NËNA E HEROIT AFRIM ZHITIA NDEROHET NGA KONSULLATA E KOSOVËS NË CYRIH

08 shkurt 2026 | 11:00

Nëna Qamile Zhitia, Nëna e Heroit të Kombit Afrim Zhitia!

Kudo që shkon Nëna, çdo institucion që viziton, kombëtar e shtetëror, politik, diplomatik,ushtarak, policor etj., të Kosovës, të Shqipërisë, të Maqedonisë së Veriut ku drejtojnë shqiptarët e pjesë të tjera, Ajo është pritur, pritet e do të duhej të pritet edhe në të ardhmen me nderime të mëdha, kombëtare e shtetërore, ushtarake e policore, politike e patriotike!

Nëna Qamile Zhitia, qëndron në kolonën e pathyeshme të Nënave të Mëdha të Kombit, aty ku shekujt nuk fshijnë emra, e historia nuk e mban në memorien e saj përgjithmonë!

Për Nënën Qamile, e kemi thënë edhe herave të kaluara dhe do ta përsërisim gjithmonë, Ajo qëndron përkrah Nënave të mëdha, që prej Nënës Vojsavë të Skënderbeut e Nënave të tjera të mëdha, si betim i përjetshëm!

Nana Qamile Zhitia është Nënë legjendë, është Nënë monument, është Nënë që e ktheu dhimbjen në forcë e në nderim të flamurit të Kombit, me atë flamur që ia qendisi djalit të saj në gjoks, tash Hero i Kombit Afrim Zhitia, flamur në të cilin u betua djali i saj dhe u mbështjell kur u mbulua me dheun e Atdheut!

Kjo Nënë e madhe i dha kombit tonë një bir që u bë epokë: Heroin e Kombit Afrim Zhitia, luftëtarin që ra me armë në dorë e me emrin e Atdheut në gojë, por që nuk u mposht kurrë, sepse ishte lindur nga një Nënë si Nëna Qamile, që nuk dinte të thyhej, që nuk dinte të mposhtej e nuk dinte të dorëzohej!

Nëpër shekuj, Kombi ynë ka mbijetuar edhe nga shpirti i Nënave të mëdha e heroina, sepse Ato lindën trimërinë dhe e rritën me dinjitet!

Në panteonin e pavdekshëm të Nënave të Kombit, emri i Nënës Qamile, qëndron i gdhendur në gurin e përjetësisë, sepse luftës për liri e çlirim të Kosovës nga Serbia pushtuese, ia ka dhënë njërin prej Udhëheqësve më të mëdhenj, Heroin e Kombit Afrim Zhitinë!

Me pritjen e Nënës Qamile, Konsulli i Kosovës ka ngritur lart dinjitetin e shtetit të Kosovës, ka nderuar historinë kombëtare e Lëvizjen Popullore të Kosovës, të cilës i ka prirë Heroi i Kombit Afrim Zhitia dhe ka dëshmuar fisnikëri personale e përgjegjësi shtetërore!

Konsulli i Kosovës, ka dëshmuar se duke e pritur dhe nderuar Nënën e Heroit të Kombit, ka nderuar jo vetëm një figurë madhore të Nënës, por ka nderuar edhe shtetin e Kosovës dhe vetveten si Konsull e përfaqesues shtetëror!

Ismet Sylejmani,
Prishtinë, 8 Shkurt 2026!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Gjykimi ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) është…