NËN KËMBËT E MIA

16 shkurt 2026 | 14:11

Shkruan nxënësja: Sara Çavota, klasa VIII shkolla “New York School of Science in Kosova”
Pengohem në betonin e ashpër ndërsa më shtyjnë brenda një dhome të ngushtë. Dhoma nuk ka vajza të tjera. Ka vetëm një dyshek dhe…pranga. Marr frymë thellë duke e ditur se çfarë do të vijë më pas. Është rutinë. Më lidhin në dyshek dhe më marrin pa vullnetin tim. Ndodh shpesh. Shumicën e herëve e humbas vetëdijen. Nuk i ndiej duart e tyre të ashpra dhe as nuk i dëgjoj frymëmarrjet e tyre të rënda. Nuk e ndiej dhimbjen apo të përzierat. Nuk ndiej asgjë.
Por pastaj, përfundimisht, ajo errësirë shndërrohet në një dritë të fortë. E çuditshme si mendohet që rruga për në parajsë do të ishte e ndriçuar, por ajo dritë është thjesht një burrë tjetër mbi mua. Ata gjithmonë ndryshojnë. Disa më të vjetër, disa më të rinj, disa tullacë e disa të tjerë mbipeshë. Gradualisht, të gjithë bëhen njësoj. Shoh të njëjtën fytyrë që ma mori pafajësinë. Të njëjtën që ma shqyen lëkurën dhe kurrë nuk e qep përsëri. Të njëjtën që më lanë me neveri, derisa dua ta zhvesh lëkurën time.
Këmbët e mia të zbathura i zvarrita mbi dysheme. Kam veshur vetëm një këmishë nate të grisur e cila është e lehtë për t’u përdorur nga ushtarët. Dera mbyllet pas meje dhe për një moment tronditem që nuk jam e lidhur. E shfrytëzoj këtë mundësi për t’u orientuar dhe për të parë, nëse nga një rastësi, do ta gjej një çarje në mur. Majat e gishtërinjve prekin murin e ashpër. Duart dhe këmbët fillojnë të lëvizin ngadalë dhe kontrolloj murin e parë. Pastaj i lyej tri muret e tjera me trupin tim. Nuk ka arratisje, ashtu siç e mendoja.
I shtyj flokët e çrregullta pas veshit, ndërsa ulem në dyshemenë e ftohtë. Nuk më pëlqen të shtrihem në dyshekë sepse do të thotë se kam “një klient”, siç e quajnë ata. I kam numëruar ditët që kam qenë në robëri. 534 ditë, për të qenë e saktë. 534 ditë torturë derisa të formohem për të mos ndier asgjë. 534 ditë shpëlarje truri dhe dhimbjeje. 534 ditë pa liri.
Luaj me një fije të lirë të këmishës dhe e bëj të gjithën me gjak. Atëherë e kuptoj se po gjakosem përsëri. Gjymtyrët po më tradhtojnë dhe e kuqja po ma mbulon lëkurën. Është interesante mënyra se si e brutalizojnë lëkurën tonë por ajo prap e qep veten dhe përgatitet të shqyhet përsëri.
I ngul thonjtë në pëllëmbën e përgjakur dhe më në fund ndiej diçka. Dhimbje. Por jo atë që e ndieja kur ushtarët ishin brenda meje. Ishte një dhimbje që ia shkaktova vetes. Një dhimbje që më kujtoi se mbi të kam kontroll. Njerëzit e uritur hanë çdo gjë. Prandaj dhimbja ushqen të uriturin.
Ndjej një fllad. Një fllad që nuk duhet ta ndiej në një hapësirë të mbyllur. E kërkoj përsëri derisa diçka më bie në mendje. E heq shpejt dyshekun dhe gjej diçka të çuditshme. Betoni aty është i sheshtë. Pa gunga. E trokas dhe dëgjoj jehonë. Është bosh. I fus gishtat nën pllakën e betonit dhe përdor gjithë forcën për ta ngritur. Supet më duken sikur do të shkëputen dhe dhëmbët më dhembin nga sa fort i shtrëngoj. Më në fund lirohet. Shoh disa shkallë. Në heshtje filloj të zbres. Korridori mban erë lagështie dhe myku.
Lëviz me kujdes nëpër dritën e zbehtë, derisa përballem me një derë. E provoj duke menduar se do të jetë e mbyllur, por, për habinë time, hapet. Dhe këtu, në këtë moment, e shoh parajsën. Shoh një dritë të fortë që nuk mund të dyshohet që nuk është dielli. LIRI.
Pa menduar dy herë, ik. Vrapoj edhe kur më duket se po më mbaron fryma. Vrapoj për vajzat që nuk mundën kurrë, për fëmijët që u rrëmbyen, për ëndërrimtarët që tani shohin vetëm makthe, për muzikantët që u luajtën nga ta ashtu siç luanin me tela. Vrapoj për shpresën e takimit me atdheun tim. Për veten time. Por mbi të gjitha, vrapoj që ta shoh Kosovën edhe një herë.
herë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, sot në Prishtinë tha se…