrit profesionist në Gjakovë, të parit në Rrafshin e Dukagjinit dhe të dytit në Kosovë, pas atij në Prishtinë. Ishtje kjo hapje e një kapitulli të ri drejt sukseseve të mëtejme. Ndaj, është për të besuar se edhe Komuna e Gjakovës,

së bashku me qytetarët e saj dhe me, sot Teatrin e qytetit “Hadi Shehu”, denjësisht do ta shënojnë e kremtojnë këtë Përvjetor Jubilar.

Por, si ndodhi kjo?! Kishte ardhur natyrshëm si nevojë, apo ishte rezultat i një trysnie që amatorët e vyeshëm gjakovarë, me një angazhim të rrallë dhe përkushtim të theksuar në zhvillimin e artit skenik tek ne, ishte imponuar tek vendimmarrësit relevant të kohës, për një ndërmarrje të tillë shumë domethënëse për mbarë opinionin artdashës. Për të qartësuar këtë, mbase është e nevojshme të kthehemi në retrospektivë dhe, për pak çaste, të përkujtojmë disa faktorë relevant që kanë pasur ndikim në këtë vendimmarrje të rëndësishme.

Ishte koha kur në bazë të shumë nismave të mëhershme, në kuadër të shoqërive të ndryshme kulturo-artistike, që mund të quhen si fille të artit skenik, pastaj edhe aktivitetit të rregullt e të organizuar të Teatrit amator “Emin Duraku”, ishte imponuar nevoja që të bëhej një rekapitulim rezultatesh, i cili pastaj do të shërbente si bazë për hartimin e Kërkesës, në formë Elaborati për arsyeshmërinë e formimit të Teatrit profesionist në Gjajovë. Ky dokument ishte punuar enkas për këtë qëllim, duke shkoqitur në detaje dhe në mënyrë të argumentuar arsyeshmërinë e themelimit të Teatrit profesionist, ndërkaq nga Bashkësia Kulturo-Artistike e Kosovës dhe nga Kuvendi i Komunës së Gjakovës, pritej të merret vendimi definitiv.

ELABORATI

Elaborati aso kohe, i kishte bërë të qarta të gjitha argumentet që flisnin në favor të arsyeshmërisë për themelimin e Teatrit profesionist. Ky dokument, në preambulën e vet kishte vërejtur se Kosova me një milion e dyqind mijë banorë, ka vetëm një teatër profesionist, kurse në vende të tjera, p.sh. në Shqipëri, një teatër vinte në dyqind mijë banorë, në Poloni në 50 mijë, e në Suedi në 20 mijë banorë. Vojvodina me 2 milion banorë, kishte 10 teatro profesioniste me më shumë se 15 trupa të përhershme teatrale. Kjo nuk donte koment!!

Elaborati ishte marrë edhe me faktorin gjeografik, duke pohuar se Rrafshi i Dukagjinit, me Gjakovën në mes, është vendi më i përshtatshëm për themelimin e Teatrit të dytë profesionist në Kosovë. Si argument tjetër mjaft të rëndësishëm Elaborati kishte potencuar edhe traditën, të cilën tashmë me shumë sukses e kishte ndërtuar Teatri amator “Emin Duraku” i cili prapa kishte lënë 75 premiera të shfaqura, 12 premiera për fëmijë, 8 recitale skenike me rreth 500 repriza dhe me më shumë se 400 mijë shikues. Me këtë bilanc të punës së tij, nuk krenoheshin vetëm 200 amatorët (aktorë, regjisorë, skenografë, teknikë etj.) sa kishin defiluar deri atëherë nëpër dërrasat e këtij teatri, por edhe të gjithë banorët e kësaj ane dhe të Kosovës në përgjithësi.

Natyrisht, në këtë Elaborat ishin shkoqitur edhe argumente të tjera, si ai i kuadrit, hapësirës, potencialit material dhe atij financiar, që kishin rezoltuar të favorshme. Edhe përfundimi i ndërtimit të Pallatit të kulturës në Gjakovë, koiçidonte me kërkesën për themelim të Teatrit profesionist, për nevojat e të cilit çështja e hapësirës, jo vetëm që nuk paraqiste ndonjë problem, por kjo ishte e zgjidhur në mënyrën më fatlume, me tërë infrastrukturën që i nevojitej një Teatri modern. Pra, një tempull i vërtet i artit dhe kulturës.

