Nëna e Navalnyt në acar përpara burgut: Putin, kthema trupin e djalit!
Nëna e Alexei Navalny, kritikut të Putinit i cili vdiq në ambientet e një burgu në Arktik, i ka bërë thirrje presidentit Vladimir Putin që të dorëzojë trupin e djalit të saj.
Në një video të filmuar jashtë burgut ku Navalny vdiq të premten, ajo tha se po kishte 5 ditë që po përpiqej të shihte trupin e të birit dhe nuk lejohej.
Familjes i është thënë se trupi i Navalnyt nuk do të lirohet për dy javë.
Nëna e tij u informua se trupi po mbahej për “analizë kimike”, tha një përfaqësues i grupit të punës së Navalnyt.
Nuk ka asnjë konfirmim për vendndodhjen e trupit nga autoritetet ruse.
Yulia Navalnaya ka pretenduar se trupi i burrit të saj po mbahet derisa gjurmët e helmimit nga agjenti nervor Novichok të ishin zhdukur. Navalny i mbijetoi një përpjekjeje për ta vrarë duke përdorur helmin në vitin 2020.
Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov i quajti akuzat “të pabaza dhe vulgare”, duke shtuar se nuk do të përgjigjej meqenëse zonja Navalnaya kishte ngelur e ve vetëm disa ditë më parë.