Në vitet më vendimtare për fatin e popullit tonë, Eliot Engel ishte një nga zërat më të fuqishëm

10 prill 2026 | 23:27

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka shkruar në Facebook se e ka pikëlluar lajmi për ndarjen nga jeta të mikut të madh të Kosovës, kongresistit Eliot Engel.

“Në vitet më vendimtare për fatin e popullit tonë, ai ishte një nga zërat më të fuqishëm dhe më të vendosur në mbrojtje të së drejtës sonë për liri. Nuk u tërhoq në asnjë moment kritik; përkundrazi, qëndroi fort, me bindje të palëkundur, në anën e drejtë të historisë. Angazhimi i tij i pandalshëm për Kosovën e vendos atë ndër miqtë më të mëdhenj që kemi pasur ndonjëherë”, ka shkruar Abdixhiku.

Ai ka shtuar se marrëdhënia e tij e veçantë me ish-presidentin Historik Ibrahim Rugova dhe mbështetja e tij e fuqishme për vizionin e Kosovës së lirë, të pavarur dhe demokratike, janë dëshmi e një përkushtimi të rrallë dhe të sinqertë.

“Ai nuk ishte vetëm një aleat politik, ishte një mik i vërtetë i popullit tonë. Dekorimi i tij nga Presidenti Rugova me Medaljen e Artë të Lirisë në vitin 2004 ishte simbol i vogël përballë madhështisë së kontributit të tij”.

“Kontributi i kongresistit Eliot Engel në afirmimin e së vërtetës për Kosovën dhe në forcimin e lidhjes sonë të përhershme me SHBA-të është i jashtëzakonshëm dhe i pashlyeshëm. Sot, Kosova ka humbur një mik të madh. Por vepra, fjala dhe përkushtimi i tij do të jetojnë përherë në themelet e shtetit tonë”.

“Ngushëllimet më të sinqerta familjes Engel, popullit amerikan dhe të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës”, ka shkuar Abdixhiku.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
"Kongresisti Eliot Engel ishte një prej politikanëve amerikanë që për…