Ndërkaq, sipas marrëveshjeve paraprake, çështja materiale e financiare i kishte mbetur Bashkësisë Kulturo-Arsimore të Kosovës në Prishtinë dhe Bashkësisë Vetëqeverisëse të Interesit për Kulturë në Gjakovë, si bashkëthemelues të këtij Teatri. Pra, pritej vetëm vendimi i tyre, sepse parakushtet e tjera ishin plotësuar.

LAJMI HISTORIK

Dhe, më në fund, kishte arritur lajmi i shumëpritur! Më 24 Dhjetor 1976, nga dy institucionet më të larta të kulturës, BKA-a Krahinore dhe BVI Komunale, ishte marrë Vendim për themelimin e Teatrit popullor në Gjakovë. Ndër të tjera, në këtë Vendim theksohej se Teatri popullor në Gjakovë do të fillojë punën me vënien në përdorim të Pallatit të Kulturës “Asim Vokshi”, më së largu më 1 Korrik 1977. Sipas kësaj, kishte aq kohë sa të bëheshin të gjitha përgatitjet e nevojshme rreth përzgjedhjes dhe konsolidimit të trupës së re teatrore, zgjedhjes së organeve udhëheqëse, si dhe formimit të Këshillit të parë artistik.

E, trupa e vjetër e Teatrit amator “Emin Duraku që, deri atëherë, ishte aktive, përveç se kolegëve të tyre të Teatrit profesionist, u kishte uruar nga zemra punë të mbarë e të suksesshme, ua kishte lënë porosi edhe një gjë të çmuar, atë të entuziazmit, me dëshirë që edhe punën e tyre në të ardhmen, ta karakterizojë kjo cilësi.

NISMË E MBARË

Pasi ishin ndërmarrë të gjitha veprimet procedurale për themelimin e Teatrit popullor në Gjakovë, duke e konstituuar fillimisht edhe Këshillin artistik dhe duke bërë përzgjedhjen e 12 anëtarëve të Dramës, në fillim të Korrikut të vitit 1977, ky Teatër i vendosur në Pallatin e bukur të kulturës “Asim Vokshi”, filloi punën e rregullt në sezonin e tij të parë artistik 1977/78. Këshilli i posaformuar artistik, në përbërje të: Besim Bokshi (kryetar), Shani Hoxha, Vehap Shita, Din Mehmeti, Muharrem Qena, Enver Gjergjeku, Enver Mulliqi, Gani Jetishi, Xhevat Vehapi, Rauf Dhomi, Hadi Shehu dhe Skender Rexha (antarë), morën vendim që në këtë sezon orientimisht të përgatiten katër premiera, nga të cilat njëra për fëmijë.

Duke dashur që sezoni të fillojë me një pjesë origjinale, pas një shqyrtimi dhe debati konstruktiv, ky Këshill kishte vendosur që puna e Teatrit Popullor në Gjakovë të fillojë sezonin e parë me Dramën e Fadil Krajës “Fisheku në pajë”, një dramë psikologjike familjare, me tematikë bashkëkohëse që, për subjekt kishte emancipimin e popullit, e veçmas të femrës shqiptare, në regji të Pedagogut Muharrem Qena.

Ky Këshill, po ashtu kishte vendosur që, në kuadër të shënimit sa më dinjitoz të 100-vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Teatri Popullor i Gjakovës për nder të këtij përvjetori, të përgatisë edhe shfaqjen tjetër të sezonit të dytë teatror: “Epoka para Gjyqit”, me autor dhe në regji të Ekrem Kryeziut. Përmes gjykimit të dy prijësve Abdyl Frashërit, ideologut të Lëvizjes shqiptare të kësaj epoke dhe Sulejman Vokshit, kryekomandantit të Ushtrisë kryengritëse, zbulohej e tërë tragjikja e madhërishme e luftërave, e qëndresës dhe e flijimit të popullit shqiptar.

