Nën dioptrinë e paanshmërive

09 gusht 2019 | 20:16

Pa egoizëm personal, në favor të energjive të përbashkëta.

Nevojitet një guxim më i madh që do ta flakte egoizmin personal në favor të energjive të përbashkëta. Në këtë mënyrë, interesi i ngushtë i partisë shkrihet në interesat e gjithë popullit, kurse kufiri që ndan egoizmin individual nga patriotizmi institucional do të mund shuhet fare. Fundja, qytetarët e vendit më tepër kanë nevojë për një program cilësor qeverisës që do t’iu sillte atyre mirëqenie e zhvillim social dhe fare pak kanë nevojë për ta bërë ndokënd kryeministër që do të vinte në atë post pa një program të mirëfilltë qeverisës.

Nga: Mehmet PRISHTINA

Partitë politike në Kosovë, pa përjashtim, vuajnë nga një problem madhor, nga i cili assesi s’po mund të lirohen. Në situatën në të cilën ndodhet aktualisht vendi, është i tepërt luksi të pretendosh me çdokush të rrëmbesh postin e kryeministrit. Ato subjekte politike që këmbëngulin në këtë post, pa ofruar ide e programe se si do të duket qeverisja e nesërme, cila do të jetë diferenca e politikbërjes së djeshme dhe të nesërme, dhe me cilat adute parazgjedhore futen në garën për të fituar mandatin e ardhshëm qeverisës, nuk bëjnë gjë tjetër pos që zgjasin agoninë e tanishme dhe amnistojnë të gjitha deformimet e deritanishme në keqqeverisje.

Nga përvoja e deritanishme, dhe s’ka pse të mos ndodhë edhe në zgjedhjet e radhës, asnjë subjekt politik nuk ka arritur të fitojë i vetëm aq mandate sa do të mundej të udhëhiqte ekzekutivin pa ndihmën e ndonjë aleati tjetër. Kjo përvojë është mjaftueshme për të reflektuar dhe për të nxjerrë mësime. Në radhë të parë, duke flakur idenë e bajraktarizmit, si një sëmundje shekullore që ka ndjekur si hije e keqe zhvillimin tonë sociopolitik. Pastaj, politikat moderne nuk bëhen më përmes individëve, por përmes ekipeve. Edhe qeveria e ardhshme e Kosovës mund të ketë një qeveri efikase, në krye të së cilës do të ishte një bashkërendues i shkathtë, por që do të punonte me një ekip të zgjedhur, me detyra e obligime të deleguara, sipas profileve e përgatitjeve të çdonjërit.

Të gjitha koalicionet e deritanishme kanë qenë joparimore dhe asnjëri prej tyre nuk ka prodhuar qeverisje stabile. Nisur nga ky fakt, në zgjedhjet e ardhshme do të duhej të vendoset një parim i ri, i cili do të vlente për një periudhë më të gjatë, që gjithsesi do të rezultonte në efekte afatgjata, si në politikbërje ashtu dhe në efikasitetin institucional.

Por, kjo nuk mund të ndodhë vetvetiu. Parasëgjithash nevojitet një guxim më i madh që do ta flakte egoizmin personal në favor të energjive të përbashkëta. Në këtë mënyrë, interesi i ngushtë i partisë shkrihet në interesat e gjithë popullit, kurse kufiri që ndan egoizmin individual nga patriotizmi institucional do të mund shuhet fare. Do të ngelë vetëm ambicia e shëndoshë për të punuar bashkërisht për një të ardhme që do të jetë krejt e ndryshme nga e kaluara.

Pse insistohet kaq shumë në postin e kryeministrit, kur asnjë parti politike nuk është e sigurt se do t’i fitoj zgjedhjet e vetme? Kryeministër i kujt do të jetë ai person i cili paraprakisht nuk i ka siguruar numrat e nevojshëm që do ta bënin vërtetë kryeministër?

Nëse mungojnë përgjigjet në këto pyetje, atëherë partitë i kanë të kota përpjekjet se do të sjellin ndonjë risi në qeverisjen e ardhshme të Kosovës. Ajo çka është më e rëndësishme se posti i kryeministrit, është konsensusi i subjekteve rreth pikave programore që do të jenë pjesë e platformës së ardhshme bashkëqeverisëse. Fundja, qytetarët e vendit më tepër kanë nevojë për një program cilësor qeverisës që do t’iu sillte atyre mirëqenie e zhvillim social dhe fare pak kanë nevojë për ta bërë ndokënd kryeministër që do të vinte në atë post pa një program të mirëfilltë qeverisës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri në dorëheqje i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi,…