
Nënkryetari i Listës Serbe thirret në Kushtetutën e Kosovës kur flet për gjuhët zyrtare
19 maj 2023
| 15:44
Nënkryetari dhe zëdhënësi i Listës Serbe, Igor Simiq, gjatë ditës së sotme ka mbajtur një konferencë për medie pas betimit të kryetarit të ri të Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq.
Në këtë konferencë me gazetarë ka pasur edhe pyetje në serbisht, shqip edhe anglisht.
Në pyetjet në serbisht, ai është përgjigjur, mirëpo jo edhe ndaj pyetjeve në shqip e anglisht.
Për të parën ka thënë se nuk e di gjuhën, e për të dytën ka thënë se do ta zbatojë Kushtetutën e Republikës Kosovës, e cila ia njeh gjuhën serbe si gjuhë zyrtare.
“Fatkeqësisht, sipas Kushtetutës që edhe ju e respektoni, gjuha serbe është gjuhë zyrtare dhe do ta shfrytëzoj”, ka thënë Simiqi kur një gazetar i ka thënë se nuk e di serbishten.