Këto dy premiera ishin shfaqur në Pallatin e kultures “Asim Vokshi” me shumë sukses, para një numri rekord shikuesish gjakovarë dhe artdashës të tjerë, të cilët nga gjithandej kishin ardhur për t’i shijuar vlerat e krijuara të artit skenik. Ansambli i ri, por jo pa përvojë, më tutje kishte vazhduar të vërë në skenë vepra të ndryshme të autorëve të njohur, si dhe të punojë me shumë regjisorë inventiv në inskenimin e këtyre veprave. Sepse, Këshilli drejtues, e sidomos ai artistik i këtij Teatri, vëmendje të veçantë i kishte kushtuar përpilimit të repertorit me vepra të dramaturgjisë botërore dhe asaj origjinale shqipe, si dhe përzgjedhjes së regjisorëve, të cilët do të merreshin me inskenimin e këtyre veprave.

REPERTORI

Repertori i Teatrit të Gjakovës, përherë ishte sajuar nga veprat dramaturgjike të letërsisë shqiptare, të letërsive të ish popujve jugosllavë dhe të letërsisë botërore. Të përmendim vetëm disa nga këta dramaturge: Zh. P. Sartr, A. Strindberg, B. Nushiq, S. Frashëri, F. Schiler, J. Buxhovi, D. Agolli, M. Bori, N. Ostrovski, D. Mehmeti, Y. Shkreli, B. Musliu, E. Morris, Moleri, R. Qosja, M. Ramadani, E. Robles, M. Kraja, S. Çamora, B. Brehti, V. Alen, H. Mulliqi, M. Nura, F. Kraja, H. Zibler, M. Krasniqi, E. Kryeziu, A. D. Benedeti, E. Idle, A. Shkreli, I. Breshan, A. Nelison, e të tjerë, me veprat e tyre u prezentuan para publikut gjakovar dhe, jo vetëm.

Kontribut të çmuar në këtë drejtim kishte dhënë inskenimi i shumë veprave dramaturgjike të autorit Prof. dr. Haqif Mulliqi i cili, sidomos në periudhën e vështirë të pasluftës, ishte mjaft i pranishëm dhe i suksesshëm në këtë Teatër, madje edhe si regjisor i tyre. Shfaqjet e tij ishin pritur jashtëzakonisht mirë, si nga publiku i brendshëm ashtu edhe ai i jashtëm në takime e festivale teatrore kombëtare e ndërkombëtare. Nuk është qujtur prandaj kot, kjo periudhë si kohë e ringjalljes së Teatrit.

REGJISORËT

Duke hequr mendimet për tekstin e dramës si vepër letrare, koncepti regjisorial ishte çështja e parë, shpesh kryesore, që shtrohej në lidhje me suksesin e shfaqjes. Edhe kritikët prandaj, me rastin e vlerësimit të shfaqjeve të këtij Teatri, në shkrimet e tyre i kishin dhënë rëndësi të veçantë kësaj çështjeje. Kjo ishte e arsyeshme edhe për faktin se regjisori është dhe mbetet autor i shfaqjes, po aq sa është edhe shkrimtari autor i dramës, pavarësisht se shfaqja është, megjithatë, krijim artistik kolektiv.

Për inskenimin e veprave të ndryshme dramaturgjike, ishin angazhuar regjisorë të njohur dhe me namë, shumica prej të cilëve ishin edhe pedagogë në akademitë përkatëse të artit dramatik në Prishtinë, Tiranë, Shkup e gjetiu, shfaqjet e të cilëve, jo vetëm që ishin të suksesshme, por ata i kishin bërë nder këtij Teatri, edhe me ngritjen profesionale të ansamblit të tij, duke e përgatitur për realizime të suksesshme në vazhdim të punës dhe veprimtarisë së tij.

Muharrem Qena, Ekrem Kryeziu, Haqif Mulliqi, Besim Sahatqiu, Fadil Hysaj, Agim Sopi, Serafin Fanko, Gëzim Kame, Milto Kutali, Esat Oktrova, Atdhe Gashi, Aca Kovaqeviq, Luan Daka, Skender Nimani, Mirko Stefanovski, Ahmet Jakupi, Fetah Mehmeti, Agim Selimi, Ilir Bokshi, Zana Krasniqi, Burbuqe Berisha e të tjerë, janë emra regjisorësh të njohur, me një bagazh të pasur të veprave që me shumë sukses, inskenuan gjithandej nëpër teatro të ndryshme.

