Nëndetësja bërthamore britanike mbërrin në Detin Arabik
Një nëndetëse me energji bërthamore e Marinës Mbretërore Britanike ka mbërritur në Detin Arabik, raportoi “Daily Mail”, duke cituar burime ushtarake.
Nëndetësja sulmuese HMS Anson u nis nga Perth më 6 mars dhe besohet se është pozicionuar në ujërat e thella të Detit Arabik verior.
Anija është e armatosur me raketa lundruese për sulm tokësor Tomahawk Block IV me një rreze veprimi prej rreth 1 600 kilometrash.
Dislokimi i raportuar do t’u jepte forcave britanike aftësinë për të nisur sulme ndaj Iranit nëse konflikti përshkallëzohet më tej.
Ministria e Mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar nuk pranoi të konfirmonte vendndodhjen e nëndetëses, me një zëdhënës që tha se qeveria nuk do të jepte detaje mbi operacionet ose vendosjet specifike, duke shtuar se aftësitë në rajon mbaheshin “nën shqyrtim të vazhdueshëm”.
Lajmi vjen pasi u raportua se kryeministri britanik, Keir Starmer, kishte rënë dakord të lejonte ShBA-në të përdorte bazat britanike për të nisur sulme ndaj vendeve iraniane që synojnë ngushticën e Hormuzit, një veprim që shkaktoi kritika nga presidenti i ShBA-së Donald Trump, i cili tha se Britania “veproi shumë vonë”.



