Në Zagreb promovohet libri “Koha e prerë” i Rexhep Hotit në nder të Çlirimit të Kosovës

19 qershor 2025 | 10:09

Në nder të përvjetorit të Çlirimit të Kosovës, në ambientet prestigjioze të ‘Društvo hrvatskog zmaja’ në zemër të Zagrebit, u mbajt promovimi i librit “Koha e prerë” nga autori dhe veprimtari i njohur i çështjes kombëtare, Rexhep Hoti.

Ky aktivitet u organizua me përkujdesjen e Ambasadës së Republikës së Kosovës në Kroaci dhe Shoqatës së Gruas Shqiptare “Drita” në Zagreb, të udhëhequr nga znj.Dorotea Kerni, e cila me profesionalizëm e ndjeshmëri krijoi një atmosferë të denjë për përmbajtjen dhe mesazhin e librit.

Ceremonia u mbajt në një vend me simbolikë të veçantë – në sallën ku dikur vepronte albanologu i shquar Milan Šufflay, duke krijuar një urë të fuqishme ndërmjet kulturës shqiptare dhe asaj kroate.

Në këtë ngjarje morën pjesë personalitete nga jeta akademike, kulturore dhe diplomatike në Kroaci, përfaqësues të komunitetit shqiptar në Zagreb, anëtarë të Shoqatës “Migjeni” nga Ljubljana, si dhe përfaqësues të institucioneve vendore kroate.

Për librin dhe autorin folën:

Dr. Martin Berishaj, Ambasador i Kosovës në Kroaci, i cili theksoi rolin e Hotit në ruajtjen e kujtesës kolektive shqiptare;
Znj. Alma Kasa, e ngarkuara me punë në Ambasadën e Shqipërisë në Zagreb, e cila vlerësoi rëndësinë e bashkëpunimit kulturor mes shqiptarëve;
Znj. Ermina Lekaj-Perlaskaj, këshilltare në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kroacisë, e cila përçoi mesazhe miqësie e respekti për Kosovën dhe vetë autori Rexhep Hoti, i cili ndau me të pranishmit motivet që e shtynë të shkruajë këtë libër.

“Koha e prerë” nuk është thjesht një libër historik, por një rrëfim i thellë dhe reflektues për periudhat më dramatike të historisë së Kosovës, përpjekjet për liri dhe rolin e figurave të mëdha si Ukshin Hoti, i cili zë një vend të veçantë në këtë botim.

Ngjarja u përmbyll në një atmosferë të ngrohtë e përplot emocion, duke shënuar jo vetëm një nderim për Çlirimin e Kosovës, por edhe një dëshmi të respektit që gëzon Kosova në ambientin diplomatik e kulturor të Kroacisë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Zhvillimet në Lindjen e Mesme po intensifikohen, ndërsa komandanti i…