Disa nga këta regjisorë, me inskenimet e tyre të shpeshta në Teatrin e Gjakovës, pothuajse ishin të rregullt, si: Muharrem Qena me 9 shfaqje, Haqif Mulliqi me 8 shfaqje, Fadil Hysaj me 6 shfaqje, Ekrem Kryeziu me 5 shfaqje, Atdhe Gashi me 7 shfaqje dhe së fundi Ilir Bokshi me 8 shfaqje. Pasojnë pastaj regjisorët nga Shqipëria, Gëzim Kame me 5 shfaqje kurse Serafin Fanko e Milto Kutali me nga 3 shfaqje si dhe Holger Zibler nga Gjermania me 3 shfaqje. Të tjerët pastaj, kanë realizuar nga 1-3 shfaqje gjatë kësaj periudhe.

INTERPRETIMI – AKTORËT

Nëse interesimi i kritikëve, fillimisht ishte përqendruar në konceptin regjisorial, pra mbi vizionin krijues dhe imagjinativ të regjisorit si autor i shfaqjes, ishte e natyrshme që mëpastaj ky interesim të zbresë tek aktorët. Në shkrimet e tyre për shfaqjet, trupës së aktorëve në përgjithësi dhe aktorëve të caktuar në veçanti, u kishin dhënë vend meritor.

Pothuajse në të gjitha shkrimet e kritikëve, kishte zotëruar vlerësimi se ansambli i këtij Teatri ishte një trupë e disiplinuar dhe me qëndrim profesionist ndaj detyrave; se e shquan homogjeniteti në lojën skenike; se funksionon në rastet më të shpeshta si një organizëm kompakt; se këtë trupë e shquan përkushtimi dhe entuziazmi, dhe se është kënaqësi e posaçme të punohet e të krijohet me të.

Në këtë drejtim, si publikut ashtu edhe kritikëve, nuk u kishte shpëtuar vlerësimi jashtëzakonisht i mirë dhe i drejtë i roleve të cilat i kishte interpretuar aktori i madh Hadi Shehu. Me interpretimet e tij brilante të personazheve të ndryshme në shumicën e shfaqjeve të këtij Teatri, ishte krijuar histori, brenda së cilës, vet Hadiu e kishte krijuar Epokën e tij.

Të gjithë ata që e kishin përcjellur nga afër krijimtarinë e tij prej aktori, sidomos publiku artdashës, pastaj kritikët, e madje edhe shumë gazetarë që kishin zhvilluar biseda e intervista të ndryshme me të, kishin thurur e ngritur lëvdata, duke dhënë epitete të ndryshme për Hadiun dhe duke e konsideruar si aktor të madh, të veçantë, doajen, kolos, yll, vigan, gjigant, aristokrat, baba, emblemë, ikonë, korife, bardi, e madje edhe mbret të skenës.

Sikur ky emërtim i fundit “Mbret i skenës” na duket më i miri, më adekuati dhe më i qëndrueshmi, sepse plotësisht i përgjigjet veprës madhore të krijimtarisë artistike skenike të Hadi Shehut i cili, porsi mbret i vërtetë e kishte mbizotëruar skenën dhe kishte sunduar mbi të, duke i respektuar dhe përmbushur të gjitha specifikat dhe kërkesat e saj.

Ndërkohë, pikërisht në vitin 1996 dhe diçka pas tij, kishte mbizotëruar një heshtje, heshtje e rëndë, e shurdhër, sikur ajo para fortunës, e cila gjithsesi ishte reflektuar edhe në punën dhe aktivitetin e Teatrit që, pas ndërprerjes së financimit, me një presion të shtuar të represionit të okupatorit, me masat e dhunshme të tij dhe luftën që zhvillonte ndaj kulturës shqiptare, edhe Teatrit i kanosej shuarja ose mbyllja e tij përgjithmonë.

E pastaj, ndodhi ajo që kishte për të ndodhë, lufta pra dhe, për këtë periudhë, e cila mund të përshkruhet si amorfe për Teatrin, nuk kishte pasur ndonjë aktivitet, pos përpjekjeve për të mbijetuar. E, në këto përpjekje, me tërë qenien ishte angazhuar edhe vet Hadiu, për disa vjet edhe si Drejtor i cili, edhe ashtu përballej me një luftë tjetër, me disa ankesa e probleme shëndetësore, luftë kjo, kundër së cilës, megjithatë ngadhnjeu, sikundër që, edhe pas një lufte heroike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe intervenimit të trupave të NATO-s, u mund edhe vet okupatori, ky armik shekullor i të gjithë shqiptarëve.

Derisa luftëtarët e lirisë kishin ngadhnjyer me luftën e tyre me armë, ndërkaq, për ta mbajtur gjallë Teatrin e Gjakovës dhe për t’u folur shqip në të, lufta këtu ishte fituar me mençuri, këmbëngulje dhe sakrificë. Pos të tjerëve, kësaj lufte i kishte prirë dhe stoikisht i kishte qëndruar përballë edhe drejtori i këtij Teatri, Hadi Shehu.

Pas një viti e tutje, gjendja shëndetësore e Hadiut sa vinte e përkeqësohej. Kërkoheshin vizita, shqyrtime, analiza dhe tretman mjekësor, të cilave gjithsesi duhej nënshtruar, sikurse më vonë, për fat të keq, edhe operacionit të pashmangshëm. Mungesa e Hadiut, i cili po përpëlitej gjithandej nëpër mjekë dhe institucione shëndetësore për ta mundur sëmundjen, ndjehej kudo. Ndihej kjo edhe tek trupa e teatrit, e sidomos te publiku dhe dashamirët e artit skenik, të cilët tashmë ishin mësuar me te dhe me rolet e tij në shfaqje të ndryshme.

E kishin pritur Hadiun ta shohin edhe në shumë projekte të tjera, por sëmundja nuk e lejoi. U nda nga jeta më 12 mars 2017. Kjo ndarje e kolosit artistik u konsiderua gjithandej si humbje e madhe për artin teatror dhe atë kinematografik. Me shkëlqimin dhe gamën e gjerë të roleve të tij të shumta, ai do të vazhdojë të jetë shembull për artistët e rinj.

Për lamtumirën e fundit, Hadiut iu kishte organizuar një tubim madhështor komemorativ dhe, me rastin e varrimit, një ceromini e rrallë mortore. Një javë më pas, bashkëvendasja, profesoresha e gjuhës shqipe Samile Sefa Haraqija, kishte botuar për Mbretin e skenës Hadi Shehun, këtë Nekrolog:

“Ky aktor i madh, Hadi Shehu, Mbreti i skenës. Falë kreacioneve të gdhendura artistike në role e karaktere të shkëlqyera që na i fali të gjithëve, me këtë aktor të shkëlqyer të Teatrit, me një elegancë dhe sharm skenik të rrallë, me zë kumbues dhe të ngrohtë, tani e tutje do të mbetet i pashlyeshëm në kujtesën tonë. Të gjithë ne, arti shqiptar në përgjithësi, e sidomos skena teatrore dhe ajo filmike, humbëm një kolos i cili një kohë të gjatë na dhuroi kënaqësi me talentin e vlerat e tij të çmuara, ndaj Hadi Shehu, duke krijuar histori dhe Epokë në këtë lloj të artit skenik, praktikisht ka fituar pavdekësinë, të cilën e ka merituar.”

Gjerdani i perlave të Hadi Shehut do të bashkërenditet me atë të A. Moisiut, N. Frashërit, S. Prosit, K. Roshit, V. Manushit, B. Lakos, B. Fehmiut e tjerë. Gjerdani i Hadi Shehut do të jetë monument ngushëllimi për ne, model dhe shkollë për brezat e rinj.

DOAJENET & TRUPA REZIDENTE

I këthehemi sërish punës dhe angazhimit të trupës teatrore. Gjatë gjithë kësaj periudhe e cila po trajtohet, kontribut të çmuar në veprimtarinë e Teatrit Profesionist në Gjakovë, në vazhdimësi kishte dhënë edhe grupi i doajenëve (Hysen Binaku, Jahja Shehu, Sylejman Lokaj, Myrvete Kurtishi) që, nga Këshilli drejtues dhe ai artistik, ishte avancuar në bazë të vlerësimeve të kritikës për punën e tyre kreative në realizimin e roleve të ndryshme, pastaj aktorët Niman Muçaj, Elida Shasivari, Bislim Muçaj, Ramazan Bërkani dhe Myradije Muriqi, shumë të përafërt me këtë grup, si dhe e tërë trupa rezidente teatrore, duke përfshirë këtu edhe trupën aktuale e cila, me kreacionet e saj në projekte të ndryshme teatrore kishte mundësuar rriten dhe zhvillimin e këtij institucioni kulturor.

SKENOGRAFET E TE TJERET PER SKENEN

Pas çdo premiere të këtij Teatri, në vështrimet analitike për shfaqjet, kritikët nuk kishin lënë pa dhënë ndonjë mendim, ndonëse të kufizuar e të përgjithshëm, për skenografinë, për muzikën, kostumet, e ndonjëherë edhe për maskat. Për to, zakonisht kishin thënë se ishin funksionale dhe në shërbim të shfaqjes, duke përdorur shprehje të standardizuara, si p.sh: skenografia ishte impresive, e qëlluar, funksionale, për kostumet – të goditura e të qëlluara, kurse muzika – impresive, ilustrative e në funksion të shfaqjes dhe të tjera të ngjashme. Megjithatë, puna e skenografit të përhershëm të Teatrit të Gjakovës, Skender Rexha, e më vonë edhe të Petrit Bakallit, jo njëherë kanë zënë vend në krye të interesimeve dhe vlerësimeve analitike të këtyre kritikëve.

Angazhimi gati i përhershëm i kompozitorit të njohur Rauf Dhomi në përzgjedhjen e muzikës, të cilën shpeshherë edhe e ka komponuar vet, veçsa shfaqjeve të këtij Teatri ia kishte shtuar vlerën artistike. Kishte edhe shumë të tjerë të këtij grupi, si kostimografët, rrobaqepësit etj.të cilët në harmoni dhe bashkëpunim më tërë trupën, punonin në realizimin e detyrave programore të Teatrit.

MBESHTETJE NGA AMATORET

Gjithsesi, edhe angazhimi i një brigade të tërë aktorësh amatorë të cilët ishin inkorporuar në realizimin e shumë projekteve teatrore gjatë gjithë kësaj periudhe, ishte shumë domethënës dhe me rëndësi të veçantë sepse, jo vetëm që kishte ndikuar në freskimin e trupës teatrore, por i kishte plotësuar edhe nevojat imediate për kompletim të numrit të aktorëve, që i janë nevojitur shfaqjeve të caktuara. Angazhimi i tyre, veç sa i kishte shtuar vlerat skenike dhe kishte ruajtur e kultivuar në vazhdimësi traditën, tashmë të krijuar me shumë mund e sakrifica. Shembull tjetër i mirë ishte edhe angazhimi i nxënësve amatorë të cilët kishin vazhduar me ngulm të punojnë dhe krijojnë vlera, sado modeste qofshin ato.

E, Festivali memorial “Nura – Domi – Bejtullahu”, që mbanë emrin e tre amatorëve të mëhershëm, për dy dekada, kishte mbështetur e ndihmuar shfaqjet e Teatrit profesionist, çoftë edhe si statistë, ashtu siç e kishin ndihmuar e mbështetur me angazhime konkrete edhe të tre amatorët paraardhës të cilët, për fat të keq, duke u këthyer nga Festivali i Teatrove që mbahej në Ferizaj në vitin 1974, në një akcident fatal komunikacioni, kishin rënë për të njejtën kauzë, për të ndërtuar një të ardhme më të mire të këtij Teatri.

Bartësit kryesor të këtyre aktiviteteve ishin shumë, por për organizimin e këtij Festivali memorial duhet veçuar: Qemajl Junikun, aktor i hershëm amator, Agim Bycin, shkrimtar e publicist të njohur, e pastaj edhe Hysen Binakun, aktor doajen të Teatrit, si dhe më vonë Besa Byci, Kryetare të Bordit dhe anëtarët e tjerë, si Blerim Valla, Nergize Soba, Aliriza Boshnjaku, Tahir Bakalli, Islam Gashi dhe Neriman Brahushi. Kontribut tejet të çmuar profesional në zhvillimin e këtyre manifestimeve kishin dhënë edhe disa aktorë të Teatrit Profesionist, si Qefsere Bërkani, Rrushe Berisha, Ramazan Bërkani, e të tjerë. Kjo praktikë e gërshetimit të vlerave artistike kishte rezultuar e suksesshme.

Kështu, mbështetur në aktivitetet e mëhershme kulturo-artistike dhe ato sporadike teatrore, të cilat i kemi quajtur si fille apo nisma të zhvillimit të artit skenik në Gjakovë, e pastaj edhe shfaqjet e rregullta e të organizuara të Teatrit amator “Emin Duraku”, me rreth 100 premiera, si dhe me mbi 120 të tjera sa i kishte realizuar Teatri profesionist deri sot, përbëjnë një bilanc të shkëlqyer të cilin e kishin lakmuar shumë teatro. Kjo, pa i llogaritur edhe shumë shfaqje të fëmijëve dhe të rinjve që, për më shumë se dy dekada, ishin realizuar në kuadër të Festivalit “Nura – Domi – Bejtullahu”, i cili për çdo vit mbahej në Gjakovë.

REZYME E SHKURTER

Ajo që, mbase mund të thuhet në përfundim, është se gjatë tërë kësaj periudhe, në Teatër kishte mbizotëruar dashuria dhe entuziazmi për krijimin e vlerave shpirtërore dhe kulturore, sidomos atyre në zhvillimin e artit skenik dhe se, kjo karakteristikë e kishte përcjellur në vazhdimësi punën e tij. Nuk ishte manifestuar kjo vetëm në përcaktimin e drejtë të repertorit, realizimin e suksesshëm artistik, si dhe interpretimin e bukur të roleve nga aktorë të ndryshëm, por edhe në avancimin, kultivimin dhe afirmimin e vazhdueshëm të këtyre vlerave.

Në këtë periudhë, për fat të keq, vazhdimësi kishin pasur edhe telashet dhe problemet që ishin paraqitur, sidomos lidhur me financimin e veprimtarisë, duke vështirësuar, e madje edhe rrezikuar punën dhe zhvillimin e këtij Teatri i cili, në disa momente të caktuara, lirisht ka mundur të quhej i vdekur. Mirëpo, falë angazhimit përkushtues dhe vetëmohimit, në rend të parë të trupës teatrore, si dhe faktorëve të tjerë relevant përkrah tij, ajo më e keqja, fatmirësisht nuk kishte ndodhur.

Ky Teatër, kishte përjetuar vazhdimësi edhe me një brengë tjetër, me ndërrimin e shpeshtë dhe të pakuptim të emërtimit të tij, që nga themelimi. Në të parë, mbase kjo duket e parëndësishme, por ç’është e vërteta, na del të jetë se emërtimi është mjaft domethënës, ndaj ai duhet të jetë stabil, adekuat dhe kompaktibil me veprimtarinë dhe funksionimin e Teatrit. Pra, duhet të jetë i qëndrueshëm dhe i pandryshueshëm, karshi misionit që ka, aq më tepër kur konsiderohet edhe si element determinues për financim.

E, Teatri i Gjakovës, pavarësisht emërtimeve të ndryshme që i janë dhënë, deri tash me veprimtarinë e vet, të zhvilluar në një objekt të ri dhe me sallë shumë modern që nuk e ka kush, kishte dëshmuar se nuk ishte thjeshtë teatër lokal dhe vetëm i qytetit, por i kishte thyer kornizat e një teatri të vogël provincial, çoftë me përzgjedhjen dhe përmbajtjen e repertorit të vet, të larmishëm për nga autorët dhe zhanri dramaturgjik, ashtu edhe me shtrirjen e gjerë të aktivitetit përmes reprizave në mbarë Kosovën dhe tutje, si dhe turnetë e ndryshme dhe pjesëmarrjen e tij gjithandej në takime e festivale.

Poashtu, për fat të mirë, ky Teatër, vazhdimsi kishte përjetuar edhe me bashkëpunim të ngushtë me krijues. Për synimin që, punën e vet sa më shumë ta perfeksionojnë e profesionalizojnë, ky Teatër kishte gëzuar mbështetje të madhe dhe shumë të fuqishme nga një numër bukur i rëndësishëm intelektualësh e krijuesish gjakovarë, të të gjitha sferave të artit e të kulturës në përgjithësi. Këta, shërbenin edhe si prapavijë tejet e rëndësishme programore për Teatrin, ndonëse i takonin fushave tjera të krijimtarisë, si: Besim Bokshi, Ali Podrimja, Din Mehmeti, Teki Dërvishi, Jusuf Buxhovi, Nesim Vala, Rauf Dhomi, Esad Dujaka, Esat Valla, e më pastaj edhe Muhamet Rogova, Kadrush Radogoshi, Halil Haxhosaj, Engjëll I. Berisha,Masar Kupa, Halil Muhaxhiri, Masar Caka, e shumë të tjerë, të cilët hera herës e ndihmuan këtë Teatër në të gjitha fazat e zhvillimit të tij.

NE VEND TE EPILOGUT

Sidoqoftë, amaneti për entuziazmin si vlerë, që për trashëgim ua kishin lënë kolegëve të tyre pjestarët e Teatrit amator “Emin Duraku”, me rastin e startimit me punë të Teatrit Profesionist, si duket ndër vite, kishte dëshmuar vlerën e vet. Ndonëse entuziazmi, në raport me angazhimin profesionist, nuk paraqet ndonjë ekuivalencë, megjithatë në mënyrë kompatibile, mund të plotësojnë e ndihmojnë njëra tjetrën. Së paku, nuk bënë dëm. Përkundrazi, është e shëndetshme edhe për artin skenik dhe për kulturën në përgjithësi.

Kështu, duke i respektuar dhe përfillur maksimalisht të dyja, pra entuziazmin dhe përkushtimin profesional, ansambli i Teatrit të Gjakovës, do të ketë detyrë dhe obligim primar në të ardhmen që, historinë dhe traditën e krijuar, jo vetëm ta ruaj, por edhe ta vazhdoi, begatoi e avancoi tutje, në drejtim të ecurive më bashkëkohëse dhe trendeve të reja moderne evropiane të artit skenik, nëse mendohet që, edhe këta, në shekullin e tyre, të lënë gjurmë me vlera të njëmendëta artistike, duke i tejkaluar nivelet provinciale dhe duke u njësuar me standardet artistike botërore.

Mbase, edhe shëmbëlltyra e Mbretit të skenës shqiptare Hadi Shehu, emrin e të cilit tani e mbanë ky Teatër, për trupën e re, do të shërbejë si inspirim dhe frymëzim, për arritje të këtij niveli, e jo largimi i tij nga jeta, të shndërrohet në ndëshkim për Teatrin sepse, zakonisht kur të mëdhenjt ikin, skena duket e varfër dhe atë e kaplon mërzia. E këta, me siguri e duan dhe urojnë bekimin, e jo mallkimin e tij. Ndaj, duhet ti afrohen, për ta njohur më mire!

Për këtë, nuk ka arsye të mos u besojmë, biles e përgëzojmë dhe urojmë trupën e re aktuale teatrore, për përpjekjet dhe angazhimin që ka bërë në zhvillimin këmbngulës të artit skenik dhe përgjithësisht ruajtjen dhe avancimin e traditës që e kishte krijuar ky Teatër prej kohësh. Ndaj, nga zemra, ua urojmë këtë Përvjetor!

Gjithsesi, do na gëzonte edhe më shumë, sikur Teatri i Gjakovës, tani me emrin Hadi Shehu, e në emër të tij, ti shtjerrë të gjitha mundësitë, për të siguruar në të ardhmen edhe më shumë mendim profesional kritik, pa të cilin produktet e veta nuk mund të kenë vlerësim të drejtë, real e objektiv. Në të kundërtën, i lihet hapësirë dhe i krijohet vend infiltrimit dhe ndikimit të mungesës së kreativitetit, shtimit të injorancës e mediokritetit dhe improvizimeve të ndryshme, që dalin nga disa koncepte arkaike, e të cilat pastaj bëhen pengesë e procesit të emancipimit dhe liberalizimit të skenës sonë artistike, aq shumë të nevojshëm për këtë Teatër, gjenerata e re krijuese e të cilit, me guximin e vet intelektual e artistik, me siguri nuk do të lejojnë një gjë të tillë.

Lexues të nderuar, më shumë për këto dhe shumçka tjetër, gjithsesi do të njoftoheni. Ndërkohë, të shpresojmë se së shpejti do të hyjë në shtyp për të ardhur mandej deri në duart e lexuesve dhe artdashësve Monografia “Një Shekull Teatër”. Për tash, vetëm kaq!

Gëzuarpërvjetorin e 45-të! Do t’jemi në kontakt!

Gjakovë, gusht 2022

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Punëtorët e sektorit publik që janë në grevë, nuk do…